Studentët mbetës dhe ata ekselentë gëzojnë të njëjtat të drejta z. Kryeministër

0
292

Dr. Ndriçim Mehmeti 

Deklarata për të Drejta e Njeriut, Kushtetuta Amerikane., Magna Carta (Karta e Madhe e Lirive, Deklarata e Helsinkit e shumë dokumente të tjerë, u hartuan pikërisht për të mbrojtur nga padrejtësia, abuzivizmi, dëshira për hakmarrje, paligjshmëria, shtresat e pambrojtura ndaj pushtetit, pasi mbretin, kryeministrin, ministrin, deputetin e mbron vetë posti dhe privilegji që atyre jua japim ne.  Të drejta kishin madje edhe ata që kishin kryer një krim apo dyshoheshin se kishin kryer një krim. Këtyre të fundit nuk u mohohej e drejta për avokat , e një procesi të drejtë dhe të rregullt ligjor dhe prezumohej i pafajshëm deri në marrjen një vendimi të formës së prerë. E njëjta gjë është në të gjitha fushat dhe sektorët e jetës. Në një institucion drejtori i përgjithshëm nuk ka më shumë të drejta se specialisti, sanitarja po roja i derës e aq më pak se qytetari që kalon rastësisht në rrugë. Po kështu ndodh edhe në shkollë. Në shkollë është detyra jonë që t’i mësojmë nxënësit se të gjithë janë të barabartë pavarësisht statusit të tyre social, ekonomik, etnik apo fetar. Po ashtu të gjithë nxënësit janë njësoj të respektuar, kanë të drejtën të dëgjohen, për të gjitha shqetësimet e tyre, edhe nëse ato nuk janë të qenësishme, pavarësisht nëse janë të shkëlqyer, mesatar apo mbetës.

Po përse Kryeministrin e  shqetësojnë të thirrurat e një vajze edhe pse ajo mund të jetë mbetëse?

Sepse Kryeministri jonë nuk pranon ta kritikojnë, ta ndërpresin në paradën e tij virtuale të sukseseve, nuk dëshiron që askush të dali e të thotë të kundërtën, nuk dëshirojnë ta kritikojnë. Për fat të keq ai është kthyer një njeriun që i është mbushur mendja se ka gjithnjë të drejtë edhe kur e di vetë që nuk ka të drejtë dhe se ata që janë kundër tij ja kanë me hile, janë komplotistë, shpifës, të padenjë për shoqërinë, mbetës, pesanjozë, katranjoz e kështu me radhë. Po përse u shqetësua kaq shumë kryeministri nga thirrjes e një vajze dhe urdhëroi daljen e saj me shkelma jashtë? Sepse Kryeministri u vu në siklet të madh, që teksa shpjegonte plot qejf e arritjet e tij të “shkëlqyera”, në fushën e arsimit, një vajzë e panjohur por e pajisur me kuralë e guxim, ja prishi qejfin me thirrjet kundër politikave të tij. E si një fëmijë i llastuar që humbet toruan, kur dikush i thotë se jo gjithçka është e tij, e gjeti zgjidhjen: Nxirreni nga loja që të vazhdoj vetë e të fitoj pa kundërshtarë që më bezdisin ngado. Kryeministri ishte në hall të madh, saqë thirri live rojat për ta ndihmuar të dilte nga situata. Përkundër studentëve që marrin rrugët e botës, ideuesit e reformës së madhe të arsimit të partë që po i dalin të kapur me plagjiaturë, mbylljes së programeve të studimit të mësuesisë në Gjirokastër, Korçë, Shkodër, Kryeministri reklamoi si një risi të tijën personale dhe të qeverisë fakti që do japi 1000 USD dhe do të heq tarifën për nxënësit ekslelentë 9 e lart që do të zgjedhin programet e studimit në mësuesi. Por Kryeministri harroj të thoshte disa fakteve interesante që kanë të bëjnë pikërisht me punën e tij dhe vetëm të tijës:

  1. A janë rritur tarifat e studentëve të ciklit të parë dhe të dytë në Universitet?
  2. A janë zgjeruar kapacitetet e Institucioneve të Arsimit të Lartë në dobi të studentëve. Pra sa laboratorë, biblioteka, mjedise rekreative janë shtuar dhe financuar prej qeverisë deh MASR?
  3. Në sa studime për infrastrukturën, arkitekturën, zgjerimin dhe modernizmin e qyteteve, të ujësjellësve, studimeve mbi gjendjen sociale ka përfshirë IAL, qeveria e z. Rama?
  4. A u shpjegoj dot Rama, studentëve të mësuesisë, se përse qeveria e tij që i digjet aq shumë barku këtë profesion i la mësuesit pa shpërblim, pa rritje rroge, pa kontratë kolektive për një vit, pa kushte pune, pa lek transporti etj.

