Korrupsioni dhe institucionet e dobëta janë dy problemet e mëdha, me të cilat përballen investitorët e huaj në Shqipëri. Këto shqetësime i ka rikthyer në vëmendje kryetari i ri i Shoqatës së Investitorëve të Huaj në Shqipëri, Tom Kristian Larsen, i cili është Drejtuesi Ekzekutiv i Statkraft në vendin tonë. Ai u zgjodh këto ditë si drejtuesi i këtij institucioni të rëndësishëm të biznesit nga Asambleja e Anëtarëve, gjatë mbledhjes të së cilës u zgjodhën edhe tre anëtarë të rinj bordi, me përfaqësues nga kompanitë kryesore të huaja në vend. “Shoqata e Investitorëve të Huaj është institucioni më i respektuar, që përfaqëson komunitetin e biznesit në Shqipëri, mban një pozicionim të lartë në komunitetin e biznesit, institucionet qeveritare dhe misionet e huaja dhe vijon në përmbushjen e misionit të saj në përmirësimin e klimës së biznesit në vend. Statkraft është lider në etikën e biznesit, politikat kundër korrupsionit dhe vlerat e integritetit me përvojë dhe praktikë në zbatimin e tyre. Jam i nderuar për zgjedhjen si President i FIAA-s për mandatin e ardhshëm dhe do të punoj në përhapjen e mesazhit të integritetit dhe sjelljes së duhur të biznesit në FIAA, midis anëtarëve të saj dhe komunitetit të biznesit në tërë. Shqipëria ka një potencial të madh për të tërhequr investime të huaja, por ajo duhet të luftojë korrupsionin dhe të forcojë reputacionin dhe cilësinë e institucioneve të saj për ta bërë atë të mundur. Pres me padurim që të përfaqësoj FIAA-n në këtë udhëtim”, u shpreh Larsen.
Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri me një prezencë prej 18 vitesh, ka qenë dhe vijon të mbetet një partner me rëndësi nëzhvillimin dhe integrimin ekonomik të Shqipërisë. Shoqata ka konsoliduar një bashkëpunim të qëndrueshëm me Autoritetet lokale dhe ndërkombëtare në vend, duke e pozicionuar veten pjesë të strukturave të ndryshme konsultuese me fokus klimën e biznesit në vend dhe thithjen e investimeve të reja. Kohët e fundit, Shoqata e Investitorëve të Huaj i dorëzoi qeverisë “Librin e Bardhë”. Çfarë përmban ky dokument? Libri i Bardhë është një dokument i përgatitur nga Shoqata e Investitorëve të Huaj (FIAA). Ai i dorëzohet çdo qeverie shqiptare në fillim të çdo mandati. Libri i Bardhë është në edicionin e dytë të tij. Ai parashtron dhe adreson çështjet kryesore, me të cilat përballen investitorët e huaj që zhvillojnë biznesët e tyre në Shqipëri, duke trajtuar kështu një pjesë të rëndësishme të kuadrit ligjor ekzistues në vend. Shoqata e Investitorëve të Huaj ka ofruar vazhdimisht opinione dhe rekomandime për të përmirësuar legjislacionin shqiptar në një sërë fushash vitale, duke punuar në mënyrë aktive me te gjithat autoritetet kombetare dhe lokale përgjegjëse në përmirësimin e klimës ekonomike në vend.
Libri i Bardhë i FIAA-s adreson çështjet e hasura në ligjet më të rëndësishme, të cilat ndikojnë direkt në klimën e biznesit dhe gjithashtu, jep rekomandime se si ligjet duhet të përmirësohen, në mënyrë që të mbështetet më mire hyrja e investimeve të reja në të ardhmen. Disa nga problemet që kanë penguar veprimtarinë e kompanive e huaja lidhen me mënyrën e decentralizuar, në të cilën ligji mund të administrohet, duke shkaktuar dykuptimësi dhe për këtë arsye bën të mundur të ketë keqinterpretim; me refuzimin për të njohur disa ligje nga disa nga autoritetet shtetërore; me zbatimin e gabuar të ligjeve të caktuara dhe udhëzimeve, të cilat tejkalojnë qëllimin origjinal të ligjit; si edhe me përpjekjet për të administruar dispozita të reja të cilat ende nuk janë kaluar në Ligj.
Duke qenë se hartimi i politikave dhe proceset e hartimit të legjislacionit në ministritë kyçe janë ende subjekt i mungesave në përpilim dhe punë analitike, si edhe nuk ka transparencë të mjaftueshme ose konsultime në kohë me aktorët kryesorë të përfshirë, ky dokument do të jetë një vlerë e shtuar, në përpjekjet që vetë biznesi bën në përmirësimin e klimës në vend. Pavarësisht nga shumë përpjekje të bëra gjatë viteve të fundit, theksojnë investitorët në këtë dokument, vendi ka nevojë për të përmirësuar më tej mjedisin e tij të biznesit. Me gjithë reformat dhe ristrukturimet institucionale që qeveria ka ndërmarrë apo po ndërmerr, është shumë e rëndësishme detyra e vazhdimit të zbatimit të atyre reformave, të cilat ndihmojnë në përmirësimin e klimës së investimeve në vend. Këto lidhen vecanërisht me zbatimin e Reformës në Drejtësi, si një nga kushtet kryesore të qartësimit të shumë pengesave në zbatimin e ligjit dhe klimës së të bërit biznes, si dhe luftën e vazhdueshme ndaj korrupsionit, si një nga faktorët kryesorë që pengon hyrjen e investitorëve të huaj në vend.
