Dështimi qeveritar: Rriten taksat, s’rriten të ardhurat, varfëria ulet këmbëkryq

0
228

Të ardhurat e përgjithshme buxhetore në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto u përmirësuan vetëm me 0.1 pikë përqindje vitin e kaluar, teksa arritën në 27.7% e PBB-së në raport me 26.6% që ishin në vitin 2016. Ky nivel është shumë më i ulët se pritjet e qeverisë, e cila synonte që këtë vit ta çonte nivelin e të ardhurave në 28.2% të PBB-së, pra 0.6 pikë përqindje më shumë se vitin e mëparshëm. Ritmet e rritjes së të ardhurave në raport me PBB ishin më të ulëtat që nga viti 2013. Viti 2014 shënoi rekordin historik të periudhës së tranzicionit të rritjes së të ardhurave në raport me PBB me 2.1 pikë përqindje brenda një viti. Por këto rezultate tregojnë se ka dështuar me turp gjithë paketa e reformave fiskale e qeverisë Rama1 dhe Rama 2. Qeveria ka rritur ndjeshëm taksat që nga viti 2014. Në vitin 2014, tatimfitimi u rrit nga 10 në 15% dhe një vit më pas, tatimi mbi të ardhurat dhe fitimet e tjera u rrit po nga 10 në 15%. Njëkohësisht dhe akciza e produkteve ka njohur rritje vit pas viti. Krahas rritjes së taksave, qeveria ka ndjekur një kurs të shtrënguar fiskal që nga 2014-a dhe gjithashtu ka ndërmarrë një aksion antiinformalitet me bazë të gjerë. Por këto masa nuk kanë ndikuar në rritjen e dukshme të të ardhurave në raport me PBB-të, cilat në fund të vitit 2017 janë përmirësuar me 1.4 pikë përqindje në krahasim me vitin 2014, një rezultat që në katër vjet mund të arrihej dhe nëpërmjet miradministrimit fiskal.

Më këtë nivel të ardhurash në raport me PBB, Shqipëria do ta ketë të pamundur t’i afrohet mesatares rajonale mbi 34%. Të ardhurat buxhetore e mbyllën vitin 2017 me një arkëtim ne total prej 430,9 miliardë lekësh. Rritja ishte 5.7% në raport me faktin e 2016, teksa plani vjetor nuk u realizua me 2.7%, ose 12 miliardë lekë (90 mln euro). Siç shihet nga të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave, rritja e faktike e të ardhurave me rreth 6% reflektoi rritjen ekonomike të vitit 2017 (pritshmëritë rreth 3,9%) dhe inflacionin e vitit me rreth 2%. Vetëm rritja e ekonomisë dhe inflacionit së bashku (6%) ka prodhuar rritjen faktike të të ardhurave 6 %, teksa mbetet e papasqyruar rritja nga miradministrimi fiskal duke marrë në konsideratë edhe fazën e dytë të luftës ndaj informalitetit në të cilën janë përfshirë strukturat fiskale të qeverisë.

Edhe në vitet e mëparshme, përveçse në 2014-n, kur rritja nominale ishte 12.1%, në vitet e mëpasshme ajo ishte njëshifrore, në 2015-n 3.4%, në 2016-n arriti 7.3% dhe në 2017-n u ngadalësua në 5.7%, duke reflektuar në pjesën më të madhe vetëm rritjen ekonomike dhe inflacionin. Ky është një tregues indirekt se rritja e taksave ka shtuar informalitetin në vend, një vlerësim ky edhe i FMN-së në një raport të pak kohëve më parë. Sipas FMN, ekonomia informale e Shqipërisë është rritur përgjatë viteve 2014 -2015. Të dhënat e Fondit tregojnë se në vitin 2015 ekonomia informale e Shqipërisë arriti në 26.2%, teksa në vitin 2013 ky tregues ishte 25.6%.

Varfëria

Rreth 80% e popullsisë së Shqipërisë jeton me më pak se 10 dollarë në ditë. Sipas portalit Our Ëorld in Data, i cili ka përpunuar të dhënat e Bankës Botërore për shpërndarjen e popullsisë sipas pragjeve të ndryshme të varfërisë, vetëm 20.44% e popullsisë jetonin me mbi 10 dollarë në ditë, pjesa tjetër, 79.56% jetonte me më pak se 10 dollarë në ditë. Krahasuar me rajonin, Shqipëria ka përqindjen më të ulët të popullsisë që e kalojnë pragun prej 10 dollarësh në ditë. Më pas renditet Kosova me 25.15% të popullsisë që jeton me më shumë se dhjetë dollarë në ditë, Maqedonia me 38.98%, Serbia me më shumë se gjysmën e popullsisë 58.25%, Mali i Zi me thuajse tre të pestat e popullsisë, apo 60%, që e kalonin pragun prej 10 dollarësh, dhe Bosnja me katër të pestat e popullsisë.

Shqipëria ka gjithashtu edhe përqindjen më të lartë të popullsisë që jeton me pragun 3-10 dollarë në ditë, me 73.22% të popullsisë. Në Kosovë, përqindja e popullsisë që jeton në këtë prag është 71.3. Përqindjen më të ulët e ka Bosnja me 19.2%.

