Prokuroria e Përgjithshme kërkon 197 punonjës shtesë për vitin 2019. Në Komisionin e Ligjeve është zhvilluar paraditen e sotme seanca dëgjimore me përfaqësuesin e prokurorisë së përgjithshme Abazi për buxhetin. Deputeti i PS, Bashkim Fino është shprehur kundër kërkesës së prokurorisë duke e cilësuar këtë shifër të frikshme.
“Kjo i bie si të ngresh nga e para institucionin e prokurorisë. Shifër e frikshme. Ministria e Financave ka shtuar 50. Por ne nuk dimë ne cfarë nivelesh do shkojnë stafet e rinj. Ku janë? Mua më duket absurde. Unë personalisht nuk do ta pranoja. Ka pasur 130 milionë lekë për investim, por ka shpenzuar vetëm 52. Jua heqim fare. Ja japim një njeriu që di të investojë më mirë”- u shpreh deputeti socialist Bashkim Fino.
Por, përfaqësuesi i prokurorisë ka sqaruar pozicionet ku planifikohet të vendosen punonjësit e rinj.
“Shtesa për 197 punonjës është mbi ligjin e ri të prokurorisë së përgjithshme. 30 i duam oficerë të policisë gjyqësore. 100 sekretarë pranë cdo prokurori. 5 specialistë për dekriminalizimin, 30 ekspertë të fushave të ndryshme sipas ligjit të ri. Investimet do ti kryejmë deri në fund të vitit. Nuk djegim asnjë qindarke”- deklaroi përfaqësuesi i prokurorisë.
Buxheti i Ministrisë së Brendshme
Seanca e parë e Komisionit të Ligjeve për kërkesat financiare të 2019-s, është shoqëruar me debate midis përfaqësuesve të Ministrisë së Brendshme dhe relatorit Bashkim Fino.
Zv/ministri i Brendshëm Julian Hodaj u shpreh në Komision se Ministria e Brendshme nuk ka kërkesa specifike dhe se buxheti garanton funksionim normal. Ndërsa Fino akuzoi Ministrinë e Brendshme se është mbrapa me investimet e 2018-s.
Fino tha më tutje se në rast se Ministria e Brendshme nuk ka marrë përsipër të planifikojë pagat e gardës, duhet ta ndërmarrë menjëherë, dhe se për të pasur një standard, sipas tij duhet bërë në mënyrë të menjëhershme një unifikim pagash. Sekretari i Përgjithshëm i MB-së, Dritan Palnikaj iu kundërpërgjigj relatorit duke thënë se Ministria e Brendshme i ka realizuar 100% fondet për investime, veçse ende nuk janë kryer transkasionet në thesar.
“Do t’i likujdojme brenda 20 dhjetorit”, deklaroi Palnikaj, duke shtuar se për pagat e gardës “MB ka një projekt për t’i unifikuar shërbimet me policinë dhe SHCBA-në”.