KULLURI: Pse Basha është kthyer në mëkëmbësin e Ramës në krye të Partisë?

0
56

Anëtar i Këshillit

 

Kulluri: PD-në po e drejtojnë zgjatimet e Rilindjes. Pse Basha është kthyer në mëkëmbësin e Ramës në krye të Partisë.

 

“Si shpjegohet që PD nuk ka dërguar në KQZ një ankesë për këto megavjedhje që pretendohetz. Basha?

Si ka mundësi nuk i është dërguar OSBE-së një fije letër?”

 

Anëtari i Këshillit së Partisë Demokratike dhe Këshillit Kombëtar, Edvin Kulluri, në një intervistë për “Standard”, bëri një retrospektivë në vitin 2017, atëherë kur Kulluri, së bashku me figura të tjera të rëndësishme të PD-së, kritikuan hapur kreun e kësaj partie, Lulzim Basha. Kulluri sqaroi rrethanat që çuan në këtë qëndrim i cili, me gjasë, nuk pritet të ndryshojë aspak, është më i hershëm se sa ajo e paszgjedhjeve të 25 qershorit, duke theksuar se ka qenë Jozefina Topalli ajo e cila që nga viti 2014, në çdo mbledhje brenda mureve të selisë blu, ka mbajtur qëndrim kritik ndaj mënyrës se si kreu po e drejtonte partinë. Statutin e ri të miratuar në Kuvendin Kombëtar më 29 prill, anëtari i Këshillit së PD-së, i cili veçse ishte pjesëmarrës, pati propozimet dhe qëndrimin e tij, e cilësoi si një gënjeshtër të madhe. Për të, Basha ka monopolizuar Partinë, duke e përdorur atë në interes të politikave personale. Kulluri foli po ashtu për dy tradhëti të mëdha që sipas tij kreu aktual i PD-së i bëri demokratëve, ku dominon ajo e marrëveshjes së 17 majit me kryeministrin Rama. Këtë marrëveshje, anëtari i kryesisë së PD-së do ta quante një marrëveshje personale, pasi nuk kishte asnjë dëshmitar. Ndërkohë, ish-lideri i partisë Demokratike, shpeshherë ka përçuar mesazhe lidhur me situatën në PD-sidomos për përçarjen e krijuar. Për këto  mesazhe, Kulluri tha se Berisha ka një detyrë të vështirë, por gjithsesi nuk ka në detyrë të bashkojë PD-së, apo të mbajë një qëndrim të domosdoshëm në “debatin” e krijuar brenda partisë më të madhe opozitare. Ajo çfarë është pikëpyetje e madhe për Kullurin, por edhe për të gjithë kritikët dhe të zhgënjyerit e Bashës, është fakti se pse opozita nuk po bëhet siç duhet, duke ndërprerë të gjitha aksionet e nisura. Përveç kësaj, një tjetër pikëpyetje e Kullurit është mungesa e shkresave zyrtare nga PD-ja e cila ka folur për kaq shumë shkelje, drejtuar KQZ-së apo institucioneve më të rëndësishme si OSBE dhe BE. Përsa i përket lobimit të Bashës në Gjermani në kuadër të çeljes së negociatave, kritiku i tij Edvin Kulluri, e shikon si një përfaqësi të qeverisë, pra në vend të Ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati. Me këtë shprehje, Kulluri i mëshon edhe njëherë faktit se këmi të bëjmë me një marrëveshje Rama-Basha, e cila e ka kthyer Partinë Demokratike dhe kreun e saj në një “kambalec” të kryeministrit Rama. Në fund, Kulluri foli edhe për çështjet “skandal” të muajve dhe ditëve të fundit, siç janë dy ministrat e Brendshëm, pasardhës të njëri-tjetrit, të cilët akuzohen tërthorazi dhe drejtpërdrejt për bashkëpunim me bandat kriminale dhe shkelje të hapur të ligjit. Për sistemin e  Drejtësisë, Kulluri theksoi se është në një kolaps, madje, e pershkroi situatën e krijuar në vend, situatë të jashtëzakonshme.

