Ndriçim Mehmeti: Plani i ri dyvjeçar do të na sjellë begatinë

0
291

Dr. Ndriçim Mehmeti

 

Kjo është fraza e duhur për shumë e shumë deklarata të kësaj, nisma, çjerrje e bërritje të kësaj qeverie. Mund të shkruhej ky artikull nga kushdo dhe në çdo kohë. Por vendosa se ndoshta tani është çasti më i mirë. Pikërisht tani që vetë Ditmir Bushati, na e shpalli 2018-2019, një vit transformues vitin që ai dhe kryeministri në gjuhë kontemporane e quajnë viti “screening process”. Ditmiri na bëri me dije se ky do të jetë viti i transformimeve të mëdha, të panjohura e dëgjuara ndonjëherë e që padyshim, ndodhin për herë të parë jo vetëm këtu, por në Ballkan, Gadishullin Arabik, Gjirin Persik e më tej.

Çdo të ndodhë që tani e deri në fund të 2019, do të thoni ju?

Do të bënen çudira të mëdha që populli i kap e përthith menjëherë, si “makaron i zier”, siç i thonë fjalës. Citoj z. Bushati: “Përmes këtij procesi transformues, jo vetëm në kuptimin ligjor e institucional por edhe ekonomik e shoqëror, vendi hyn në një rrugë të pakthyeshme ku dallimi mes “kombëtares” dhe “europiane” fillon e fashitet, duke normuar kësisoj sjelljen dhe veprimtarinë institucionale në përputhje me acquis e BE.” Shumë e qartë për popullatën është termi acquis “Ne e konceptojmë këtë proces të dyanshëm ku shpjegimi i gamës së detyrimeve që burojnë nga kapitujt e acquis dhe angazhimet e pritshme të vendit tonë, do të shoqërohen me ofrimin e ekspertizës së BE-së.” Pra shkurt muhabeti na ka ngel mesi dhe ana dhe menjëherë do të arrijmë në BE. Nuk ka asnjë dyshim që kjo do të ndodh në qershor, pavarësisht se në cilin vit, 2019 apo më tutje se kaq. Ne nuk kemi asnjë dyshim që do t’ia mbërrijmë qëllimit. Ka dy rrugë. Njëra është të kuptojmë se çfarë është hapja e negociatave (gjë që pak veta e dinë dhe shumë të tjerë bëjnë sikur e dinë) dhe tjetra rrugë që e kemi zgjedhur me dëshirë, është të shesin m dokrra e pallavra, kujtdo që na vjen nga jashtë dhe shikon me syzat e qeverisë përparimin e madh që ka bërë vendi. Ne na mbetet shumë pak për të bërë. Një dreq “proces screening” që është rutinë. “Bukë e djathë” me demek për qeverinë dhe popullin tonë.

Cilat janë rrugët, instrumentet, mënyrat për të qenë gati?

Fare të thjeshta: burime njerëzore të përgatitura për procesin, forcimi i ligjit dhe zbatimi i tij, luftë kundër korrupsionit, trafiqeve, krimit të organizuar, përafrimi i legjislacionit vendas me atë të BE-së. Ku jemi me këto detyrime. “Ku thërret kiameti”, nëse përdorim një shprehje të popullit. Burimet njerëzore, dihet fare mirë sesi janë rekrutuar dhe sa të afta janë për “screening porcess”. Ministritë janë mbushur me militantë që kanë 5 vjet që nuk e ndezin kompjuterin. Aftësitë e tyre profesionale po ashtu kanë mangësi të theksuara. Po megjithatë ka kohë një vit që të marrin veten e të dalin me “faqe të bardhë” e me flokë e mjekër të thinjur të Bushatit nga procesi e flokë pakrehur të shefes evropiane. Pale në luftën kundër krimit të organizuar sa kemi përparuar. Çdo ditë digjet një makinë, vihet eksploziv në dyqane, vidhen biznese, vetëvriten punonjës të shtetit me armën e shtetit, në mjediset e shtetit, etj. Gardianët e ligjit për ruajtën e shtetit, janë të zhytur kokë e këmbë në bashkëpunim të ngushtë me shkelësit e ligjit. Kriminelët e kanë gjetur Shqipërinë si një oaz ku mund të rish i qetë, të shtosh pronat e pasurinë dhe mund të ndëshkohesh, vetëm po u kujtua FBI, DEA dhe Interpoli. Përndryshe bëj qejf se nuk ta kush ngenë dhe nuk ja mban të merret me ty. Në luftën kundër drogës, po ashtu jemi për të lavdëruar. Furnizimi i Italisë është i pandalshëm. Plani është realizuar e tejkaluar. Ulërimat dhe thirrjet për klanet dhe familjet mafioze, u tretën si kripa në ujë, pasi vetë qeveria është pjesë e tyre. Vëllai i një prej hierakëve të lartë të Policisë së Shtetit është në arrest si i dyshuar në trafikimin e lëndëve narkotike, vëllai i Ministrit të Brendshëm, është grumbulluar me kombëtaren e Italisë, për një gabim të vogël, kur ishte i mitur 25 vjeç. Raportet e organeve ligj zbatuese të fqinjëve tregon një fluks gjithnjë e në rritje të drograve të forta, që vijnë nga përtej Azisë e qarkullojnë në Evropë përmes Shqipërisë. Edhe në trafiqet njerëzore nuk mbetemi mbrapa. Me qindra emigrantë nga Lindja e Mesme, përcillen me ceremoni prej kufirit grek në Shqipëri e më pas në Mal të Zi. Si popull dashamirës, ne nuk mund ta lemë mikun ën mes të rrugës.

