Qëndrimet e Kryeministrit, Meta: Protesta e studentëve, akumulim i mungesës së dialogut real

0
114

Presidenti Meta gjatë një intervistë të dhënë sot për RTK ka komentuar protestat disa ditore të studentëve duke e konsiduar atë si një “lëvizje sociale”. I pyetur nga gazetari Ridvan Berisha se si i lexon protestat e studentëve, Meta u përgjigj se: “Unë lëvizjen e studentëve e lexoj si një lëvizje sociale të një shtrese mjaft të rëndësishme të gjithë shoqërisë sonë, e cila prek të gjitha familjet shqiptare. Por edhe mjaft kyçe, pasi ka të bëjë me të ardhmen e vendit dhe me perspektivën e tij”.

PJESË NGA INTERVISTA

Gazetari: Të kalojmë të zhvillimet e brendshme në Shqipëri. Shqipëria po e zhvillon me gjasë pluralizimin më shumë se sa e ka kapacitetin. Kemi këtu në Tiranë një ambient të nxehtë i shoqëruar së fundmi me protestat e studentëve, të cilët kanë disa kushte, kërkojnë vetting për profesorët, kërkojnë tarifa për studime, etj. Sipas jush, sa po përmbushen dhe në çfarë drejtimi në fakt politik është sot Shqipëria në këtë moment të ri? Sepse protesta ka pasur Shqipëria dhe në të kaluarën, po sot kemi një komunitet që nuk është në politikë i përkrahur ndoshta, që thonë hapur se nuk përfaqësojnë asnjë parti politike, por janë për të përfaqësuar zërin e tyre.

Presidenti Meta: Unë lëvizjen e studentëve e lexoj si një lëvizje sociale të një shtrese mjaft të rëndësishme të gjithë shoqërisë sonë, e cila prek të gjitha familjet shqiptare. Por edhe mjaft kyçe, pasi ka të bëjë me të ardhmen e vendit dhe me perspektivën e tij. Është e qartë se kjo është një lëvizje e imponuar nga kushtet dhe rrethanat e vështira në të cilat ndodhen studentët tanë, por edhe universitetet tona, në mënyrë të veçantë ato publike, nga vështirësitë dhe pamundësitë e shumicës së familjeve shqiptare për të përballuar kostot aktuale të studimit të fëmijëve të tyre në universitete, njëkohësisht dhe një pakënaqësi e studentëve deri diku edhe nga shërbimi apo cilësia që ofrohet.

Gazetari: Si e vlerësoni qëndrimin e Kryeministrit Rama, përsa i takon këtij mjedisi që po shpërfaq zemërim, në gjykimin e shumë njerëzve të arsyeshëm?
Presidenti Meta: Mendoj se ky rezultat është akumulimi i mungesës së dialogut real dhe efektiv prej kohësh përsa i takon problemeve të arsimit të lartë, i anashkalimit të shumë shqetësimeve që janë ngritur në mënyrë sistematike, që nga koha e hartimit të projektligjit për arsimin e lartë, më pas që nga ngadalësia apo boshllëku që u krijua me mosbërjen e gjithë vendimeve dhe akteve nënligjore për zbatimin e ligjit dhe më pas me shumë kontradikta të shfaqura përsa i takon menaxhimit të problemeve në universitetet tona. Kështu që është koha që zëri i studentëve të dëgjohet dhe do të thosha të dëgjohet pa vonesë.

Gazetari: Ju vendosët për ta rikthyer me procedurë ligjin për buxhetin. President Meta, e bëtë realisht sepse mendoni që studentët dhe kërkesat e tyre nuk janë adaptuar mjaftueshëm në buxhetin e ri apo e bëtë për ta ftuar në një konfrontim të ri Kryeministrin Rama?
Presidenti Meta: Mendoj se motivacioni ka qenë shumë i qartë dhe i shprehur në mënyrë publike. Dihet se disa nga kërkesat e studentëve kërkojnë një konsiderim nga buxheti i shtetit dhe sigurisht që kthimi në Kuvend, sikurse dhe u argumentua publikisht, bëhet në interes të dhënies të një mundësie të re për të reflektuar dhe për të qetësuar këtë situatë.
Gazetari: Nuk ishte mesazhi për të ftuar në konfrontim Kryeministrin Rama?
Presidenti Meta: Nuk ekziston asnjë qëllim i tillë, për më tepër që ka patur edhe një pretendim nga përfaqësues të caktuar të mazhorancës, që nuk mund të bëheshin ndërhyrje në buxhet për arsye se buxheti ishte në Presidencë. Kështu që, kjo ishte një mundësi për të parë se çfarë hapësire ekziston për të reflektuar.

Gazetari: Përveç protestave të studentëve, ka dhe protesta të tjera, që kërkojnë uljen e çmimit të karburantit, protestat e banorëve në një lagje të Tiranës të cilëve po u shemben shtëpitë, largimi i shumë të rinjve jashtë vendit. Të gjitha këto mund të krijojnë të papritura, jo vetëm thjesht në planin social, apo edhe atë të sigurisë. A e shihni këtë efekt që mund ta krijojë kjo situatë?
Presidenti Meta: Theksoj edhe një herë që protesta e studentëve është një protestë që ka rrënjë shumë të sinqerta dhe e cila vjen për arsye të problemeve dhe pamundësive sociale-ekonomike të shumicës së familjeve të studentëve për të përballuar kostot e studimit për fëmijët e tyre.
Ky nuk është një problem thjesht i këtyre familjeve. Besoj se ky është një problem për të gjithë shoqërinë dhe kërkon një angazhim të gjithë institucioneve për t’i dhënë një zgjidhje, pasi problemi kryesor që ne kemi sot është tendenca e të rinjve për t’u larguar nga vendi.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here