Analisti Fatos Lubonja ka folur në lidhje mega-operacionin që u shtri në 12 qarqe të vendit. Gjatë fjalës së tij, ai ka theksuar se në sajë të kësaj dosjeje një figurë tjetër e PS-së mund të ketë fatin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahirit.
Ai tha se disa mendojnë se personi me këtë nofkë është kryebashkiaku Vangjush Dako, apo një punonjës administrate që bashkëpunon me krimin për punësime.
Gjithashtu Lubonja u shpreh se edhe këtë herë, siç ndodhi në rastin ‘Tahiri’, ndërkombëtarët ‘kapën me presh ndër duar prokurorinë shqiptare’.
“Nga mënyra se si flasin ata duket se e kanë dokumentin, por se thonë (opozita për akuzat ndaj Dakos). Unë di që aty ka një ‘xhuxhi’ dua ta di se kush është ai, pasi ai po bashkëpunon me kriminelë. Njerëzit e dinë se s’kanë nevojë për këto dosje. Të gjithë i dinë ato pronat se ku i kanë. Mjafton të shohësh se nga i bënë këto prona, këto hotele dhe të mendosh se nga i gjetën paratë. Gjykimi im është se siç ishte dhe rasti ‘Tahiri’ këtu kemi të bëjmë me kapje me presh në duart nga ndërkombëtarët. Kur kapesh me presh në duart, duhet të lehtësohesh këto që ke bërë. Ndaj lehtësimi është. Arrestimi i peshqve të vegjël dhe lënia e të mëdhenjve jashtë”, theksoi Lubonja.