Moto ime si profesor universiteti: Studentët kanë gjithmonë të drejtë! Pikë 

0
125

Nga Artan Fuga

 

Një rast për t’a përdorur për reformën e kuadrit financiar të arsimit universitar publik dhe më gjerë!

Paraprakisht dëshmoj se tarifa për provimet e mbartura nuk ka asnjë kuptim të ekzistojë meqë asaj nuk i korrespondon asnjë kosto shtesë nga ana e universiteteve. Pedagogu paguhet njësoj atë ditë pune si me si pa studentë në provime. Si mund të vihet një tarifë pagese për një shërbim që nuk ka asnjë kosto shtesë ?

Edhe në Mesjetë taksat viheshin por ndërkohë ishin pagesa indirekte për një shërbim shtesë që kishte koston e vet për ofruesin e tij ! Historianët e Mesjetës mund ta konfirmojnë këtë !

Nëse ajo tarifë është vendosur që t’i motivojë studentët që të mos mbesin në provime është përsëri problematike. Studenti mund të pretendojë që ne pedagogët mbesim studentët për vjeshtë sepse duam të shtojmë të ardhurat e universiteteve tona. Mund të dali ndonjë administrator madje të japi urdhër : Mbesni sa më shumë sepse kemi nevojë për të ardhura, përndryshe nuk ka rroga !

Eshtë një shtrat korruptiv!

Studenti që ka shumë provime të mbartura duhet skualifikuar jo të paguaj. Duke paguar ai e jep provimin sa herë të dojë !!! Ku vajti pastaj seleksionimi i vlerave të personit kur ato u blikan me lekë ? Shtrenjtë ose lirë ???

Unë kam pasur edhe e kam një moto të palëvizshme si profesor universiteti:

Studentët kanë gjithmonë të drejtë!  Pikë.
Edhe kur studentët nuk kanë të drejtë, ata kanë të drejtë! Pikë.

Se një hall të madh e kanë ata!
Hanë keq,
vishen keq,
kulturohen keq!

Punësohen keq!

Por këtu nuk dëshiroj t’u hyj halleve të mëdha studentore sepse ato mund të mbushin hone, që nga cilësia e studimeve dhe deri te propozimet butaforike të bashkisë të Tiranës që i thërret në punë vullnetare ndërkohë që u ka uzurpuar terrenet sportive për t’i bërë parkingje duke i nxjerrë ato nga destinacioni!

Ktheni terrenet e universitetit të Tiranës o pushtetarë e bashkiakë të Tiranës! Lërini lodrat mes jush!

Po, studentët paguajnë për studimet universitare sa frengu i punës!

Harwardi nuk është gjë me çmimet që ka !

Por zgjidhja e vërtetë sipas meje nuk gjendet fare te ministria !

Ministria, sipas meje, sot, duhet të heqi dorë nga caktimi ose zyrtarizimi me akte nënligjore dhe me vendime jashtë tregut të tarifave të rregjistrimeve dhe studimeve, nëse ato nuk hiqen fare nga ligja për një arsim falas, madje të heqi dorë edhe nga aprovimi formal i kuotave të pranimeve. Të vendosësh tavane do të thotë t’i ftosh universitet të kapin ato tavane, pra të shkojnë në kuota maksimale!

Ka fakultete në universitetet publike që u marrin lekët studentëve dhe në shkëmbim u japin një diplomë që nuk ka asnjë vlerë në treg!

Pra i diplomojnë për profesione të paqëna, ose të shuara!

Do të ishte sikur dikush të hapte një kurs për kuaj për karro që realizojnë shërbimin taksi Kamëz – Yzberisht! Ndërkohë që askush nuk e do këtë shërbim.

Ka plot profile studimesh që janë kështu!

Tarifat e studimit ose duhet të hiqen fare ose duhet të decentralizohen, pra konform ligjit, të përcaktohen nga vetë universitetet, dhe as të mos ndërhyjë administrata e shtetit në këtë pikë !

Kjo është zgjidhja!

Nuk ka rrezik ngritjeje të tyre sipas variantit të ndyrë liberalo-hajdut!

Sepse çdo ngritje do t’i shkatërronte vetë Universitetet që do të donin të bënin rrjepësin e studentëve !

Tarifa jo të kthyera në urdhëra administrativë nga shteti!

Aty, ne profesorët, do të shohim sesa na vlen lëkura!

Le t’i ngremë tarifat në qiell po na e mbajti dhe dhe do të shohim sesi do të na braktisin studentët! Do të mbesim si peshq pa ujë!

Le të mbajmë tarifa të larta pa cilësi mësimdhënieje dhe do të shohim si do t’i kemi auditoret bosh!

Do të mësojmë muret!

Le të mos përkojnë tarifat që paguajnë studentët me cilësinë e mësimdhënies dhe me realizimin e pritshmërive për punësim të studentëve dhe do të shohim si do të ngelim pa rroga, pa punë, pa studentë.

Lypsarë rrugëve!