 

Intervistoi Aida Topalli

 

Le ta nisim me qëndrimin kritik të mbajtur hapur nga ju, ndaj kryetarit të PD, z.Basha. Nga se lindi ky qëndrim?

 

Qëndrimi që njerëzit kritikë të partisë Demokratike, qoftë anëtarë të Kryesisë, qoftë të Këshillit Kombëtar, ish-deputetë dhe shumë drejtues të fushatave në katëvjeçarin e fundit, flasim nga viti 2013 deri 2017, kanë mbajtur ndaj zotit Basha dhe ndaj mënyrës si është drejtuar Partia Demokratike, ka qenë dhe është një qëndrim thelbësisht parimor. Kanë qenë shumë shkaqe: Së pari duhet të themi që shumë nga kritikat që ne kemi bërë, i janë thënë në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe kryetarit të partisë por edhe në mbledhje të rëndësishme të Grupit Parlamentar apo edhe Kryesisë së PD. Janë kritika të thëna fillimisht brenda mureve të partisë, pastaj edhe publikisht. Së dyti, duhet theksuar se problematikat që janë krijuar gjatë drejtimit të z. Basha nuk fillojnë as me listat, as me marrëveshjen e 17 majit, as me atë fushatë krejtësisht të pa vend dhe të gabuar, e drejtuar që në gjenezë nga vetë z. Basha. Kujtoj se kritikat brenda Partisë kanë filluar që në vitin 2014, ku znj.Topalli ka qenë ajo që ka folur në çdo mbledhje të Grupit Parlamentar për mënyrën se si po drejtohet Partia Demokratike. Përjashtimi i të gjitha elitave të partisë në nivel lokal në zgjedhjet e 2015-ës,  udhëzimet e famshme të asaj kohe dhe në vazhdimësi mosmbajtja e përgjegjësive për zgjedhjet lokale nga njerëzit e duhur dhe faturimi i humbjes së zgjedhjeve lokale tek njerëzit e gabuar, kanë qenë një tjetër arsye e madhe që ka krijuar kritika. Po ashtu duhet thënë se nuk është aspak rastësi që 15 drejtuesit e fushatave në bashkitë fituese  të vitit 2015 kanë pasur një mungesë totale komunikimi dhe përfilljeje nga z. Basha, duke i lënë jashtë listës së deputetëve në zgjedhjet Parlamentare. Pra, ajo që dua të them para se të shkoj tek lista, është se z. Basha ka goditur të gjithë fituesit e zgjedhjeve të vitit 2015 në grup, dhe kjo padyshim shkon kundër interesit të Partisë Demokratike, militantëve të saj, antarësisë dhe opinionit public,  që kërkonte një projekt fitues dhe jo një projekt që çoi drejt një humbjeje të thellë. Le të dalim tek faktet konkrete:

1)Fushata elektorale e orientuar  në sens negativ nga z. Basha përkundrejt LSI-së dhe jo përkundrejt Rilindjes që ishte shkaku thelbësor  i keqqeverisjes,  ishte tradhëtia e madhe e z. Basha ndaj demokratëve dhe qytetarëve të këtij vendi që nuk e votojnë Edi Ramën dhe që nuk janë të pakët. 2) Së dyti, marrëveshja e 17 majit është një marrëveshje private. Përsa kohë një marrëveshje bëhet pa dëshmitarë, nuk është një  marrëveshje në interesin publik por është në interesin privat. A është marrëveshje biznesi a është marrëveshje për të mbajtur njëri -tjetrin në krye të Republikës së re, këtë do ta tregojë historia. Por ne jemi të qartë  që ajo marrëveshje është një tradhëti e dytë e madhe e z. Basha ndaj demokratëve. Dhe besoj që këto së bashku janë shkaqe të bollshme  për të kuptuar që ky grup njerëzish që kanë një integritet dhe një inteligjencë të caktuar nuk mund ta pranojnë atë humbje  dhe nuk mund ta pranojnë qëndrimin e z. Basha në krye të PD-së. Substanca  e çështjes është në fakt arbitrariteti me të cilin z. Basha ka  ndërtuar partinë dhe thelbi ngelet ky: Z. Basha e drejton partinë në mënyrë krejtësisht personale. Partia Demokratike është aset kombëtar, publik dhe “themeluesja” që ka aspekti i djathtë në Shqipëri, çka  e mban demokracinë dhe sistemin në balancë, rotacion dhe alternative,  që për fat të keq sot i mungon kësaj  qeverisje të Edvin Kristaq Ramës, totalisht të dështuar dhe të demaskuar edhe ndërkombëtarisht, nga zhvillimet  e fundit.