Pra vajza që thërriste, ekselent apo mbetëse, mesatare apo që po kalon në stazh, ka të drejtën e Zotit dhe të Njeriut të pyesë Kryeministrin e ky i fundit mos ta nxjerrë, jashtë sepse ju prish oreksi.

Po përse Kryeministri e ka kaq të lehtë të fyej, ofendoj, e të shtyp me fjalë e këmbë këdo që i del kundra?

Sepse gjindja që ai zgjedh (jo të gjithë, një pjesë) për fjalimet e tij, janë të dhunuar që në vegjëli, apo që po dhunohen në vijim. Të tjerë që zgërdhihen me shakatë e kripura të Duçes shqiptar, pjesa që mbeten kanë hall të promovohen, marrin tituj të përfitojnë ndonjë gjë të hajrit prej Madhërisë së tij, kështu që mbyllin gojën, struken e tërhiqen se mos i kap kamera, por përsëri bishti që u dridhet nga frika u del në pah. Ka edhe prej tyre që shohin veten tek Kryeministri, kërkojnë t’i ngjajnë e tij, të jenë një fotokopje e plotë e tij dhe të ndjekin hapat e tij në karrierën e tyre politike, akademike dhe familjare. Pra janë njësoj si ai. Bota akademike? Ky togfjalësh në Shqipëri merr shumë pak rëndësi, apo më saktë është specie në zhdukje. Akademikët i kanë ndryshuar në vetminë e tyre, disa prej tyre të pamundur për të folur (për arsye që mund t’i shpjegojnë më mirë ata), disa nuk e kanë kuptuar akoma që liria akademike është veçse në letër dhe të tjerë që nuk duan ta prishin fare me kryeministrinë radhës. Studentë? Këta të fundit as që nuk e kanë idenë se çdo të thotë solidaritet me të mirën kundër të keqes. Nuk ka rëndësi niveli i arritjeve akademike të secilit, por ka shumë rëndësi të qenit qytetar dhe në lartësinë e kësaj detyre. Të qeshurat e tyre vërtetuan të kundërtën. Nëse bëhej fjalë për një mbetëse, a mendojnë studentët e ekselencës (në parim elita e ardhme e vendit) që këta kanë të njëjta të drejta me ta? Si do t’i trajtojnë këta studentë ekselentë sot, nesër, njerëzit me arsim të ulët, vunerabël, me arritje të dobëta në shkollë? Thjesht do t’i marrin për leckash e t’i nxjerrin nga zyra, klasa, auditori, shtrati i të sëmurit, apo do t’i përgjigjen me respekt e durim çdo ankese të tyre? Nëse ndjekin dhe aprovojnë pa mëdyshje shembullin e Kryeministrit, atëherë shoqëria jonë është në hall të madh. Përveç kaosit që ka përfshirë, arsimin ne zbuluam jo rastësisht se edhe të rinjtë e ardhmja që ne pretendojmë se do të na çojë përpara dhe do të jetë ndryshe nga ne, e ka më të lehtë të bëhet njësh me pushtetin, në këtë rast të përfaqësuar nga kreu i më i lartë i tij kryeministri, sesa të mbaj një qëndrim ndryshe, qoftë edhe i gabuar qoftë ky. Guximi është ajo që duhet të ngrihesh dhe të flasësh. Guximi është gjithashtu ajo që duhet të ulesh dhe të dëgjosh”.

As studentët dhe as pedagogët nuk u çuan të flasin. Ndërkaq kryeministri (si përherë) jo vetëm që nuk u ul e të kishte durimin të dëgjonte, por e sikterisi përmes rojeve të tij vajzën jashtë mureve të aulës së kënaqësisë së tij. Në këtë pikë rrugë të mbarë ekselentëve, që kënaqen me fyerjet e kryeministrit ndaj koleges së tyre dhe punë të mbarë akademikëve që do të kenë të bëjnë me njerëz të nënshtruar, ose siç i quajti me plot të drejtë ambasadori Lu në zhargonin tonë popullor, me dele dhe jo studentë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here