Ja kush janë 4 kandidatët shqiptarë për zgjedhjet në Itali

0
194

Emiliano Biraku është një nga 5 shqiptarët që kandiduan në zgjedhjet e kësaj të diele në Itali. Të gjithë jetojnë prej shumë vitesh përtej Adriatikut, ku tashmë kanë marrë edhe nënshtetësinë italiane.

Me profesion ekonomist, Emiliano kandidoi me Partinë Demokratike të Renzit, në të cilën është anëtar prej vitit 2014.

“Në 2016 jam zgjedhur si kryetar i “circolo”, i Qarkut, që përfshin zonën territoriale të Venecias, qendrën historike dhe ishujt. Kandidatura ime erdhi si shprehje e përfaqësimit territorial, ashtu edhe si model i integrimit në territor, pasi në Veneto tema e emigracionit është temë shumë delikate dhe do të ishte një kundërpërgjigje kundër perceptimit të gabuar që është ndaj emigrantëve”, thotë ai për Top Channel.

Po për PD-në e Renzit kandidoi në Trentino Alto Adige një tjetër shqiptare, Aneta Ngucaj.

Në jetën politike të Italisë ka vendosur të aktivizohet edhe Elona Gaxha, që kandidoi për Dhomën e Deputetëve me +EUROPA të Emma Boninos, siç tregon ajo në këtë video për portalin AlbaniaNeës.it

“Kam ardhur në Itali e vogël. Kam studiuar këtu në qytetin tim që është Peruxhia. Jam diplomuar dhe punoj si infermiere. Këtë vit, bashkë me nënshtetësinë, m’u dha mundësia që të marr pjesë aktivisht edhe në jetën politike të këtij vendi, Italisë, që unë e dua”, tregon ajo.

Anita Likmeta ka lindur në Durrës dhe është transferuar në Itali në moshën 11-vjeçare. Në këto zgjedhje kandidoi për një lëvizje të re politike, “10 Volte Meglio”.

“Besoj në një Europë multi-etnike dhe multi-kulturale. Të shikosh të rinjtë e brezit të dytë, por edhe të të parit, që kandidojnë në zgjedhjet politike, pra fillojnë të jenë pjesë aktive e këtij vendi, pavarësisht se ka parti politike që na shohin si një problem, besoj se është një faktor shumë i rëndësishëm”, thotë ajo.

Për zgjedhjet rajonale të Lombardisë, kandidoi 25-vjeçarja Bruna Kola Meçe, e diplomuar për shkenca politike. Ajo përfaqëson një parti të re, Liberi Uguali, të sapokrijuar nga një fraksion i demokratëve italianë.

Por përse kandidojnë shqiptarët në politikën italiane dhe përse partitë i bëjnë pjesë të listave të tyre?

“Kjo është një shenjë që jemi tashmë pjesë e këtij vendi, e këtij populli. Në fund të fundit, nëse do mbështetjen e një pjese të popullsisë, duhet të kesh edhe përfaqësinë e asaj pjese të popullsisë. Kjo është një mënyrë për të tërhequr elektoratin, por edhe për ta përfshirë këtë elektorat”, thotë Sonila Alushi.

Sonila Alushi është gazetare, që gjithashtu jeton me familjen e saj përtej Adriatikut prej shumë vitesh.

Janë rreth 200 mijë shqiptarët me të drejtë vote në Itali.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here