Brazili e mbyll në vendin e parë në grupin E. “Seleçao” ka fituar ndaj Serbisë 2-0 në duelin e zhvilluar në “Spartak Stadium”, një ndeshje të cilën nuk e rrezikuan për asnjë minutë. Brazili e nisi mjaft mirë ndeshjen, duke dhënë sinjalet e para me Neymar dhe Coutinhon. Pa kaluar as 10 minuta lojë, Marcelo kërkoi zëvendësim, pas një problemi muskulor që ndjeu, duke u zëvendësuar nga Felipe Luiz. Ylli i PSG hyn mjaft mirë në zonë në minutën e 25-të, por goditja e tij ndalet nga portieri Stojkovic. 4 minuta më pas Gabriel Jesus hyn mjaft mirë në zonë, por goditja e këtij ndalet në momentin e fundit nga mbrojtësit serb, që i mbyllin hapësirat. Presioni në zonën e serbisë shtohet, teksa në minutën e 36-të, erdhi dhe goli për Brazilin. Coutinho dha një pasim shumë të bukur në zonë për Paulinhon, i cili bën rolin e një sulmuesi, duke arritur që të mposhtë portierin Stojkovic.
Pas golit skuadra ballkanase përpiqet që të reagojë, por nuk arrin që të shfaqet asnjëherë rrezikshëm në potin e Alisson, i cili ishte një spektator në 45 minutat e para. Fillimi i pjesës së dytë është më i mirë për Serbinë, që i afrohet golit në minutën e 56-të, kur Miranda për pak sa nuk e devijon topin në portën e tij. Kundërpërgjigja e Brazilit është e menjëhershme me Neymar, i cili ndalet nga portieri serb pasi u vendos përballë tij. Në minutën e 60-të, Serbia kishte shansin e artë për të barazuar me Mitrovic pas një gabimi të portierit Alisson, por goditja e tij ndalet nga Thiago Silva në zonën e vogël. Në momentin më të vështirë, Brazili shënon edhe golin e dytë ndaj Serbisë.
Thiago Silva pas një goditje nga këndi të ekzekutuar nga Neymar, ka kërcyer mjaft mirë në shtyllën e parë, duke mposhtur portierin Stojkovic. “Seleçao” merr zemër, teksa pas dy minutash Felipe Luiz provoi me një goditje spektakolare nga një distancë e largët, por që u ndal nga portieri serb. Në minutat e fundit loja është e përgjumur, teksa Serbia humbet besimin për një përmbysje të mundshme. Në fundin e ndeshjes Neymar humbi një mundësi të mirë përballë Stojkovic. Pas kësaj fitoreje Brazili ngjitet në kuotën e 7 pikëve në grupin E, teksa në raundin tjetër do të përballet me Meksikën, më 2 korrik në orën 16:00.