Reforma zgjedhore, kërkohet depolitizim dhe trajnim i komisionerëve

0
150

Komisioni i Posaçëm për reformën zgjedhore zhvilloi sot një seancë dëgjimore me tre organizata të shoqërisë civile, Akademinë për Studime Politike, Koalicionin për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci të Qëndrueshme dhe Institutin e Studimeve Politike.

Në seancën e drejtuar nga bashkëkryetari demokrat, Oerd Bylykbashi, ishte i pranishëm dhe një delagacion i OSBE-ODIHR.

Kryefjalë e diskutimeve ishte nevoja e depolitizimit të komisionerëve zgjedhorë dhe trajnimi i tyre.

Ndërkohë, politologu Afrim Krasniqi nga Instituti i Studimeve Politike e vuri theksin tek domosdoshmëria për të të ndërhyrë në ligjin e partive.

“Kemi 129 parti, nga të cilat në dijeninë time katër kryetarë kanë vdekur dhe zyrtarisht vazhdojnë të funksionojnë” tha ai.

Oerd Bylykbashi në emër edhe të bashkryetarit socialist Çuçi tha se ekziston e gjithë hapësira kohore që Komisioni të punojë me intensitet të lartë por me një organizim të mirë për të arritur ndryshime thelbësore në kornizën zgjedhore.

“Plani i punës do të na ndihmojë për këtë. Është shumë i rëndësishëm angazhimi të gjithëve ne, por edhe i ekspertëve” tha ai.

Pjesë nga diskutimet në mbledhje

Oerd Bylykbashi: Ligji është i pamjaftueshëm për të përballur vullnetin ose mungesën e vullnetit politik. Për rrjedhojë jemi në këtë fazë të re të reformës zgjedhore, jam i sigurt se kontributi juaj do të jetë përsëri shumë i rëndësishëm dhe thelbësor në arritjen e zgjidhjeve konsensuale.

Eksperti për zgjedhjet pranë ODIHR: Ekspertiza jonë mund të jetë verbale ose me shkrim sidomos sa i përket rishikimeve të kuadrit ligjor, mund të jepen në mënyrë formale ose jo.Sikurse mund të ndihmojmë me ndarje praktikash nga vende të tjera në fushat përkatëse.Mund të ndaj me ju dy raste suksesi të ODIHR, Komisioni i Malit të Zi na kërkoi ekspertizë në rishikimin e katër akteve ligjore që ne e ofruam në mënyrë informale dhe më pas u miratuan. Po ashtu në Bosnje Hercegovinë, ku ekspertët tanë u ulën bashkë me KQZ atje për të rishikuar rregulloren e brendshme të KQZ. Jemi të gatshëm dhe të angazhuar për të marrë pjesë në këtë moment pune të reformës, në një proces autor i të cilit jeni ju, në një proces gjithëpërfshirës dhe transparent.

Evis Fico: Rekomandimi konkret është ngritja e një qëndre trajnimi për të gjithë komisionerët që do monitorojnë zgjedhjet. Kjo duhet të ngrihet pranë KQZ.

Vasilika Hysi: Propozimi juaj është që komisionert duhet të jenë propozime të partive politike, apo persona që janë permanent dhe menaxhohen nga KQZ. Për ankesat e votuesve çfarë propozoni?

Evis Fico: Për trajnimin e komisionerëve mendojmë që këta komisinerë të jenë të pavarur nga partitë politie dhe të kenë një listë përkatëse në KQZ. Të jenë të trajnuar dhe certifikuar dhe me integritet në lidhje me monitorimin e zgjedhjeve. Jo domosdoshmërisht këta komisionerë të zgjidhen nga partitë politike, kuptohet ata do të kenë komisionerët dhe anëtarët e tyre.Ajo që na intereson ne si Akademi e Studimeve Politike është trajnimi i tyre. Sa i përket përcaktimit më të qartë të institucioneve që duhet të ndjekin ankesat, ne mendojmë që duhet të jenë institucione të pavarura nga partitë politike për të trajtuar ankesat për procesin zgjedhor.

Enkelejd Alibeaj: Për trajnimin e komisionerëve keni bërë ndonjë studim? Së dyti, keni ndonjë formulë që mund të garantojnë pavarësinë politike të komisionerëve?

Evis Fico: Unë thashë që komisionerët të jenë të pavarur por jo domosdoshëmrisht absolutisht të pavarur. Për studimin, nuk kemi bërë asnjë studim për komisionerët sa të pavarur janë. Nuk ka ende një formulë që mund të zgjidhë pavarësinë e komisionerëve, nëse doni formula na përfshini dhe bashkëpunojmë për këtë formulë.

