Air Albania/ Propaganda mashtruese e Edi Ramës!! ku përfundoi vallë?????

0
125

“Drekë në Stamboll me Presidentin Erdogan për projektin e aeroportit të Vlorës, linjën ajrore shqiptare e investime të tjera strategjike”. Kështu shkruante kryeministri Edi Rama më 4 shkurt 2017 në faqen e tij në Twitter. Rreth dy vjet më pas s’ka asgjë të re as për linjën ajrore as për aeroportin e Vlorës.

Qe prej fluturimit të parë me studentë ekselentë në mesin e muajit shtator, më pas fluturimit me gazetarë dhe më tej fluturimit me të moshuar nuk ka asnjë lajm tjetër nga ‘Air Albania’, kompania kaq shumë e proklamuar nga kryeministri Edi Rama si kompania e flamurit kuq e zi dhe që do të ofronte gjithashtu bileta me çmime më të ulëta.

Fluturimet për pasagjerët nuk kanë nisur ende, duke shtuar akoma më shumë dyshimet se kjo është një tjetër punë e lënë përgjysmë nga kryeministri. Kanë kaluar rreth 5 muaj që prej 14 shtatorit 2018 kur avioni i parë i pagëzuar me emrin ‘Lasgushi’ mbërriti në Rinas dhe askush s’di të thotë diçka për kompaninë ajrore të krijuar në partneritet me ‘Turkish Airlines’.

Edhe pse herë pas here janë hedhur në publik reagime se kompania është në proces licencimi, dyshimet se projekti Rama-Erdogan ishte në fakt një blof mbeten të mëdha. Rama deklaroi se fluturimet do të nisin shumë shpejt, fill pas muajit të parë që do të ishte muaj prove, por që nga vjeshta e deri më tani në fund të janarit s’ka më asnjë haber nga ‘Air Albania’. Afati maksimal për t’u pajisur me licencë sipas normave europiane shkon maksimalisht deri në 120 ditë. Që prej shtatorit e deri më sot në fund të janarit kanë kaluar më shumë se 120 ditë.

Rama ka deklaruar gjithashtu se në fund të vitit 2019 ‘Air Albania’ do të kishte edhe një linjë direkt nga Tirana për New York, avioni i së cilës do të mbante emrin e Fan Nolit. Por kjo është një ëndërr akoma edhe më e largët. Gjithçka është shfaqur deri më tani në media nën logon e ‘Air Albania’ të lë përshtypjen e një projekti politik mes Ramës dhe Erdoganit, i përzier natyrisht me propagandë nën simbolet kombëtare. Partneriteti mes Turkish Airlines dhe Air Albania është larg të qenit një partneritet komercial. Që prej fillimit ai është shpërfaqur si një projekt me orientim politik.

Në ceremoninë e mbajtur në Rinas kur ‘Lasgushi’ preku për herë të parë tokën shqiptare, Rama gjatë fjalimit shprehu ambicjen edhe për ndërtimin e së paku tre aeroporteve të tjera në vend.

“Ne sot jemi i vetmi vend në Europë që kemi vetëm një aeroport. Pistat e atëhershme ishin vetëm disa rrugë të paasfaltuara por shqiptarët fluturonin me avionë për në Peshkopi, për në Gjirokastër për në Korçë. Nuk po them që ky është synimi i së ardhmes por duam që të mos kemi një aeroport por të kemi të paktën edhe tre aeroporte. Atë të Vlorës, Kukësit dhe Sarandës”, tha Rama.

Me propagandë të madhe Rama ka shpallur publikisht ndërtimin e aeroportit të Vlorës, sërish në partneritet me kompanitë turke afër presidentit Erdogan. Sipas tij puna në terren do të niste që në verën e vitit 2018. Por më 1 shtator Kryeministri deklaronte se negociatat me palën turke vazhdonin, edhe pse tashmë në Kuvend ishte miratuar një ligj i veçantë për këtë projekt. Sinan Idrizi, përfaqësuesi i kompanive të konsorciumit turk në Shqipëri, deklaronte se puna për aeroportin do të niste brenda muajit shtator. Vjeshta iku dhe ende sot e kësaj dite puna në fushën e Akërnisë në Vlorë puna s’ka nisur.

Askush nuk di të thotë çfarë po bëhet me këtë projekt. Vetë kryeministri Edi Rama ka bërë një premtim të guximshëm. Ai ka thënë se brenda vitit 2021 do të kryhet fluturimi i parë nga aeroporti i Vlorës. Por deri më tani edhe aeroporti i Vlorës njësoj si ‘Air Albania’ ngjan të jetë një blof i Edi Ramës. I vetmi partneritet i tij me Erdogan që duket se ka sukses është projekti për Xhaminë e Namazgjasë. Punimet që nisën 4 vjet më parë po shkojnë drejt përfundimit. Air Albania dhe aroporti i Vlorës deri më tani kanë qenë thjesht propagandë e Kryeministrit të Shqipërisë.

©LAPSI.al 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here