Presidenti flet për ngërçin e reformës në drejtësi: Çdo polarizim sjell dëme të mëdha..

0
127

Presidenti Ilir Meta, i ftuar në emisionin “5 Pyetjet nga Babaramo foli gjithashtu mbi ecurine e reformes ne drejtesi.

 

Zoti President, që prej gati dy javësh opinioni publik shikon se si dy individë me të kaluar të dyshimtë po i bëjnë publikisht ankand kryeministrit dhe shefit të opozitës, se kush ofron më shumë për ta. Si dilet nga kjo situatë e pakëndshme?
E theksoj, është e domosdoshme të kemi një qasje më transparente nga ana e qeverisë dhe një qasje më racionale nga ana e opozitës, që do të thotë se, në rast se nga ana e qeverisë do të ketë reagime më të shpejta në rastet kur ka shqetësime, kur ka denoncime nga qytetarët, kur ka ngjarje kriminale, pra që del dikush përpara përgjegjësisë në kohën e duhur, atëherë lihet më pak hapësirë edhe për opozitën apo për opinionin dyshues sepse, në fund fare, jemi në demokraci publike për të ngritur akuza ndaj qeverisë, ndaj institucioneve apo ndaj segmenteve të caktuara. Dhe së dyti, është tepër e rëndësishme që edhe opozita të jetë racionale, që do të thotë që në nismat e saj apo në denoncimet e saj të jetë sa më e mirëfaktuar, me qëllim goditjen e këtyre fenomeneve, parandalimin e tyre dhe jo thjesht zgjedhjen e tyre si mënyrë për të dëmtuar qeverinë apo institucionet, te të cilat ajo nuk ka besim.

Opozita akuzon Prokurorinë se po bëhet palë në këto hetime për të cilat sapo ju pyeta. A është e besueshme Arta Marku si Prokurore e Përgjithshme, për ju?
Këto çështje që ju ngritët janë në hetim. Ne kemi kërkuar nga ana jonë sqarimet tona në drejtim edhe të Prokurorisë, edhe të institucioneve të tjera, sipas rastit, prej kohësh dhe në vazhdimësi për të krijuar një bindje më të plotë dhe një informacion më gjithëpërfshirës rreth këtyre fenomeneve apo rreth këtyre ngjarjeve. Këto janë çështje në proces dhe shpresojmë që edhe Prokuroria, edhe Policia e Shtetit, edhe institucionet e tjera të cilat janë të përfshira në hetimin e këtyre çështjeve, të mos kenë asnjë ndikim politik dhe të japin vendime të drejta dhe transparente, cilado qoftë kostoja e tyre, pavarësisht se kush mund të preket apo mund të cenohet sepse kjo, mendoj, do të rriste kredibilitetin e këtyre institucioneve dhe, së dyti, do të jepte mesazhe tepër pozitive për qytetarët, për funksionimin e shtetit ligjor dhe njëkohësisht edhe mesazhe të qarta për të gjithë ata persona politikë apo pranë politikës, të cilët dëshirojnë të kenë një pozicion të privilegjuar në raport me ligjin.