Pra në këtë drejtim jemi plotësisht të kompletuar. Na mbetet përafrimi i legjislacionit.

Këtu e kemi treguar plotësisht veten në lartësinë e duhur. Ja p.sh., marrim rastin e ligjit të pronave. Njëherë betohemi se do ta zgjidhim këtë çështje njëherë e përgjithmonë, njëherë do të japim kompensim në lekë, pastaj në toka, pastaj i pezullojmë fare. Në fund u themi, ju takon një kostum për të marrë, po por qeveria të jep vetëm manshetën e këmishës, se kaq lek ka. Popull, i varfër ne na mirëkuptoni. Ama nëse ne duam të ndërtojmë një teatër një shkollë, adaptojmë pikërisht dhe ekzaktësisht ligjet e Evropit. Një kompani shfaq interes, ne i japim tokën publike, fitojmë një “teatër që nuk e ka askush në Evropë” dhe i marrtë të keqen edhe La Scala, punë e madhe ku shkon pjesa tjetër e tokës dhe çfarë bëhet me të. Po kështu edhe për të tjerat. Njësoj si në Evropë: Shkollat i ndërton privati përfiton shoqëria, ushqimin ën spitale privati, shiringat i dizinfekton privati, çdo shërbim dhe ilaç e gjen vetëm tek privati. Ky është modeli i shëtit social edhe në Bashkimin Evropian. Çdo gjë privatit dhe shteti nuk do t’ia dijë, veçse për xhepin e qeveritarëve të tij. Prandaj unë kam shumë besim, se më së pari përafrimin e legjislacionit do ta kemi gjënë më të thjeshtë. Tashëm traditën e kemi. Ligjet me PPP, i çojmë në Evropë dhe ajo do na thotë “aferim o trima të Shqipërisë”.

A mund të arrijmë që vitin tjetër të çelet negociatat?

Që në fillim të gjithë jemi gati me brohorit, Po. Përndryshe jemi armiq të popullit, partisë dhe integrimit. Nuk ka asnjë dyshim që qeveria do të “punoj” shumë por që “opozita fatkeqësi e këtij vendi, që nuk merr vesh nga integrimi, që nuk na lë të qeveris, që na shan e na bën pis, do të prishi planet”. Ne edhe mund të mos hapim negociata, por faji nuk është i qeverisë. Të gjitha këto e më tepër se kaq, do t’i dëgjojmë jo më larg se qershori i 2019, kur përgjigjja të jetë: Unfortunately no. me kaq thjeshtësi sa e kemi marrë këtë proces dhe eufori vështirë se do të kemi gjasa që të mbërrijmë atje ku duam. Vendi dhe populli nuk ka nevojë për propagandë boshe, apo fjalë pa bukë. Nuk ka asnjë dyshim që “procesi screening”, heqja dorë nga sovraniteti kombëtar për ta dorëzuar atë BE-së, përafrimi i legjislacionit me atë të BE-së, kuptohet aq mirë sa nuk ka ku të shkoj. Por që të thuash se ne i kemi kapacitete njerëzore gati për këtë proces, më duket më shumë se utopi. Si mund të bëhen burimet njerëzore gati për 1 vit ne i kemi. A jemi kaq të zot, sa të gjemë njerëzit e duhur e të aftë, t’i motivojmë, apo punë e madhe se administrata publike mund të punojë orë e pa orë se për të mirën e kombit e bëjnë. A do të bllokojmë për një vit shkaqet që e kanë bërë bregdetin italian si Tiranë-Durrës, për ngarkimin/shkarkimin e drogës dhe qenieve njerëzore? A do të mund t’i vemi fre krimit brenda vendit? A do të dënohet ndonjë si Beqja, Gjiknuri, Tahiri etj, për rrjepjen dhe zhvatjen që i kanë bërë këtij populli në ditën me diel dhe natën me hënë të plotë. “Po të bënin të gjitha mizat mjaltë, do të hanim edhe ne pa lek” thotë populli.  Po ja që për të bërë mjaltë duhen bletë e jo miza. Miza vetëm pas m…dhe vjen e të bezdis me orë e pa orë me pisllëkun e saj.  Prandaj unë besoj se kur shkruan Ditmiri ky është “viti i transformimit rrënjësor”, me shumë gjasë do të kemi të njëjtin sukses që pati “plani dyvjeçar që do të sillte begatinë Shqipërisë” në vitin 1948.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here