 

U miratua Statuti i Ri i Partisë Demokratike, për të cilin patët disa propozime, ku pothuajse asnjë nuk u përfshi. Çmund të thoni për ndryshimet e miratuara?

 

Unë do të flas me fjalët që ka thënë në një studio televizive  një nga drejtuesit e Partisë, i cili përdori fjalën “gënjeshtër”. Ky statut është një gënjeshtër e madhe dhe fatkeqësisht është në vijimësinë e gënjeshtrave të mëdha të z. Basha.  Unë së bashku me znj. Harxhi, nuk e shohim të mbështetur në asnjë germë, propozimin tonë për të çmontuar drejtimin autoritar dhe arbitrar të z. Basha në krye të Partisë. Prandaj propozuam ngritjen e një sërë institucionesh të Partisë Demokratike mbi parimet që ka vendi ynë, për balancën midis pushteteve. Por çfarë ndodh? Po ju marr një shembull mbi ndryshimet e statutit të miratuara në Kongres. Kur thuhet që u pranua  propozimi për të patur një kryetar të Këshillit Kombëtar. Deri këtu po ta lexosh fjalë për fjalë duket sikur z. Basha e ka marrë parasysh propozimin tonë. Por në fakt ka bërë të kundërtën. Ka vendosur një kryetar të Këshillit Kombëtar i cili nuk e mbledh dot këshillin pa miratimin e kryetarit Basha apo kujto kryetari që mund të ishte. Ky është një detaj i vogël që bart brenda  një gënjeshtër të madhe. E kam  thënë edhe herë të tjera që z. Basha vuan nga autizmi politik. Ka  marrë partinë, ka marrë statutin dhe luan me të “si i do qejfi” dhe  interesat e tij personale dhe politike, e theksoj të tijat dhe  jo të partisë, dhe bën sikur nuk dëgjon dhe nuk flet. Z. Basha ka një cilësi që kur pyetet për diçka përgjigjet për tjetër gjë. Një tjetër propozim ishte krijimi i një Bordi. Ne propozuam që ky bord të jetë i pavarur nga kryetari i partisë, jo të jetë një bord i kryetarit. Ne nuk kërkaum  një drejtori financiare të Bashës, ne kërkuam një bord që të kontrollojë manaxhimin financiar të Partisë. Kjo edhe për shkak të lobimit financiar që kanë ngritur mediat e huaja, që në fakt, pak të besueshme janë, por çështja e lobimit do ishte zgjidhur sot, nëse Partia do të kishte një bord kontrollues. Më tej, çështja nuk do të  shtrohej në publik që ta diskutonte Partia Socialiste, Rama dhe kushdo tjetër që nuk shquhet për ndonjë dashuri ndaj PD-së. Mora këto dy shembuj për të treguar që në statut nuk është përfshirë asnjë nga propozimet tona.

 

Ish-kreu i PD-së, Sali Berisha, ka përçuar shpesh mesazhe për situatën në PD, por edhe për kritikët. Si i shikoni ju këto mesazhe?

 

