Kryemadhi: Protesta e 16 shkurtit historike. Ndan njëherë e përgjithmonë Shqipërinë nga tranzicioni

0
96

‘Iu është premtuar shëndetësia falas dhe në fakt kanë shëndetësinë më të shtrenjtë në rajon. Iu është premtuar barazi në drejtësi, por përkundrazi kanë standard të dyfishtë dhe të trefishtë. Iu është premtuar barazi në siguri, por përkundrazi, sigurohen kriminelët dhe trafikantët, e dhunohen dhe shtypen njerëzit dhe qytetarët e thjeshtë,’ shprehet kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi në takimin me strukturat e LSI-së në njësinë 11.

Fjala e Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi.

Faleminderit të gjithëve që keni ardhur!
Në fakt në periudhë 1 vjeçare ne jemi takuar më shumë se 3-4 herë dhe kjo ka ardhur si rezultat i angazhimit të strukturave të LSI-së, por ajo që të bën më shumë përshtypje dhe që sjell më shumë kënaqësi është pjesëmarrja e të rinjve dhe të rejave, që është një nga forcat më të mëdha që ka LSI-ja.

Sot nuk dua të flas fare për LSI-në, sot dua të flas për hallet dhe problemet që kanë shqiptarët dhe për protestën e 16 shkurtit, protestën e nesërme. Çdo ditë dhe më shumë që ne takohemi me njerëzit, sapo fillojmë të flasim, njerëzit pa dallim bindjesh politike,madje mund të them më shumë socialistë thonë që do të jenë në protestë ditën e shtunë. Jo vetëm shqiptarët, por sidomos qytetarët e Tiranës, do të jenë palca e protestës së ditës së nesërme. Do të jenë ata, sepse janë ata që ndjejnë dhe shikojnë më shumë se kushdo tjetër. Ndjejnë taksat e larta dhe ndjejnë faturën e lartë të energjisë. Ndjejnë ilaçet që janë të pamundura për t’i blerë dhe për t’i paguar për prindërit e tyre. Ndjejnë mungesën e librave të fëmijëve të tyre, të cilëve i’u është premtuar që do ti kenë falas dhe përkundrazi i kanë më të shtrenjta. Ndjejnë mungesën e vendeve të punës dhe humbjen e vendeve të punës. Edhe pse iu premtuan 300 mijë vende pune, shqiptarët janë 400 mijë që janë larguar nga Shqipëria dhe i janë drejtuar Europës për një jetë më të mirë.

Iu është premtuar shëndetësia falas dhe në fakt kanë shëndetësinë më të shtrenjtë në rajon. Iu është premtuar barazi në drejtësi, por përkundrazi kanë standard të dyfishtë dhe të trefishtë. Iu është premtuar barazi në siguri, por përkundrazi, sigurohen kriminelët dhe trafikantët, e dhunohen dhe shtypen njerëzit dhe qytetarët e thjeshtë. Kanë shpresuar për barazi në ekonomi, por përkundrazi shkatërrohet dhe falimentohet biznesi i vogël dhe i mesëm, nga ana tjetër forcohen dhe konsolidohen oligarkët me paratë e të varfërve dhe të qytetarëve.

Pra pakënaqësia e njerëzve nuk ka të bëjë thjeshtë me pakënaqësinë politike, sepse nuk ka socialistë apo demokratë, apo edhe pa parti politike, që të dojë të paguajë energji elektrike më të shtrenjtë se sa e ka paguar, kur i premtohet që do t’i ulet. Nuk besoj se ka qytetar që do të pranojë të paguajë për shërbimin shëndetësor. Nuk besoj se ka pensionist që do të pranonte ti grabitej pensioni i tij. Edhe pse për 30-40 vite punë kanë paguar kontributet, pensionet e tyre janë qesharake. Nuk besoj se ka mjek apo infermier që do të pranonte dhe do t’ia bënte dhuratë qeverisë pagën e 13, por përkundrazi do të kërkonte një pagë më të mirë në mënyrë të tillë që të mos lënë familjet e tyre këtu dhe të shkojnë të punojnë në azile në Gjermani. Nuk besoj se ka mësues që do të dëshironte të nënshtronte nxënësit e tij, por do të dëshironte ti mësonte ata në kushtet më minimale që mund të ketë një europian. Nuk besoj se ka sot një njeri, jo vetëm këtu te ju, por kudo në çdo cep të Shqipërisë, që nuk do të donte që Shqipëria të ishte pjesë e BE-së.

Kemi mbi 20 vjet që aspirojmë të jemi vend i BE-së, e kemi filluar procesin e integrimit përpara Kroacisë dhe Kroacia sot duhet të votojë nëse duhet të jetë apo jo Shqipëria në Bashkimin Evropian. Ne jemi shumë mbrapa, aq sa po na e kalon edhe Maqedonia. Ne dje në Parlament votuam traktatin për ratifikimin e Maqedonisë në NATO. Tërheqtë këmbën zvarrë sepse Maqedonia ka ecur më shpejt se ne. Edhe pse ka pasur probleme me vende të tjera fqinje, ajo kaloi mbi egot dhe interesat e politikanëve duke ecur përpara për ta çuar popullin e saj në Bashkimin Evropian. Ndërsa ne kemi ngelur peng i një njeriu të vetëm, i një njeriu i cili karrigen e tij nuk e lëshon sepse ka frikë. Ka frikë nga drejtësia, ka frikë nga drejtësia popullore, ka frikë nga humbja e pushtetit në Partinë Socialiste, ka frikë nga humbja e pushtetit në qeverinë e tij.

