Fundshekulli dhe “Dita e kobrës” sonë

0
183

Nga Feti ZENELI

Në librin “Jeta ime”, ish-Presidenti amerikan, Bill Klinton, midis kujtimeve pa fund, sjell edhe atë të një darke të organizuar së bashku me Hillarin gjatë “Fundjavës së Rilindjes”, ku kishin  ftuar “…Kreig Veneterin, biolog molekular, shoqëria e të cilit po bënte përpjekje për të përfunduar zhinxhirin e studimit njerëzor”. Kur e pyeti Kreigun: “… nëse ishte e mundur që bërja e hartës gjenetike t’u lejonte terroristëve të zhvillonin gjene sintetike, të riplanifikonin viruset ekzistuese ose të kombinonin linë me një tjetër virus vdekjeprurës për ta bërë edhe më të dëmshëm”, ai i rekomandoi të lexonte “… romanin e ri të Riçard Prestonit, “Dita e kobrës”, një roman policor, që tregon për orvajtjet e një shkençëtari të çmendur për të zvogëluar popullsinë e botës duke infektuar qytetin e Nju-Jorkut me një “brainpox”, një kombinim i virusit të lisë me atë të një insekti që shkatërron sistemin nervor”. M’u kujtua kjo histori teksa dëgjova për raportin më të fundit të Organizatë së Kombeve të Bashkuara, i cili duke iu referuar ritmeve aktuale të lindshmërisë, emigracionit dhe lëvizjes së qytetarëve shqiptarë parashikon, se në fund të shekullit të XXI, popullsia e vendit tonë mund të zbres nën një milion banorë, afërsisht aq sa ç’ka qënë para 100 vitesh. Siç dihet, statistikat e para zyrtare të regjistrimit të popullsisë shqiptare, i përkasin vitit 1923, periudhë në të cilën vendi ynë numëronte 823 mijë banorë. Pra, pas afro 80 vitesh, deri në fund të këtij shekulli, Departamenti i Popullsisë në OKB parashikon, që popullia e vendit tonë, përsa i përket numrit të saj, të kthehet 180 vite pas, aq sa ç’ka qënë një dekadë pas shpalljes së Pavarsisë së Shqipërisë ose 2 milionë banorë më pak se sa ishte në 1 janar të këtij viti.

