Me koncesion edhe TVSH? Basha: Edi Rama do t’ja japë të vëllait të tij”

0
177

Lulzim Basha dha disa arsye se përse, sipas tij, Qeveria vendosi të ulë pragun e deklarimit të TVSH-së në 20 milionë të vjetra, duke përfshirë në këtë skemë edhe biznesin e vogël.

E mes këtyre arsyeve, Basha tha se është edhe ajo për dhënien me koncesion të këtij shërbimi.

“Po bëhet gati terreni për ta dhënë me koncesion. Edi Rama do t’ja japë të vëllait të tij”, tha Basha.

Në një tryezë të përbashkët me biznesin e vogël, Lulzim Basha deklaroi se futja e këtij biznesi në skemën e Taksës mbi Vlerën e Shtuar do të shkaktojë një katastrofë në ekonomi.

Një prej pasojave më të rënda, sipas kryetarit të Partisë Demokratike, është humbja e mijëra vendeve pune.

“Biznesi i vogël është sot në një gjendje dramatike, që është edhe punësuesi kryesor në vend. 97 për qind e të punësuarve janë nga biznesi i vogël. Mijëra vende pune do të humben pas futjes së TVSH-së në këtë biznes”, tha Basha.

Vetë përfaqësues të biznesit të vogël thanë se do të kundërshtojnë me protesta këtë vendim të Qeverisë, por kërkuan nga Basha se cila është zgjidhja që propozohet nga opozita nëser në pushtet.

“Taksa mbi Vlerën e Shtuar do të derdhë në rrugë qindra-mijëra biznese të vogla, por të mos harrojmë që nesër do të jeni ju zoti Basha në pushtet dhe ne duhet të dijmë se çfarë do të ndodhë me taksat e biznesit të vogël dhe kush është zgjidhja që propozohet”, kërkuan sipërmarrësit e vegjël.

Basha e sheh vendimin për futjen e biznesit të vogël në TVSH jo thjesht ekonomik, por edhe akt politik, që sipas tij, synon t’i mbyllë gojën zërit kritik dhe ta vendosë këtë biznes në duart e 4-5 oligarkëve.

“Elementi politik që bashkon këto akte kriminale, TVSH për biznesin e vogël, taksën mbi Rrugën e Kombit dhe shkatërrimi i Teatrit Kombëtar, akti politik është shkatërrimi i bërthamës të çdo zëri kritik. Biznesi i vogël është i pavarur dhe me TVSH do ta çojë të varur në një grusht njerëzish, duke grabitur shumicën për t’ja dhënë pakicës.”, deklaroi kreu i PD-së.

Këshilla e Bashës për biznesin e vogël ishte protesta.

“Ngrihuni, refuzojeni, bojkotojeni TVSH me të gjitha format dhe mënyrat dhe ju do ta detyroni sprapsjen e kësaj mase kriminale dhe shkatërrimatre në ekonomi. Jemi në krahun tuaj deri sa kjo betejë e juaj të fitohet, derisa të çmontojmë këtë bandë kriminale që di vetëm të grabisë”, tha ai.

Basha u tha sipërmarrësve të vegjël se opozita propozon që kufiri i TVSH-së të jetë 120 milionë lekë të vjetra. Kjo, thotë Basha nuk ka asnjë kosto për buxhetin.

“Përkundrazi, do të rriste të ardhurat dhe do të nxiste formalizimin. Sot 40 për qind e ekonomisë është informale sipas të dhënave dhe raporteve të ndryshme”, deklaroi ai.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here