Serbët e veriut kanë reaguar duke bllokuar rrugët, pas arrestimit të Marko Gjuriçit. Gjatë mbrëmjes së të hënës dhe deri në orët e vona të natës, ata kanë bllokuar rrugën që dërgon për në kufirin më verior, Jarinje.
Rruga është bllokuar në vendin e njohur si Rudare në Zveçan, në pjesën e rrugës te “Kryqi”, aty ku në vitin 2011 dhe 2012 kanë qenë barrikadat.
Serbët kanë vendosur kamionë dhe vetura transportuese, duke bllokuar totalisht rrugën, gjë që nuk është e re për këtë pjesë të vendit.
Kjo pjesë e rrugës për serbët është shumë e rëndësishme sepse është një lidhje e drejtpërdrejtë midis Prishtinës dhe kryqëzimit administrativ të Jarinjes.
Reagimi erdhi pas arrestimit të shefit të të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, i cili u ndalua pasditen e djeshme pasi nuk respektoi refuzimin që i bëri shteti kosovar në kërkesën për vizitë.