Përgjimet për blerjen e votave në Shqipëri, flet Ministri gjerman: Të dënohen përgjegjësit

0
95

Ministri gjerman i shtetit Michel Roth është treguar i qartë kur është pyetur në lidhje me skandalin e shit-blerjes së votave nga eksponentë të lartë të socialistëve, duke thënë se përgjegjësit duhen dërguar para drejtësisë.

Në një intervistë për Deutsche Welle, fill pas takimit që ka patur me kryetarin e parlamentit Gramoz Ruçi, Michel Rotha ka deklaruar se partitë politike në Shqipëri duhet të bëhen bashkë për të kaluar reformën në drejtësi. Më tutje Roth ka theksuar se shkeljet, “që janë që tani të dënueshme” duhet të ndiqen penalisht dhe të ndëshkohen personat përgjegjës.

-Gazetarët e rrjetit investigativ, BIRN, kanë publikuar së fundmi në bashkëpunim me “Zërin e Amerikës” protokolle përgjimesh ku flitet për blerje votash me ndihmën e krimit të organizuar, ndër të tjerash, në Durrës. A ndikojnë këto protokolle mbi imazhin e Shqipërisë në BE? Dhe nëse po, çfarë mund të bëjë Shqipëria deri në qershor për ta përmirësuar imazhin e dëmtuar?

Roth: Zbatimi i reformës zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE / ODIHR-it është i rëndësishëm për të forcuar sistemin zgjedhor e bashkë me të edhe demokracinë në Shqipëri.  Ne e kemi  mbështetur intensivisht përgatitjen e propozimeve konkrete për reformën zgjedhore – prandaj presim që kjo reformë të miratohet në Kuvend dhe të zbatohet me shpejtësi.  Këtu pritet që të luajë një rol të veçantë edhe opozita, e sidomos Partia Demokratike, pasi qeveria nuk e ka shumicën e mjaftueshme të votave për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Natyrisht, shkeljet e të drejtës së votës, të cilat qysh tani janë të dënueshme, duhet të ndiqen penalisht dhe të ndëshkohen. Zgjedhjet e lira, të barabarta dhe të fshehta janë themeli i çdo demokracie të vërtetë.

I pyetur në lidhje me protestën e opozitës më 16 shkurt, Ministri Roth ka deklaruar se protestat janë një themel i demokracisë, por pavarësisht kësaj, vendi i opozitës nuk është në rrugë.

-Opozita ka paralajmëruar për mesin e shkurtit protesta dhe po bën thirrjen për rrëzimin e qeverisë aktuale. Cili do të ishte apeli juaj për të dyja palët?

Roth: Sigurisht që dëshiroj që protestat e paralajmëruara të jenë paqësore dhe të mos kthehen në dhunë. Demonstratat paqësore janë legjitime dhe liria e tubimit është një shtyllë e rëndësishme e kulturës së politikës demokratike. Si student edhe unë kam marrë pjesë në demonstrata. Por vendi qendror i debatit politik midis qeverisë dhe opozitës është parlamenti shqiptar dhe jo rruga. Kjo është arsyeja pse i bëj thirrje opozitës: Shqipëria ende ka detyra të mëdha përpara, të cilat kërkojnë një bashkëpunim të të gjitha forcave politike./Express

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here