Investitorët e huaj kanë nevojë për një mjedis të parashikueshëm, stabël dhe të sigurtë, ku respektimi i sundimit të ligjit dhe eliminimi i praktikave korruptive janë thelbësore. Gjithashtu, administrata publike duhet të jetë me efikase dhe më e besueshme. Ndryshimet e shpeshta të taksave dhe të ligjeve vazhdojnë të krijojnë konfuzion dhe pasiguri për investitorin. Një rrugë e gjatë është përpara Shqipërisë për të përmirësuar klimën e biznesit, për të ruajtur rritjen e deritanishme ekonomike në afatgjatë dhe për përmbushjen e kritereve drejt rrugës për anëtarësim në BE.
Pavarësisht nga premtimet, theksojnë investitorët e huaj, për shumë çështje asgjë nuk ka ndryshuar kundrejt 4 viteve më parë. Problemet kryesore që pengojnë sot investimet e huaja në Shqipëri lidhen me stabilitetin makroekonomik, efikasitetin e administratës, korrupsionin, kuadrin ligjor dhe fiskal dhe mungesën e konsultimit për shumë politika dhe vendime që merren dhe që kanë lidhje direkte me sipërmarjen.
Problemet me tatimet
Në “Librin e bardhë” të investitorëve të huaj janë shprehur shqetësime për disa ligje. Kryesori është ai tatimor. Kompanitë vlerësojnë se normat tatimore progresive dhe ndryshimet e shpeshta të legjislacionit e kanë bërë Shqipërinë një vend pak atraktiv krahasuar me fqinjët në rajon dhe i bëjnë apel qeverisë që të reflektojë në kërë drejtim. Kontrollet tatimore vazhdojnë të perceptohen si agressivem, ndërsa një shqetësim tjetër i madh janë vonesat në rimbursimin e TVSH-së. Investitorët e huaj ndalen edhe tek Apelimi Tatimor, që edhe pse kaloi si strukturë nën varësinë e Ministrisë së Financave, hap që përshëndetet, procedurat janë të paqarta, cka bën që kjo hallkë të mos funksionojë.
Problemet me çregjistrimin
Investitorët kërkojnë ndërhyrjen e qeverisë për zgjidhjen e ngërçit të çregjistrimit. Ata vlerësojnë se ndërsa për t’u regjistruar të duhen vetëm pak minuta, për t’u çregjistruar procesi zgjat me vite, çka ka kosto të mëdha. Shoqata e Investitorëve të Huaj konstaton në “Librin e Bardhë” se ky problem është rrjedhojë e mungesës së bashkëpunimit mes administratës tatimore dhe Qendrës Kombëtare të Biznesit.
Problemet me ligjin minerar
Katër vite më parë, Shoqata e Investitorëve të Huaj përfshiu në “Librin e Bardhë” problemet me ligjin minerar. Sot asnjë prej problemeve të paraqitura nuk kanë marrë zgjidhje. Ato lidhen me ndryshimet e shpeshta të rentës minerare, që ,i pengon kompanitë të bëjnë planifikime afatgjata të investimeve të tyre. Problem është gjithashtu, mbivendosja e lejeve minerare, mungesa e koordinimit mes institucioneve për marrjen e lejeve, konfliktet me pronarët vendas për tokën, si dhe minimumi i detyrueshëm i investimit, që është 300 mijë euro/km2 dhe që investitorët e huaj kërkojnë që të ulet.
Qasja e qeverisë nuk është e favorshme për investimet
Po kush është mënyra më e mirë për të gjallëruar ekonominë? Më shumë investime për shërbimet sociale, të alternuara me investimet e huaja në sektorë të orientuar? Më shumë para për të pasurit, apo paga më të mira për punonjësit?
Nisur nga fakti se rritja e të ardhurave individuale vjen kryesisht, si produkt i investimeve dhe rritjes së konkurueshmërisë, po ashtu edhe analiza fokusohet te politika dhe modeli ekonomik. A duhet nga ana tjetër të presë qeveria dhe ekonomia për thithjen e investimeve duke parë në sy investitorët se si dhe ku do të investojnë? Mos ndoshta nevojitet një fokusim për investime në vetëm 1-2 sektorë? Kjo do të thotë që investimet publike të orientohen drejt përgatitjes së kushteve për realizimin e investimit sipas kërkesave të investitorëve.
Përgjigjet që mund të jepen nuk mund të klasifikohen në të mira dhe të këqija. Investitorët do të kryejnë ato investime që i vendosin nëse ata ndihen të sigurt se fitimet e tyre do të jenë në trende rritëse dhe se nuk do të preken nga destabiliteti i politikës dhe veçanërisht politikës fiskale. Investitorët do ta konsiderojnë atdheun e kapitalit të tyre Shqipërinë, vetëm nëse nga studimi i tregut u rezulton se ka një klasë punëtore të aftë për perdorimin e teknologjisë me kosto të pranueshme për rikthimin e investimit.
Nga ana tjetër do të duan të ketë një infrastrukture transporti shumë më dinamike dhe me kosto te ulet në lidhjet e nyjeve hyrëse dhe dalëse. Por, një temë tjetër që u ndikon në vendimet e tyre është shëndeti buxhetor i vendit. Pasi të studiojnë se institucionet kryesore ndërkombëtare janë shprehur me pozitivitet për ekonominë dhe financat publike, atëherë dhe vetëm atëherë qeveria duhet tu shërbejë me një administratë që të bëjë atë që ka për detyrë dhe të bëjë shumë pak nga ato që bën zakonisht këto 20 vitet e fundit. Pra, të rregullojmë Shqipërinë në lidhje me: treguesin e transparencës dhe korrupsionit; treguesin e lirisë ekonomike; treguesin e konkurrueshmërisë së ekonomisë.
Të gjitha kanë një rezultante shumë kuptimplote: rritjen e të ardhurave për frymë për të mos mbetur dhe për shumë dekada të tjera në bisht të mirëqenies së Europës.