Nga Frrok Çupi
Babai i të burgosurit protestues, Florin Onuzi, kërkoi Amerikën që të ‘na shpëtojë’, dhe prandaj u dënua më rëndë i biri.
… Këtu nis zgjidhja e gjithë çështjes. Të gjitha krizat tona kombëtare në historinë e re, janë zgjidhur vetëm me pjesëmarrjen e Amerikës…
Pas dhunës shtetërore mbi të revoltuarit e Kukësit kundër represionit të qeverisë, dhe pas ‘ftesës’ ndaj Amerikës, dalin në dritë zgjidhjet. Natyrshëm që do të dalin në dritë zgjidhjet. Nuk jemi në Mesjetë, as para Mesjetës, kur njerëzit mund të digjeshin në turra drush, pa ‘dritë shpëtimi’.
A ishte bllokuar zgjidhja?
Po të mos ishin kuksianët e revoltuar, prapë do të ishim si para një jave: Me një torbë bukë përpara dhe të kënaqur, me një sy te qeveria dhe me zili perverse se ‘shiko çfarë çorapesh veshin’; me një lëpirje ndaj prokurorit që të ‘mos kalojë këtej nga unë’, me një dorë letra duke hedhur fallin se a do të më japë gjë qeveria….
Zgjidhjet i bllokon vetë mendja e njeriut; sidomos e njeriut të dhunuar në diktaturë që i është bërë karakter lëpirja ndaj qeverisë… Pastaj zgjidhjen e bllokon arroganca e qeverisë: Sa më të varfër i bën njerëzit- qeveria e di se janë më të nënshtruar. Njerëzit hanë njëri tjetrin në momente varfërie, nuk godasin qeverinë… Pastaj zgjidhjet i pengon mungesa e Opozitës. Opozita këtu është në një frymë me qeverinë: As socialiste, as konservatore, as krenare as burrnore, as e mençur as idiote…
Zgjidhja ishte bllokuar deri në momentin kur njerëzit e Kukësit shpërthyen revoltën. Tani nuk ka më rëndësi as sa njerëz burgos- si 11, si 11 mijë. Nuk ka rëndësi as sa vjet i mban në burg; po të doni edhe 100 vjet. Nuk ka rëndësi nëse se ka apo nuk ka qeveri barbare, as se ka Opozitë të qullët… Asgjë nuk i hyn në sy popullit të revoltuar. Populli kësaj here nuk u mor me politikën, por thjesht me gjeografinë… Një piketë revolte në Kukësin e Ballkanit ka lëshuar sinjalese kërkohet zgjidhja e fundit:
… Babai i njërit prej të revoltuarve, që sot u dënua nga gjykata me burgim, bëri thirrje në publik: “Kërkojmë ndihmën e Amerikës!”. Këtu nis…
Florin Onuzi, është djali i burgosur i babait që kërkon ‘Ndihmë nga Amerika’. Ai është nga Luma- zona mes trevave më të shquarave patriotike e Kukësit dhe Malësisë së Gjakovës. Luma ka shërbyer si urë ku mbaron besimi katolik e fillon besimi mysliman, ku lidhen ngjarjet e Prizrenit dhe të Mirditës, ku shfaqet latinishtja deri në të folmen e veçantë të fshatit, ku lahet uji i lumenjve Drin e Kir… Kurrë nuk e ka dashur dhunën as paburrninë, që nga Ramadan Zaskoci e deri te Muharrem Bajraktari… Tani është zënë në lak dhe duhet t’i përgjigjet dhunës qeveritare… Kjo është e tëra, por tani është më e vështirë se kurrë, sepse qeveria është anëtare e NATO-s dhe bashkëpunëtore me kriminelë.
Kësaj here Luma, përmes Onuzit, kërkon ndihmën e Amerikës… Këtu nis, lumjani Onuzi nuk kujtohet vetvetiu të kërkojë Amerikën.
Në Revoltën e Kukësit ka një përzierje të frikshme faktorësh ndërkombëtar dhe kombëtar. Nënshtrimi i Kukësit është i domosdoshëm, sepse këtë e kërkon mafia e mineraleve dhe e rrugë- kalimeve. Në Kukës kalon autostrada më e madhe mes shqiptarëve të Ballkanit si dhe ndodhet aeroporti ku mund të transportohet droga e vendit, e Afganistanit dhe e Turqisë…
Por jo vetëm fizikisht. Në Kukës kalojnë akset e zhvillimit botëror, që nga Perëndimi në Lindje, nga Europa në Turqi dhe Rusi… Tentativat për ta mbajtur larg Amerikën janë shfaqur frikshëm, edhe në këtë trevë. Turqia e Erdogan ka guxuar dhe ka futur kthetrat në shtetin e Kosovës që u formësua nga Amerika (!). Rusia po gjuan mbi Turqi dhe mbi Ballkanin tjetër- njëkohësisht. Serbia kërkon zgjerim territoresh me bekimin e liderëve shqiptar Thaçi- Rama. Qeveria shqiptare ndjen neveri për Kukës dhe Kosovë, sepse do pushtet vertikal mbi nj territor sa më të vogël.
Revolta e Lumës ka shërbyer si një pikë ujë për të bërë thirrjen ndaj Amerikës. Nuk është rastësia e Onuzit të Lumës… Administrata e Shtëpisë së Bardhë, para Trump, e kishte ‘humbur’ rajonin. Që nga zgjedhja e Donald Trump në krye të Amerikës, qeveria e Shqipërisë dhe e Kosovës nisën përpjekjet për të ruajtur lidhjet e vjetra mes George Soros, Erdogan dhe Putin. ‘Komunizmi libderal’ i Soros i vjen për shtat strategjisë së kultivimit të narkotikëve në Shqipëri, trafiqeve në rajon, shkëmbimit të territoreve mes shteteve të Ballkanit dhe harresës historike. Liderët shqiptarë ballkanikë kanë trumbetuar idenë e sajuar se ‘Amerika e Trump nuk ka prezencë në rajon’…
Por në realitet është e kundërta. Reagimet më të fundit nga Departamenti i Shtetit dhe Zëri i Amerikës ndaj revolët mjaftojnë për të provuar se syri i Amerikës po vëzhgon gjithçka. Liderët e dinë këtë realitet më mirë dhe më me frikë se askush. Të gjitha lëvizjet po ndodhin për shkak dhe për frikë nga fuqia e madhe e Shteteve të Bashkuara. Onuzi ka lidhjet më të dukshme me realitetin.
Represioni i qeverisë ndaj revoltës qytetare, shpejtimi për të instaluar nënshtrimin ose shkëputjen në Urat e Kukësit- kjo po ndodh për shkak se ndihet fryma nga Shtetet e Bashkuara. Të revoltuarit kanë ‘ndjerë’ se nuk mund të ketë zgjedhje të mirë pa Shtetet e Bashkuara. Është koha që po shikojmë realitet tjetër.
Veritas.com.al