Erjona Mulellari: Pas zgjedhjeve kemi prodhuar një raport me një nga shqetesimet kryesore që kanë dalë nga monitorimi i zgjedhjeve, paanshmëria dhe politizimi i organeve të administrimit zgjedhor. Ka pasur shkelje procedurash të vazhdueshme nga komisionerët.

Vasilika Hysi: Cili do të ishte propozimi konkret për të pasur zgjedhje të menaxhuara nga trupa jo partiake? Do rrimë tek kjo formulë apo propozoni një zgjidhje tjetër.

Erjona Mulellari: Duhet garantuar profesionalizimi i tyre përmes trajnimeve të vazhdueshme dhe duhet penguar zëvendësimi i tyre në momente kur trajnimi është i pamundur.

Nard Ndoka: Komisionerët e partive politike janë ato që i kanë prishur zgjeshjet në këto vite dhe duhet patjetër të marrim një hap për depolitizimin e kësaj trupe. Jemi i vetmi vend në rajon që zhvillojmë akoma zgjedhje me militantë partiakë, që marrin urdhra partiake, zëvendësohen herë pas here jashtë kritereve, manipulojnë me votat e partive që nuk kanë përfaqësues në ato komisione. Janë e keqja e procesit tonë zgjedhor. Ne nuk po tentojmë të kemi një trupe të depolitizuar në aspektin politik, pasi të gjithë mund të kenë bindje, por të kemi një trupë zgjedhore që të mos marrin urdhra, të mos jenë të propozuar nga partitë politike. Kemi marrë kodin zgjedhor me elementë të veçantë spanjoll, italianë e grekë dhe administrata zgjedhore që është kryesore e kemi tipike shqiptare që na ka dëmtuar rëndë procesin zgjedhor, tjetërsimin e votës. Kisha dhe një pyetje, ku shihet më tepër manipulimi i votës në zgjedhjet parlamentare apo lokale?

Erjona Mulellari: Kjo është një përgjigje praktikisht e pamundur. Nuk mund te jetë e bazuar në fakte.

Afrim Krasniqi: Unë kam një material të detajuar. Do ndaj pikat kryesore. Nuk mendoj se objekti i punës së Komisionit do arrijë të prodhojë një reformë reale nëse parlamenti nuk e zgjeron ndërhyrjen e tij. Baza kryesore e gjithë problematikës zgjedhore është kontrasti i thellë mes nenit 9 të Kushtetutës për rolin e partive dhe ligjit të partive politike që praktisht në shumë elementë është i pazbatueshëm, spekulativ dhe pengues për një demokraci përfaqësuese. Kemi 129 parti, nga të cilat në dijeninë time katër kryetarë kanë vdekur dhe zyrtarisht vazhdojnë të funksionojnë. Ligji i partive politike njeh konceptimin e krijimit të partive politike, nuk njeh konceptimin e monitorimit nëse ekzistojnë partitë politike.Partitë sa herë krijohen koalicione zgjedhore janë në tregun e ofertës për të shitur siglat e tyre. Së dyti për pronat, deri sot nuk ka një inventar, nuk e ka bërë Ministria e Brendshme.Për pjesën më të madhe nuk njohin adresat e partive. Është koncepti i territorit, Kushtetuta e Shqipërisë dhe ligji i partive politike parashikon që partitë veprojnë brenda territorit, partitë kryesore në Shqipëri kanë degë në Perëndim dhe nuk arrijmë dot të kontrollojmë mënyrën si funksionojnë, financimin e tyre. Nëse ky nuk do të jetë objekt dhe parlamenti nuk do të ketë një vendimarrje për të, atëherë na mbetet të shohim çfarë mund të rregullohet me bazën ligjore.

Dashamir Shehi: Uroj që këta zotërinjtë e OSBE-ODIHR do të na ndihmojnë me të vërtetë këtë rradhë që të bëjmë ndryshim. Meqë kemi dhe kohë të mjaftueshme nga këti deri në zgjedhjet e tjera. Zakonisht ne mblidhemi dy muajt e fundit dhe kemi bërë këto arnimet e vogla  alla-shqiptarçe. Meqë kemi shumë kohë, jemi shumë njerëz dhe kemi shkruajtur shumë libra them që këtë rradhë të hyjmë seriozisht që të ndryshojmë diçka. Të ndryshojmë mënyrën si votohet, që të mos vjedhin votat. Të ndryshojmë sistemin që të mos na prodhojë kriminelë në Kuvend dhe mospërfaqësime. Të modernizojmë ligjin për partitë që mos kemi gjithë këto problematika që tha Krasniqi. Pra të bëjmë diçka që nuk është bërë herët e tjera. Të arrijmë të kemi zgjedhje të pranueshme në Shqipëri.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here