Ne sot kemi nevojë për një vend dhe për një qeveri që kujdeset për qytetarët e saj. A e keni parë se si e kanë rrethuar atë dekorimin e tij me drita sikur të jetë diskotekë. Sikur të kujdesej për qytetarët aq shumë sa është kujdesur për imazhin e hyrjes së Kryeministrisë, ne do të ishim shumë të lumtur. Pra, ai shqiptarët nuk i konsideron as sa një neon tek dera e Kryeministrisë. Më shumë i dhimbset neoni te dera e Kryeministrisë sesa i dhimbsen minatorët, naftëtarët, të rinjtë shqiptarë që po ngrenë plaçkat dhe po ikin nga Shqipëria.

Pra këtë njeri që do vetëm një send, nuk do popullin e tij, nuk do qytetarët e tij, nuk do votuesit e tij, sigurisht që shqiptarët nuk e meritojnë. Ai njeri ka ikur, ka ikur që dje. Por ne duhet t’ia bëjmë të qartë që ikja e tij nuk mund të mbajë peng të ardhmen e fëmijëve dhe të rinjve shqiptarë.

Shqipëria është familja e shqiptarëve, është shtëpia e shqiptarëve. Ndoshta për Edi Ramën Shqipëria është kolibe qensh, për ne dhe për gjithë shqiptarët Shqipëria është familja jonë. Ne këtu do të jetojmë, këtu do ndërtojmë të ardhmen tonë, sepse vend më të bukur dhe më të bekuar nga Zoti se Shqipëria nuk ka. Por Shqipëria nuk ka pasur klasë politike që ta drejtojë në rrugën e duhur, por gjithmonë ka rënë në duart e gabuara.

Sot ka ardhur momenti që të mos themi më: Rotacioni politik. Por sot ka ardhur momenti që t’i themi çdo politikani duke filluar nga Monika dhe kushdo tjetër: Mos të guxojnë më të bëjnë gabimet që ka bërë Edi Rama. Politika nuk punon për pesë veta, por politika duhet të punojë për qytetarët e saj, për burrat, gratë, djemtë dhe vajzat shqiptare, për fëmijët shqiptarë, në mënyrë që të gjithë të jemi të barabartë. Ne kemi pasur një qeveri, kemi pasur një klasë politike, e cila është marrë me problemet e veta dhe nuk është marrë kurrë me hallet e shqiptarëve.

Protesta e nesërme është protesta për ti dhënë një mësim politikës dhe politikanëve dhe unë brenda atyre, që populli të vendosë në karrige dhe populli të heqë nga karrigia.

Prandaj 16 shkurti ka rëndësi të madhe historike për ta ndarë një herë e përgjithmonë Shqipërinë nga tranzicioni, nga e kaluara dhe për ta futur në rrugën e integrimit europian. Hapja e negociatave ka rëndësinë më të madhe për ne sepse me hapjen e negociatave Shqipëria ndahet përfundimisht nga tranzicioni, ndahet përfundimisht nga e kaluara e vetë e hidhur dhe do të ndajë përfundimisht politikën nga krimi, i cili ka uzurpuar qeverinë, parlamentin dhe do gjë. Prandaj unë ju bëj thirrje, sot është pasditja e fundit, por jam e bindur që asnjëri nga ne nuk do të ndalojë duke njoftuar dhe duke organizuar për ditën e nesërme.

Frika e protestës së nesërme i ka bërë që të bllokojnë rrugë, të bllokojnë autobuza, të kërcënojnë shoferë, etj, por nuk kanë bërë llogarinë më të vogël, që e gjithë Tirana do të jetë atje nesër në Bulevard dhe do të vërshojë. E gjithë Tirana nuk ka nevojë as për autobuza dhe as për furgona dhe as për makina, nesër e gjithë Tirana do të jetë në bulevard, për t’i treguar Edi Ramës dhe krimit të organizuar që janë vetëm. Qytetarët janë me popullin e tyre, qytetarët janë populli dhe nuk janë politikanët ata që do të dalin nesër, nesër e gjithë politika dhe opozita del si qytetare. Unë dal si qytetare, dal si nënë, dal si vajzë, dal si bashkëshorte, ashtu siç do të dalin të gjithë të tjerët, nesër përballë Kryeministrisë janë qytetarët, pa dallim bindjesh politike, pa dallim krahine dhe pa dallim feje, pse e them këtë?

E them këtë sepse sot më shumë se kurrë Shqipëria ka nevojë për bashkimin e madh kombëtar që do ta çojë Shqipërinë drejt Bashkimit Europian, drejt Integrimit për ti dhënë një herë e përgjithmonë fund tranzicionit, për ti dhënë fund një herë e përgjithmonë kapjes së politikës nga krimi dhe trafiqet. Shqiptarët meritojnë më shumë, shqiptarët meritojnë një shans më shumë sepse është populli më i vuajtur në Ballkan, por është edhe populli më i ri në Ballkan, mos të lejojmë këtë kupolë të kalbur nga krimi i organizuar, që ta kthejë në popullin më të vjetër dhe popullin më të varfër.

Ne e kemi zemrën e madhe dhe kjo na bën njerëzit më të pasur në botë, unë ju uroj gjithë të mirat, Zoti ju ruajtë ju dhe familjet tuaja, Zoti na dhëntë fuqi dhe forcë për tu përballur nesër në atë protestë paqësore dhe qëndrestare, për të treguar edhe një herë që shqiptarët janë shumë më shumë se një grusht njerëzish që kanë grabitur Parlamentin, qeverinë dhe pushtetin e shqiptarëve. Faleminderit

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here