Pse revolta e studentëve është një bombë me sahat për Ramën?

0
119

Edhe pse po bëhen përpjekje të jashtëzakonshme nga makineria e pamëshirshme e pushtetit për ta futur nën kontroll, revolta e studentëve sa vjen edhe po bëhet e pakontrollueshme, si një bombë me sahat që nga çasti në çast mund të shpërthejë dhe mund të hedhë në erë të gjithë këtë sistem të kalbur.
Qeveria duket krejt e paaftë për t’i dhënë përgjigje tetë kërkesave të panegociueshme. Ajo duket krejt e dorëzuar përballë kësaj situate. Protesta ka premisa për t’u shndërruar në një revoltë, që mund të dalë jashtë kontrollit dhe mund të rezultojë me pasoja të mëdha për vendin.
Për shkak të intolerancës dhe papërgjegjshmërisë së një “kryeministri në ikje”, situata mund të dalë jashtë kontrollit.
Numri i atyre që janë të zemëruar me qeverisjen e ‘Rilindjes’ po rritet nga dita në ditë dhe pritet, që t’i bashkohet zemërimit të studentëve, duke prodhuar kështu një magmë popullore. Rama duket si asnjëherë tjetër më parë, i vetmuar dhe i izoluar përballë kësaj situate.
Është e dukshme që Shqipëria po kalon një situatë të rëndë. Niveli i varfërisë është shumë i lartë. Me mijëra familje jetojnë në kushte mjerimi. Qytetet periferike kanë degraduar nga krimi dhe mosprania e shtetit. Ndarjet ideologjike sa vijnë edhe bëhen më të parëndësishme. Emigracioni masiv ka dëmtuar rëndë ekonominë dhe shoqërinë. Eliminimi i shtresës së mesme ka rrënuar ekuilibrat e brendshme të shoqërisë.
Ndërkohë “ashensori” shoqëror është bllokuar. Kjo gjë ka krijuar jo vetëm pakënaqësi, por edhe një intolerancë popullore. Këto dhe disa arsye të tjera janë shkëndijat që mund të ndezin një revoltë të përmasave të padëgjuara ndonjëherë.
Populli shqiptar është zgjuar dhe pritet të reagojë në mënyrën më të vendosur ndaj një qeverie tërësisht të dështuar. Një valë e madhe protestash pritet të paralizojnë edhe periferitë më të largëta të Shqipërisë.
Situata pritet të radikalizohet dhe më pas të shpërthejë për shkak të një nevoje edhe për një “tranzicion shoqëror”, i cili mbahet i bllokuar prej vitesh.
Në këtë situatë të krijuar, Rama është kryeministri më pak i përshtatshëm për rikthimin e situatës në normalitet, sepse tashmë ai konsiderohet bashkëfajtor për situatën e krijuar. Prej  gjashtë vjetësh në krye të qeverisë ai nuk ndërmori as një reformë për të përmirësuar këto probleme. Përkundrazi, reformat që ai ndërmori me bujë të madhe thjesht e përkeqësuan më shumë situatën e krijuar dhe e thelluan më tej krizën.
Rama e ka të pamundur të zgjidhë problemet e mëdha me të cilat përballet sot shoqëria shqiptare.
Nëse Rama nuk ikën, situata mund të precipitojë edhe në një rebelim, i cili më pas mund ta çojë vendin edhe drejt një konflikti civil.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here