Unë mendoj që z. Berisha është në një pozicion sa komod, duke qenë ish-kryetar i partisë aq edhe të vështirë, duke qenë udhëheqësi moral më i lartë në PD. Padyshim do të doja që askush të mos ndodhej në atë pozitë aq të vështirë. Është e qartë që z. Berisha që nga 22 korriku e mbrapa i ka dhënë të gjitha mesazhet dhe vlerësimet e tij negative për drejtimin e Partisë, që nga pjesa e listës, marrëveshjes, manaxhimin e fushatës, mosbashkimin e partisë, por, duke qenë drejtues moral i  partisë, z. Berisha nuk mund të jetë i shbalancuar në ato që thotë. Ata që janë në parti duhet ta kuptojnë që nga pozicioni i tij, ai ka thënë shumë, por, e theksoj se  nuk është detyrë e z. Berisha të  bashkojë partinë dhe të mbështesë apo të mos mbështesë një krah në këtë debat.  Z. Berisha e ka thënë që është me PD, ashtu sikurse edhe ne jemi me PD. I vetmi njeri që nuk është me PD, është Lulzim Basha, por është një aneks i Rilindjes brenda në partie të madhe të djathtë.  Sot PD-në po e drejtojnë zgjatimet e Rilindjes. Ky tashmë është një fakt shumë i njohur, të cilin unë e spjegoj përmes shumë veprimeve, duke përfshirë edhe lobimin që pretendonte z. Basha për të bërë në Gjermani, për  negociatat e Shqipërisë. Ishte një provim nëse i kishte plotësuar qeveria jonë kriteret. Problemi është që mungesa e Ministrit të Jashtëm, Ditzi Bushati në Gjermani për lobimin e negociatave, nuk u ndje, pasi ishte Basha ai që e përfaqësoi. Kjo është ajo që na shqetëson ne, fakti që opozita sot nuk po bën rolin e opozitës, por për fat të keq është kthyer në kambalecin e kësaj qeverisjeje kriminale, krejtësisht të korruptuar, të padëshiruar në Europë. Që ka dështuar në çdo premtim, pa  vision, por që një gjë di ta bëjë shumë mirë: TË VJEDHË. Dhe kur ti nuk lufton siç duhet një qeveri që vjedh, do të thotë të bëhesh palë me të.

 

Opozita, kryesisht Partia Demokratike, ndërmori nismën e mosbindjes civile, si kundërpërgjigje e vendimeve të kësaj qeverie, e cila pritej të zgjaste, por nga gjasat kuptohet të ketë pushuar së funksionuari. Si e gjykoni ju këtë moskonseguencë të PD-së në nismat që ndërmerr?

 

Kam përshtypjen që kjo duhet të ishte një kundërpërgjigje që duhet të të bëja unë. Që a tregon kjo ato për të cilat  fola në pyetjet më larg? Pra mungesa e konseguencës dhe qëndrueshmërisë tregon që këtu nuk do të bëhet opozitë.  Këtu po luhet një teatër i madh. Por duhet të kuptojmë një gjë që një pjesë e madhe e njerëzve që kanë dalë në këtë pozicion politik, përfshirë edhe personin tim,  në fakt jemi duke drejtuar një lëvizje dhe nje artikulim anti establishment. Pozicioni jonë është përkundrejt çiftit Rama-Basha. Për këdo që e njeh politikën e kupton. E kam thënë edhe herë të tjera që ne kemi një çift Rama-Basha që po i  drejton dy partitë si një parti. Pra ne sot kemi formalisht demokraci në vend, praktikisht kemi një parti të madhe të ndarë në dy degë, që drejtohet nga e njëjta kupolë dhe i njëjti njeri dhe ky është Edvin Kristaq Rama. Z. Basha është mëkëmbës i Ramës në krye të Partisë, nuk është kryetar i opozitës, sepse po të ishte i tillë,  do t’i kishte çuar në fund të gjitha ato aksione. Dhë këto fillojnë që në 2014 me Reformën Territoriale, me Reformën ne Drejtësi.

Si shpjegohet që PD nuk ka dërguar në KQZ një ankesë për këto megavjedhje që pretendohetz. Basha?

Si ka mundësi nuk i është dërguar OSBE-së një fije letër? Kjo tregon që PD dhe zgjedhjet e vjetshme janë shitur tek kundërshtari, sepse janë legjitimuar duke mos i ankimuar. Në vitin 2001 PD-ja ka çuar me mijëra faqë raport në OSBE, dhe mbani mend që u përsëritën shkelje të cilat çuan drejt marrëveshjes Nano-Berisha, marrëveshje e cila balancoi institucionet Kushtetuese mes Mazhorancës dhe Opozitës. Partia Demokratike vetëm flet por nuk lufton për asgjë dhe kjo mazhorancë nuk rrëzohet me fjalë, rrëzohet me veprime.  Ky është edhe pretendimi që ne kemi se z. Basha është pjesë e një establisment.