Gara e lirë brenda universiteteve publike dhe brenda fakulteteve të të njejtit universitet, madje edhe midis departamenteve të të njejtit fakulutet, është mekanizmi që do të na detyronte të zbrisnim në çmime tarifash margjinale. Pra, as të vogla, as të mëdha, por të drejta, të kapëshme, të legjitimuara.

Modeli i arsimit të lartë publik duhet të heqi të gjitha skorrjet e modelit stalinist burokratik! Sot universiteti publik ka një modek kazerme, vertikal, burokratik dhe që çon në mosfunksionime financiare, shkencore, etj.

Brenda agjencive publike të arsimit të lartë me bazë departamentin duhet të vendoset, hajde mos e themi konkurrenca, por gara për fonde, studentë, cilësi. Jo ndarje buxhetesh në mënyrë mekanike, arithmetike, sipas parimit të pjestimit të tre kamjonave me shtatë bataliona!

Përndryshe administrimi universitar do t’i ngjajë për një kohë të gjatë administrimit të një burgu!

E sigurt që tarifat e shkollimit etj, do të kthehen në mekanizma zhvillimi nëse ato ekuilibrohen në mekanizmat që i përcaktojnë si ndeshje mes aktorëve !

Ato do të vendosen në mënyrë të drejtë vetëm nëse ne do të rrisim cilësinë e mësimdhënies dhe edukimit!

Pastaj të llogaritet ndihma sociale për të mos lenë askënd në baltë !

Pagat e pedagogëve duhet t’i realizojë fuqia publike. Por, jo pa kushte! Granti duhet të jetë në funksion të numrit të studentëve, dhe të kritereve të tjera që masin performancën dhe cilësinë e mësimdhënies sonë. Masin performancën e vërtetë dhe jo atë që masin agjencitë e sklerotizuara dhe përtace të sotme!

Me bordet administrative aktuale, qesharake, nuk administrohen universitetet. Janë qesharake!

Kështu :
a. pagat,
b. tarifat,
c. cilësia e mësimdhënies
d. Potenciali vendimmarrës i pedagogëve dhe studentëve do të hyjnë në ekuilibër!

Universitetet do të bëhen arena negociimesh demokratike dhe jo si janë sot vendimmarrjesh burokratike dhe vertikale. Do të vlerësohet profesori i zoti dhe puntor, jo servili parazit!

Studentët nuk dëshirojnë thjesht shpenzime të ulta për studimet, por mbi të gjitha shpenzime të drejta, pra në përputhje me cilësinë e mësimdhënies dhe të potencialit integrues të studimeve në tregun e punës.

– Decentralizim i tarifave, pra përgjegjësi e universiteteve për to !

– Të drejta studentore për përfaqësimin e tyre real dhe jo me kukulla në senate, dekanate, borde universitare! Vendimmarrja duhet të përfshijë realisht trupat studentore dhe jo thjesht ca individë që nuk dihet se zërin e kujt përçojnë ndonjëherë!

– Kondicionim i grantit publik për universitetet në funksion të numrit të studentëve dhe arritjes të parametrave të cilësisë të mësimdhënies dhe jo me kritere burokratike nga agjenci jo funksionale!

Kështu universiteti publik kur me tarifa të larta rrezikon të uli numrin e studentëve, ai do të ketë si pasojë uljen e grantit publik, pra rrezikon të ardhurat e tij në krahun tjetër.

Nëse redukton kostot e mësimdhënies në kurriz të cilësisë, atëhere do të ketë si pasojë reduktimin e të ardhurave nga granti publik sepse nuk do të kishte plotësuar parametrat e cilësisë!

Ky është ekulibri!

Nëse ky ekuilibër si mekanizëm rregullator bllokohet, si tani, atëhere shpenzimet për arsim do të shkojnë në stratosferë kurse niveli i mësimdhënies dhe vlerave e diplomave do të shkojnë në puse të thella nën nivelin e detit.

– Rishikim i mënyrës të funksionimit të bordeve qesharake të universiteteve publike! Pa funksion!

Ministria e arsimit ka shansin e madh që pakënaqësinë e studentëve, oh sa legjitime !!!, ta kthejë sot në një energji të madhe për modernizimin e sistemit financiar të universiteteve publike që sot është :

as mish as peshk!

Një simbiozë mes burokratizmit stalinist dhe gjoja tregut, por pa konkurrencë, pa matësa të cilësisë të produktit, pa të drejta të atyre që u propozohet produkti.

Ka vend për vendime emancipuese krejt të mundshme!

Studentët sot janë si dikur blerësit në MAPO-n e qytetit, në totalitarizëm, ku shitësi pasi të shihte me inat, ironi dhe përbuzje, t’a hidhte djathin e racionuar në surrat duke të thënë : “Na, ndaç merre ndaç lëre!”

Eshtë një rast për të emancipuar universitetet shqiptare!

Kemi shansin t’a bëjmë sot !

Sot mund të jetë një ditë e bukur që fillon një etapë të re administrimi !

Nuk duhet humbur ky rast!

Sinqerisht!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here