Presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar kaos global, gjatë një bisede telefonike me presidentin e Iranit. Biseda është fokusuar tek sulmi mbi Siri.
Një deklaratë e lëshuar nga Kremlini lidhur me bisedën e Vladimir Putin me Hassan Rouhani, thuhet se u diskutua gjatë mbi sulmin raketor që shënjestroi një laborator shkencor dhe dy depo armësh kimike.
Ata kanë rënë dakord “se ky veprim i paligjshëm ka dëmtuar seriozisht perspektivat për një zgjidhje politike në Siri”.
Presidenti amerikan Donald Trump urdhëroi sulmin në koordinim me Francën dhe Britaninë e Madhe, si kundërpërgjigje ndaj përdorimit të lëndëve kimike në Dumas, ku u vranë dhjetëra civilë.
Rusia dhe Irani kanë ruajtur mbështetjen e tyre për Asadin pavarësisht se regjimi i tij është përfolur vazhdimisht për përdorim armësh të kësaj natyre.
Të shtunën, qeveria ruse paraqiti në OKB një rezolutë që dënonte forcat e koalicionit për nisjen e sulmeve të përbashkëta ajrore, e cila u rrëzua pasi nuk arriti të marrë më shumë sesa votat e Rusisë, Kinës dhe Bolivisë.
Një gazetar rus, ndërkohë që kishte shkruar mbi vdekjet e mercenarëve në Siri, vdiq në spital pas rrëzimit nga dritarja e apartamentit të tij, në katin e pestë të pallatit ku banonte.
Maxim Borodin u gjet nga fqinjët, ndërsa ndërroi jetë më pas në spital.
Zyrtarët lokalë thonë se nuk është gjetur ndonjë letër lamtumire.
Por ndonëse ata përpiqen të tregojnë se incidenti nuk duket të ketë natyre kriminale, një mik i afërt i reporterit thotë se banesa e tij dy ditë përpara ngjarjes, ishte rrethuar nga punonjës të sigurisë.