Kur do të ketë Shqipëria një Prokurore ose një Prokuror të Përgjithshëm të zgjedhur sipas ndryshimeve kushtetuese, jo të përkohshëm, se shumica qeverisëse na garantoi kur u votua në Parlament në dhjetor të vitit të kaluar që kjo prokurore do të ishte vetëm për 1-2 muaj, ndërkohë që po mbush muajin e dhjetë.
Kemi disa elementë të rëndësishëm të reformës në drejtësi, të zbatimit të saj dhe të krijimit të institucioneve të reja, ku mungesa e çdo institucioni me parashkime në ndryshimet kushtetuese është problematike dhe padyshim, më problematik është fakti që nuk kemi Gjykatë Kushtetuese funksionale sepse një vend që nuk ka një Gjykatë Kushtetuese funksionale, pothuajse zëre se nuk ka as Kushtetutë, në kuptimin e garancisë së zbatimit dhe të respektimit të të drejtave kushtetuese, ashtu sikurse janë edhe çështjet e tjera të krijimit të KLP-së, të krijimit të KLGj-së. Çështje tjetër akoma më emergjente në drejtim të kohës që duhej të ishte krijuar që prej dy vitesh të KED-së, Komisioni i Emërimeve në Drejtësi, e cila ka të bëjë edhe me Gjykatën Kushtetuese, ka të bëjë edhe me Inspektorin e Përgjithshëm të Drejtësisë. Por, natyrisht, shpresojmë që të ketë një ndërgjegjësim të të gjithë aktorëve të përfshirë për realizimin dhe zbatimin e kësaj reforme, për të kontribuar për një zgjidhje sa më të shpejtë, sa më transparente dhe plotësisht kushtetuese në krijimin e të gjitha këtyre institucioneve. Unë si President, mund të them që kam qenë, jam dhe mbetem gjithnjë i hapur për të përmbushur me transparencën maksimale të gjitha detyrimet e mia kushtetuese apo institucionale dhe të jap kontributin tim gjithnjë të përgjegjshëm, të drejtë dhe transparent, vetëm në interes të forcimit të shtetit ligjor dhe të pavarësisë së këtyre institucioneve në vendin tonë.

Nga optika e Kryetarit të Shtetit, ku është bllokuar ecja përpara e reformës në drejtësi, sepse ju thatë që jemi pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë. Gjithashtu procesi i Vetting-ut ka krijuar një …. Çfarë duhet të lëvizë, çfarë duhet të ndryshojë?
Nuk jam këtu për të bërë një skaner të përgjegjësive. Ajo që dua të them është që duhet një angazhim i përbashkët i Parlamentit si institucioni kryesor i cili edhe e ka miratuar këtë reformë, si për sa u takon ndryshimeve kushtetuese të cilat janë kryesore dhe për sa i takon legjislacionit mbështetës dhe partnerëve kryesorë ndërkombëtarë, që kanë dalë si garantë të ecurisë dhe të suksesit të kësaj reforme. Por, mendoj që kërkon një dialog tepër të sinqertë dhe të përgjegjshëm që kjo reformë të zbatohet sa më shpejt, dhe së dyti, këto institucione të reja të krijohen sa më shpejt, në mënyrë kushtetuese dhe të pakontestueshme.

Ju thatë që kjo reformë në drejtësi ka pasur dhe garantë, që të gjithë e dimë se janë Ambasadori i ShBA-ve dhe Ambasadorja e BE-së.
Është e vërtetë sepse për sa i takon mosbesimit të brendshëm dihet që ky mosbesim ka qenë i thellë dhe i tillë do të ishte në kuptimin e dyshimit të njërës palë se pala tjetër kërkon të kapë sistemin.

Ju keni konstatuar tendenca për të kapur politikisht strukturat drejtuese të drejtësisë? Për hir të së vërtetës, që nga viti 1991, megjithëse dolëm në pluralizëm, organet drejtuese të drejtësisë kanë qenë edhe në një lloj varësie politike.
Unë besoj se çdo polarizim, edhe i reformës në drejtësi, është vetëm një dëm i madh që i bëhet rikthimit të besimit të qytetarëve te drejtësia dhe tek institucionet e pavarura të saj. Dhe mendoj që kjo është një reformë që mund të jetë e suksesshme duke u zbatuar vetëm në frymën e ndryshimeve kushtetuese, të cilat kishin bazë të tyre opinionin e Venecias, një institucion i gjithëpranuar nga të gjitha forcat politike shqiptare në këto gati tri dekada dhe, së dyti, ajo që dëshiroj të theksoj është se, është një moment tepër i rëndësishëm që reforma të bazohet në dy elementë, në kushtetutshmëri dhe në transparencë për sa i takon zbatimit të saj dhe çdo hapi të saj, që të mos ketë hapësirë as për mjegull as për dyshime as për kontestime.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here