Bashkia e Tiranës nuk ndal me betonizimin, ja ku pritet trasformimi i radhës…

0
230

Parku Rinia do të ribetonizohet nga Bashkia Tiranë. Bashkia ka planifikuar ngritjen e një këndi të madh lojrash si dhe disa lokale shërbimi në Park. Ato do të ndërtohen me të ashtuquajturin partneritet publik privat.

Në sqarimin që Bashkia ka bërë për një projekt vendim mbi kalimin e Parkut Rinia në administrim të Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, i cili është në rendin e ditës së Këshillit Bashkiak të së enjtes së ardhshme, është pohuar se “Parku Rinia do të ketë parkun e vet të lodrave publike”, shkruan Exit.al.

Ndërkohë Bashkia ka filluar vendosjen e kioskave të shërbimeve të ushqimit të shpejtë në Park, sikurse njoftuam para disa ditësh.

Për t’i paraprirë transformimit rrënjësor të Parkut Rinia në një hapësirë të urbanizuar, Bashkia ka filluar një lojë fjalësh me qëllime propagandistike. Në sqarimet e projekt-vendimit është pohuar:

Parku Rinia ëshët një hapësirë që ofron shumë mundësi për aktivitete rekreative për të gjitha moshat…. Dhe vizitohet nga një numër i madh qytetarësh, dhe në ngjashmëri me shumë eksperienca ndërkombëtare hyn në kategorinë park dhe jo lulishte”.

Pavarësisht emrit, Parku Rinia është quajtur administrativisht si “lulishtja e kompleksit qendror”, edhe pse nuk ka ndonjë përcaktim të prerë ligjor se çfarë është park dhe çfarë është lulishte. Por, Bashkia po tenton që të bëjë një dallim të tillë me synimin e qartë: duke e quajtur Parkun Rinia “park” dhe jo “lulishte”, ajo i jep mundësi vetes të ndërtojë në të “komplekse rekreative”.

Jo më kot në pohimin e mësipërm, ajo i referohet “përvojave ndërkombëtare”, çfarë është keqinformim dhe mashtrim i qëllimshëm, pasi nuk ka ndonjë përvojë ndërkombëtare që të ndajë ndonjë gjë në këtë aspekt. “Ndërkombëtarisht” një hapësirë si ajo e Parkut Rinia mund të jetë çdo gjë nga “hapësirë e gjelbërt publike” (ose “public green space” në anglisht), mund të jetë lulishte publike (ose “public garden” në anglisht) mund të jetë edhe park, që në botë përfshin çdo gjë që nga lulishte qindra metra katrore tek parqe prej dhjetra në mos qindra hektarësh.

Ështe qartë se Bashkia Tiranë përpiqet ta shesë si diçka moderne betonizimin e të fundit hapësirë të gjelbër në Tiranë, e cila bëhet në funksion të vizionit klientelist të qeverisë Rama. Pasi ka vendosur betonizimin me ndërtesa të larta të gjithë hapësirës mbas Bashkisë Tiranë deri tek ndërtesa e Hotel Piazza dhe të hapësirës mbas Ministrisë së Brendëshme deri tek Ndërtesat Infosoft dhe Eurocol—në një skemë korruptive dhe klienteliste që përfshin edhe tjetërsimin e tokës publike në favor të privatit—tani Bashkia Tiranë ka vendosur tjetërsimin edhe të Parkut Rinia nga një zonë e gjelbërt lulishteje në një zonë urbane argëtimi dhe lokalesh.

Nga dokumenti i përmendur më sipër mësohet se Bashkia ka për qëllim që të kthejë në zonë pedonale edhe Rrugën Myslim Shyri. Duket se ky vendim do të bëhet për të kompensuar shkatërrimin e rrugës së tanishme këmbësore të quajtur “pedonalja” nga kryqëzimi i Galerisë së Arteve në Bulevardin Dëshmorët e Kombit deri tek Ura e Tabakëve (duke kryqëzuar Rrugën Xhorxh Bush), e cila do të prishet për t’i hapur rrugë zhvillimit me ndërtesa të larta bllokun pas Teatrit Kombëtar.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here