Po mbushen gati tre dekada që shqiptarët po bëjnë poshtë e më poshtë në numër, edhe për faktin se ata po ikin nga vendi i tyre, për shkak të kombinimit politik të “lisë” emigratore me “virusin vdekjeprurës” të keqqeverisjes. Ajo që ka ndodhur në vitet e tranzicionit me popullsinë shqiptare, ku numri i saj është ulur ndjeshëm, nuk ka ndodhur as në dy dekadat e fundit të kohës së Luftës, ku ajo është shtuar me mbi 200 mijë vetë, ose me 37.8 për qind. Duke filluar nga vitet 90 e në vazhdim, emigracioni është konsideruar si një ndër elementët kryesorë për të përballuar jetesën e përditshme dhe siguruar të ardhmen, veçanërisht atë ekonomike; të individit, të familjes dhe të shoqërisë shqiptare. Rritja e faktorëve që i shtyjnë njerëzit të lënë vendin e tyre drejt një vendi tjetër, nuk kanë qënë vetëm paqartësitë që kanë sjellë krizat, por edhe dobësimi i faktorëve tërheqës, që rrjedhin nga kontraditat e shumfishta, eksperiencat individuale dhe nga rritja e madhe e pengesave drejt emigrimit dhe integrimit të emigrantëve. Në çdo rast motivet kryesore të emigracionit mbeten ato social-ekonomike, drejt një jete më të mire, por edhe për shkak të trazirave politike. Ndërsa resurset e brendëshme, jo të përdorura si duhen për momentin, do të ndikojnë tek plaga e emigracionit në vitet pasuese. Mjafton të kujtojmë se përgjatë kësaj periudhe kanë ikur rreth dy milionë shqiptarë, kryesisht drejt Greqisë dhe Italisë, një pjesë e mirë e të cilëve as nuk kanë ndërmend të kthehen më mbrapsht. Dhe kjo lloj hemoragjie e njerëzve, në vend që të vij duke u ndalur, paradoksalisht po shtohet gjithnjë e më shumë. Situata është kaq e rëndë, sa që po të ekzistonin mundësitë për të mos patur pengesa reale që të iknin, vendi mund të boshatisej nga shumica e moshave të reja, brenda një kohe mjaft të shkurtër. Një sondazh i Fondacionit gjerman Fridrih Ebert ka zbuluar kohët e fundit faktin, se rreth 60 për qind e të rinjve tanë duan të ikin nga Shqipëria. Popullsia shqiptare ka pësuar ndryshime të thella gjatë 28 viteve të fundit për shkak të procesit të tranzicionit drejt demokratizimit të strukturave politike dhe ekonomike. Ky proces u vu re gjatë periudhës së trazirave politike dhe ekonomike, të cilat nxitën shumë të rinj shqiptarë të linin vendin e tyre drejtë një jete më të mirë. Natyrisht, dëshira për të ikur nuk është e re; pra nuk i përket vetëm periudhës së tranzicionit, por ç’ka të lë një shije të keqe në këtë drejtim lidhet me faktin se kjo dëshirë po bëhet gjithnjë e më e ethëshme, pavarsisht kalimit të viteve, kur realisht duhej të ndodhte e kundërta. Mjafton të kujtojmë se vetëm në 4-5 vitet e fundit, përveç mijëra shqiptarëve që po dyndën për azil politik në vendet europiane, me mijëra të tjerë po zgjedhin mundësinë e aplikimit nëpërmjet Llotarisë Amerikane për të shprehur indirekt dëshirën e largimit nga Shqipëria. Nga ana tjetër, emigrantët e fillimviteve ’90 po përpiqen të fitojnë shtetësinë e vendeve ku punojnë e jetojnë. Konkretisht në Italinë fqinje, për shembull, janë bërë shtetas italianë rreth 22 mijë emigrantë shqiptarë. Ndërsa në Greqi janë legalizuar më shmë se 100 mijë emigrantë. E njëjta gjë po ndodh edhe në vendet e tjera të Bashkimit Europian si në Gjermani, Angli dhe kudo ku kanë emigruar shqiptarët. Dikur, në vitet e monizmit ne krenoheshim me këtë tregues, të cilin, përveç të tjerash e arrinim edhe duke luftuar “dhëmbë për dhëmb” me teoritë maltusiane të planifikimit familjar. Kështu që pavarsisht disa gjërave negative që kishte ai sistem politik, rritja demokrafike e popullsisë përfshihej në grupin e gjërave të mira të tij. Në saj të politikave nxitëse e stimuluese në këtë drejtim, gjatë viteve të monizmit, popullsia e vendit tonë u katërfishua në numër, duke u shtuar me afro 3 milionë banorë. Kështu që për 45 vjetë me radhë, deri në fund të viteve ’80, popullisa shqiptare është shtuar për çdo vit me rreth 67 000 vetë. E shprehur në një formë tjetër, kjo shifër tregon, se në periudhën e monizmit, çdo vit shtohej një qytet i tërë me njerëz; madje një qytet i nivelit mesatar, fjala vjen, aq sa ç’ishte popullsia e Lushnjës në atë kohë. Por ajo që duhet theksuar më tej lidhet me faktin se kishim të bënim me një popullsi energjike, nga më të rejat në moshë mesatare, krahasuar me vendet e tjera të kontinentit europian. Po sot, ç’po ndodh me rritjen demografike të popullsisë së vendit tonë? Popullsia e Shqipërisë u tkurr me 0.2 për qind, ose 14 mijë e 900 banorë në vitin 2017. Në tkurrjen e popullsisë duket se “kontributin më të madh” e ka shtesa natyrore, ose numri i banorëve që mbetet nga raporti lindje-vdekje, ku për vitin e kaluar kjo shifër ishte 8 637 banorë, duke pësuar një rënie me 16.5 për qind. Nga ana tjetër, të zë trishtimi kur njihesh me treguesin mesatar të lindshmërisë, që përbën “fabrikën” e shtimit të popullsisë së një vendi, i cili sipas statistikave zyrtare  më të fundit është rreth 1.5 për qind për çdo çift bashkëshortor në Shqipëri. Kjo shifër tregon se popullsia e vendit tonë po zvogëlohet ndjeshëm, pasi me treguesin e lindshmërisë prej 1.5 fëmijë, nuk arrihet të sigurohet as riprodhimi i çiftit, që minimalisht kërkon dy fëmijë. Përtej këtyre statistikave pesimiste, situata është akoma dhe më e rëndë, për shkak të emigrimit të moshës së re dhe mbetjes këtu të moshave më të vjetra. Përveç rrudhjes në numër të popullsisë, do të regjistrohet edhe një përkeqësim i ndjeshëm i vitalitetit të saj, ku rreth 546 mijë persona do të jenë mbi 60 vjeç, ç’ka do të reflektojë edhe një nivel të ulët të numrit të lindjeve.

