11-vjetori i Pavarësisë së Kosovës! FSK-ja, për herë të parë si ushtri!

0
12

Më 17 shkurt, 2008, Kosova në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet perëndimore shpalli aktin e pavarësisë, por tani, 11 vjet pas, për herë të parë po rivlerësohet ky partneritet.

Kosova shënon sot  11-vjetorin e pavarësisë pa e përmbyllur ende finalen e madhe të dialogut me Serbinë, për t’i dhënë fund armiqësisë dhe arritjes së një marrëveshjeje paqësore, historike.

Dita e pavarësisë, për herë të parë po shënohet edhe me Ushtrinë në konsolidim e sipër, por Kosova mbetet ende vendi më i izoluar në Evropë, pa liberalizim të vizave.

Në shënimin e kësaj dite, sot janë paraparë të mbahen disa aktivitete shtetërore. Në 11-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, sot FSK-ja do të parakalojë për herë të parë si ushtri.

Parakalimi bëhet në sheshet kryesore të Prishtinës, duke filluar nga Sheshi “Zahir Pajaziti” deri të Sheshi “Ibrahim Rugova”.

Në përvjetorin e kaluar, i cili shënoi jubileun e parë, Kosova kishte 116 njohje nga shtetet e ndryshme, kurse sivjet, nuk dihet se cili është ky numër i njohjeve, ngaqë disa shtete kanë vendosur të tërheqin vendimin e tyre, duke pritur rezultatin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Shteti më i ri evropian, edhe këtë përvjetor e shënon pa e siguruar ulësen që i takon në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Po ashtu, Kosova nuk e ka ende as mbështetjen unike të Bashkimit Evropian, ngase pesë shtete anëtare të BE-së, nuk e njohin atë si shtet.

Duke qenë me një subjektivitet të papërfunduar ndërkombëtar, Kosova përfaqësohet nëpër organizata e mekanizma ndërkombëtarë, diku si shtet sovran, diku si vëzhgues, e diku me fusnotë në emrin e saj.

Dështimi i Kosovës që të jetë pjesë e Organizatës Botërore të Policisë-INTERPOL, që erdhi si pasojë e fushatës së Serbisë kundër këtij anëtarësimi, solli si kundër-reagim përgjigjen e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e tarifës doganore 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Sot, ky vendim po e sfidon Kosovën në planin ndërkombëtar, ngaqë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur pakënaqësinë e hapur me tarifën e vendosur nga Prishtina zyrtare, sepse po e shohin atë si pengesë serioze për vazhdimin e dialogut dhe mundësinë për arritjen e një marrëveshjeje historike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here