 

Po për çështjet më të fundit, siç është ajo e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, apo më e reja, ajo e vëllait të ministrit të Brendshëm aktual, të dy të akuzuar nga italianët me prova, për trafik dhe bashkëpunim me bandat e drogërave të rënda, çfarë mund të thoni?

 

Unë mendoj  që komisionet hetimore ngrihen atëherë kur institucionet nuk zbatojnë ligjin. Besoj që ka të drejtë, sidomos në rastin e Ministrisë së Brendshme, e cila nuk ka treguar ndonjë dedikim në hetimin e z. Tahiri, por nga ana tjetër duhet të themi që edhe Prokuroria duhet inkurajuar për të vazhduar hetimin, kështu që jemi në një hetim të dyfishtë, nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe nga Komisioni Hetimor Parlamentar. Ajo që mbetet në fund të fundit është që situata është shumë e rëndë. Kemi dy minsitra të Brendshëm, njëri pas tjetrit, të cilët akuzohen, njëri drejtpërdrejt dhe tjetri në mënyrë të tërthortë, për bashkëpunim me grupe të strukturuara kriminale, ndërkombëtare, në trafikun e drogës. Kjo gjë në Shqipëri nuk ka ndodhur kurrë në këto 27 vite, që do të thotë që interesi i qytetarit këtu nuk përfaqësohet nga qeveria. Qeveria po bën të kundërtën e asaj që duhet të bënte, në vend që të mbronte jetën, pronën dhe integritetin e qytetarëve, po i  dhunon ato. Por ka edhe një gjë shumë esenciale, Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe çështja e sigurisë nuk është më vetëm e Shqipërisë. Ne sot duhet të jemi garant për sigurinë e të gjithë territoreve ku NATO shtrin pushtetin e vet si organizatë ndërkombëtare. Shqipëria po bën të kundërtën. Askush nuk na garanton ne që këmi kufinj të sigurta edhe për çështjen e terrorizmit dhe për trafikim të armëve, pasi është edhe ky një problem shumë i rëndësishëm. Krimi i organizuar sot ka arritur majat. Akuzohemi për lidhje të forta me Amerikën Latine. Pra ka arritur në një stad të rrezikshëm, ku qeveria në vend të ishte përballë këtij krimi, ka njerëz të vet brenda. Unë besoj që të dy zotërinjtrë duhet të japin shpjegime para Sistemit të Drejtësisë, edhe për opinionin publik, për këto çpo na dëgjojnë veshët e çpo na shohin sytë.

 

A kemi ne një Sistem Drejtësie të mirëfilltë?

 

Në një vend normal këto nuk do të ishin zbulime gazetash, intervistash, mediash. Këtu problemi është që vendi po hyn në një absurd, ku drejtësia po jepet nëpër emisione televizive, ndërkohë  që Sistemi i Drejtësisë është në kolaps total. Po ju them me bindje të plotë që Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, dhe Gjykatat në disa rrethe, Gjykatat e Apelit, sot janë disfunksionale. Reforma në drejtësi për të cilën ne kemi thënë që është një reformë që do ta shkatërrojë Sistemin e Drejtësisë, nuk do ta ndërtojë atë, po shkon drejt kolapsit. Dhe një demokraci pa një sistem Drejtësie të pavarur, efiçent dhe funksional, nuk mund  të quhet demokraci. Këtu jemi në kushtet e vitit ’45, kur Enver Hoxha merrte ca injorantë me katër klasë dhe i emëronte gjyqtarë  të cilët pushkatonin deputetët e Kuvendit të Shëipërisë të atij viti. Nuk kemi Drejtësi, Sistemi i Drejtësisë ka rënë! Kjo është shumë e rëndë! Pra duhet të kuptojmë që situata është në kolaps institucional, në kolaps moral dhe në kolaps politik. Kjo është krejtësisht një rrethanë  e panjohur në këto 27 vite në Shqipëri dhe jemi në kushtet e një gjendjeje të jashtëzakonshme.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here