Kancelari i Gjykatës së Kukësit, Shikim Korbi ka dalë në një deklaratë për mediat në lidhje me vendimin për seancën e masës së sigurisë për 23 kuksianët e arrestuar nga policia.
‘Kërkesa nga akuza ka ardhur në orën 9:45 minuta. Gjykata ka vendosur që seanca për masat e sigurisë të zhvillohet nesër në orën 09:00 të mëngjesit’, është shprehur në një deklaratë për mediat kancelari i gjykatës, Shikim Korbi.
Deklarata e plotë e Gjykatës së Kukësit:
Gjykata e gatshme ka vendosur që seanca të zhvillohet nesër në Gjykatën e Rrethit Kukës.
Infrastruktura e Gjykatës nuk lejon që të 23 të vijnë në sallë, por do të shikojmë mundësitë që seanca të zhvillohet për të gjithë njëherësh për të 23. Akuza është 236/2, kundërshtim i forcave të policisë dhe shkatërrim i pronës publike.
Nga momenti i paraqitjes së kërkesës e deri pasnesër janë 48 orë kur Gjykata ka të drejtë të shqyrtojë kërkesat nga organi i akuzës.