Dëshira për ikje apo arrati ka ekzistuar edhe në kohën e monizmit, por atëherë mundësitë konkrete ishin “zero”, përveç rasteve kur dikush kishte vendosur ta shkëmbete ikjen jashtë vendit edhe me jetën e tij apo, thënë ndryshe, me ikjen në “botën tjetër”. Shumë të rrallë kanë qënë ata që kanë mundur t’i mbijetojnë arratisë në kohën e komunizmit enverian. Ndërsa në periudhën e pluralizmit, dëshira për të ikur erdhi së bashku me mundësitë që krijoi lëvizja e lirë e njerëzve. Në këto kushte politikanët e kohës së sotme nuk kanë asnjë mjet tjetër për ta ndalur këtë rrjedhë, përveç se të zhvillojnë ekonominë dhe të rrisin mirëqënien e popullatës. Po kur një publicist i njohur dhe një aset i veçant i jetës publike në Shqipëri bënte para disa kohësh thirrje, për të ikur “nga sytë këmbët”, kuptohet që situata social-ekonomike e qytetarëve tanë ka ardhur duke u përkeqësuar edhe më shumë se sa ka qënë më parë. Banka Botërore deklaron, se gati gjysmën e popullsisë së vendit jeton me 2 deri në 5 dollarë në ditë, si askush tjetër në rajonin e Ballkanit. Tregues të tillë, ku 30 për qind e familjeve shqiptare nuk sigurojnë dot bukën e fëmijëve apo ku 39 për qind e tyre nuk paguajnë dot faturën e dritave dhe ujit janë pjesë e statistikave për vendet më të varfëra të botës. Kjo është tragjike, pasi në një kohë, që duhej të rikuperoheshin firot demokrafike për shkak të largimit masiv të shqiptarëve në vitet e para të tranzicionit, duke krijuar kushtet social-ekonomike për  kthimin e tyre në atdhe, po krijohet një situatë e tillë, e cila po i bën të pendohen dhe ata që zgjodhën të mos iknin së bashku me të tjerët, apo nuk i kishin mundësitë të iknin më parë. Dhe për të ilustruar këtë që sapo thamë mjafton të citojmë diçka të lexuar para pak ditësh në shtypin e shkruar: “Javën që shkoi, një grua e sapofutur në të dyzetat, poete, me doktoraturë, e lexuar, me interesa, një njeri që megjithë mend mund të konsiderohet si e elitës së shoqërisë, ma tha me drojën e pothuajse një sekreti, se kish kaluar ca javë në një vend në skaj të Europës Veriore. Do t’i lija të gjitha këtu për një vend si pastruese hoteli atje …”. Ky fakt tregon, se kur jetesa është bërë e pamundur për intelektualë të këtij formati, merren me mend vëshitësitë e panumërta, me të cilën përballen njerëzit e zakonshëm nga qyteti apo fshati anë e mbanë Shqipërisë. Dëshira e njerëzve për të ikur nga atdheu i tyre dhe azilkërkimi në rritje i qytetarëve tanë, ndërkohë që Shqipëria është në prag të çeljes së negociatave, si një ndër vendet kandidate për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, pasqyron një realitet krize të rëndë. Rënia e ndjeshme e numrit të popullisë shqiptare si rezultat i pakësimit të lindshmërisë dhe tendencës së kërkimit dhe fitimit të shtetësisë nga emigrantët tanë, përbën një ndër problemet më shqetësuese të kohës së sotme. Natyrisht, në këtë rast, nuk është shumë e rëndësishme, se kush konstaton këto të vërteta të dhimbshme, por më e rëndësishme se çdo gjë, mendoj se është gjetja rrugëzgjidhjeve për përballimin realist të problematikës së krijuar nga  qeverisjet e njëpasnjëshme të tranzicionit, të cilat gjithënjë janë përpjekur ta fshehin gjithnjë realitetin. Pa përgjegjësi nuk kanë qënë as opozitat e radhës, që misionin e saj demokratik për ofertën e duhur politike të ndryshimit të situatës e kanë zëvëndësuar me pritjen për të menaxhuar pakënaqësitë në rritje të publikut, si alternativë pushteti. Po kështu, drejt interesave të ngushta private i kanë zgjatur duartë edhe media, shoqëria civile, biznesi deri dhe tek çdo individ i thjeshtë. Në fund të fundit, rënia drastike e numrit të popullsisë shqiptare, është një tregues, ku askush nuk mund t’i dredhoj përgjegjësisë, pavarësisht se pjesa më e madhe e kësaj përgjegjësie i takon qeverisë, e cila mendjen e ka tek mbajtja me çdo kusht e pushtetit. Nga ana tjetër, rënia e popullisë merr me vete edhe rritjen e ekonomisë, për rrjedhoj gjithë treguesit e mirëqënies qytetare. Ekspertët më në zë të fushës së ekonomisë, duke filluar nga Ruschir Sharma, autori i librit “Ngritja dhe Rënia e Kombeve”, nuk na japin qoftë edhe një rast të vetëm, ku rritja ekonomike të ketë vazhduar me ritme të larta për një periudhë të gjatë kohë, qoftë edhe brenda një mandati qeverisës, pa plotësuar kushtin e rritjes demografike me rreth 3 për qind në vit, aq sa ç’e ka patur Shqipëria këtë tregues nga fillimi i viteve ’60 deri në fund fund të periudhës së monizmit. Është kjo arsyeja që Komisioni Europian, një vit pas pranimit në BE të 10 vendeve ish-komuniste të Europës Qëndrore dhe Lindore nënvizonte: “Në histori nuk kemi parë rritje ekonomike pa rritje të popullsisë”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here