Për sa i përket përqindjes së popullsisë që jetojnë me më pak se 1.25 dollarë në ditë, përqindjen më të ulët e ka Mali i Zi, ku sipas të dhënave të Bankës Botërore, të cilat janë analizuar prej Our Ëorld in Data, është 0. Më pas renditet Bosnja me 0.03%, Serbia me 0.06%, Shqipëria me 0.18% të popullsisë që jeton me më pak se 1.25 dollarë, Kosova me 0.2% dhe me përqindjen më të lartë renditet Maqedonia me 3% të popullsisë që jeton me më pak se 1.25 dollarë në ditë.

Çmimet

Ndërkohë, çmimet e artikujve bazë të shportës janë rritur mbi mesataren e përgjithshme gjatë vitit të kaluar. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT më 2017, çmimet e peshkut, vezëve, bulmetit u rritën mbi 3-4%, teksa mesatarja e përgjithshme e ndryshimit të çmimeve në tregje ishte 2%. Çmimet e perimeve dhe zarzavateve, edhe vitin e kaluar u rritën me ritme dyshifrore me rreth 11% secila, por në ndryshim nga viti i kaluar u vu re një rritje e çmimeve të peshkut, me 4.5%, bulmetit dhe vezëve me 3.3%, ushqimet e tjera industriale me mbi 4%. Më 2016, ritmi i rritjes së çmimeve në këto grupe ishte shumë më i ulët.

Për shkak të rritjes së çmimeve në artikujt bazë të shportës, kequshqyerja ka fituar terren më tej. Të paktën 290 mijë shqiptarë kategorizohen në grupin e atyre me vakte të reduktuara për shkak se nuk kanë arritur të sigurojnë ushqim të mjaftueshëm. Raporti i Organizatës së Ushqimit dhe Agrikulturës (FAO), për urinë, i vitit 2017 vlerëson se në Shqipëri, prevalenca e pasigurisë së lartë ushqimore prek 10% të popullsisë totale.

Sipas metodologjisë së Eurostat, Shqipëria ka mbajtur vendet e para në rang europian për ritmet e rritjes së çmimeve në vitin 2017, sidomos në grupin e ushqimeve. Sipas metodës së Eurostat, çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë rritur mbi 7% gjatë vitit të kaluar.

Konsumi

Megjithëse ekonomia ka përshpejtuar ritmet e rritjes duke iu afruar 4%, kjo nuk po reflektohet në nxitjen e konsumit. Të dhënat e INSTAT treguan se në tremujorin e katërt 2017, indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë është rritur 1,3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016. Krahasuar me tremujorin paraardhës, ky tregues i përshtatur sezonalisht është rritur 0,4%. Indeksi i volumit të shitjeve, për grupin “Produkte joushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara (përjashtuar tregtinë me pakicë të hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara)”, ka pësuar rënie në nivelin 0,8%, kundrejt së njëjtës periudhë të vitit paraardhës. Në grupin “Tregti hidrokarburesh në njësi tregtare të specializuara”, indeksi i volumit të shitjeve është ulur 5,2%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2016.

Në tremujorin e katërt 2017, indeksi i volumit të shitjeve i përshtatur sezonalisht, në grupin e tregtisë me pakicë, pa përfshirë këtu tregtinë me pakicë të hidrokarbureve, ka pësuar rënie me 0,3%, krahasuar me tremujorin e tretë 2017. Kanë qenë çmimet e larta të karburanteve dhe pamundësia e qytetarëve për t’i përballuar janë arsyet kryesore që kanë çuar në rënien vjetore me 5.2% të tregtisë me pakicë të karburaneteve në tremujorin e fundit të 2017-ës. Luigj Aliaj, kryetar i Shoqatës së Hidrokarbureve pohon se ka ulje të konsumit të naftës dhe benzinës në vend. Shkak janë çmimet e larta, pasojë e barrës fiskale të vendosur nga qeveria. “Ka rënie të konsumit në tregun e karburanteve. Taksat ndikojnë tek çmimi i lartë fundor për konsumatorët. Qytetarët nuk kanë para, pasi të ardhurat e tyre dhe pagat nuk po u rriten dhe ata nuk kanë mundësi të përballojnë rritjen e çmimeve që u vjen nga taksat. Jo vetëm në tregun e karburanteve, por kudo qeveria po takson konsumin dhe kjo ndikon që konsumi të bjerë. Kjo po ndodh edhe tek në tregun tonë”, shprehet Aliaj.

Ai shpjegon se rritja e fundit e taksave që u bë për karburantet dhe që ka hyrë në fuqi nga janari i këtij viti ishte vendosja e tarifës së rilicencimit me 3 milionë lekë për pikat e karburantit në Tiranë dhe 2 milionë lekë për pikat në qytetet e tjera. Sipas Luigj Aliaj, aktualisht në çdo litër karburant që shitet, 1100 lekë të vjetra është vetëm barra fiskale. “Aktualisht, çmimi i karburanteve ka arritur mesatarisht 176 lek për litër. Nga këto, 110 lekë për litër janë taksat, 580-600 lekë është cmimi i karburantit që blejmë nga importi. Diferenca janë shpenzimet për energji, ujë, punëtorë dhe fitimi”, deklaron Aliaj.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here