Në seancën e sotme plenare është diskutuar vettingu në radhët e policisë, një nismë e ministrit të Brendshëm, Xhafaj.
Në fjalën e tij, deputeti i LSI-së, Shezai Rrokaj, ka theksuar se policinë duhet ta drejtojnë profesionistët, jo militantët e pushtetit, ta drejtojnë dhe
të punësohen njerëzit e devotshëm, ata që e kanë pasion detyrën dhe që
nuk përdoren nga politika e nuk vihen në shërbim të saj, por i shërbejnë
zbatimit të ligjit, pra njerëzit që duhet të jenë në policinë e shtetit.
Fjala në Kuvend e deputetit të LSI-së Shezai Rrokaj
Shezai Rrokaj: Vetingu, Një polici për shtetin apo një polici për
pushtetin
Në harkun e këtyre 27 shoqëria shqiptare në tranzicion nuk ia ka dalë dot
të ndajë shtetin prej pushtetit, madje trysnia totalitare në subkoshiencë ka
vijuar t’ia nënshtrojë shtetin pushtetit dhe jo e kundërta, siç pritej të ndodhte
në fakt.
Mjafton të pyesim se a kemi ndërtuar një administratë në shërbim të shtetit
apo në shërbim të pushtetit, a kemi ndërtuar një media për shtetin apo për
pushtetin, një gjyqësor për shtetin apo për pushtetin, një polici të shtetit apo
të pushtetit, për të kuptuar secili prej nesh së brendshmi në vetëdije
realitetin e hidhur të vendit të fundit në Evropë, i cili lëngon nën gërnjitjen e
retorikës kacafytëse me toksinë vrastare.
Sigurisht, ne mund të rrekemi gjithë zell, këtu në Kuvend e jashtë tij, të
anatemojmë njëri-tjetrin apo duke i thurur lëvdata vetes, porse Shqipërinë e
shohim ditën për diell ne që jemi këtu dhe ata që po e braktisin në shumicë
përditë; e shohin miqtë tanë ndërkombëtarë në raportet e tyre, të cilat ne i
lexojmë sipas interesit pushtetor.
Të nderuar kolegë: Kufijtë e shtetit janë marrë peng e janë tretur prej
zgjerimit e babëzisë së kufijve të pushtetit. Ky është realiteti, kjo është e
vërteta.
Në emër të ndërtimit të shtetit, falë ndërhyrjes dhe mbështetjes së
ndërkombëtarëve u votua me konsensus reforma në drejtësi, por gjithë
procesi po jep shenja të qarta të marrjes peng prej pushtetit të
mazhorancës aktuale. Një herë na duhet ONM-ja, pastaj bëjmë si dimë
vetë. I zgjedhim njëherë me gogla KLP-n dhe KLGJ-në, pastaj mund të
zbatohet Vettingu për ta, e marifete të tjera pushteti.
Prokuroria po shfaq shenja të vënies nën kontrollin politik prej pushtetit të
mazhorancës.
Seanca për heqjen e mandatit të Sajmir Tahirit do të ishte përpjekja e fundit
e Prokurorisë për t’u shkëputur prej pushtetit. Atë betejë shteti e humbi.
Shteti e humbi edhe betejën për zgjedhjen e prokurorit të përgjithshëm në
mënyrë kushtetuese. Çdo ditë që kalon mazhoranca jep shenja të
imunitetit, paprekshmërinë dhe pandëshkueshmërinë e saj. U mbyll dosja
Rama për thirrjen publike për pjesëmarrje të policëve në mbështetje të
mazhorancës gjatë fushatës zgjedhore. Megafera Gjiknuri e CEZ- it prej
650 milionë euro është mbuluar nga pluhuri. Ekstradohet në mënyrë të
paligjshme në Itali kryefinancieri i një bande kriminale të lidhur me emrin e
ministrit të brendshëm. Mbahet mbyllur dosja me zë e me figurë e
Vangjush Dakos e shumë raste të tjera si këto.
Nga ana tjetër, pushteti i mazhorancës që ka kapur shtetin, po përdoret
prej saj për të goditur kundërshtarët politikë dhe vetingu po duket haptazi
se është selektiv.
Ne nuk mbrojmë asnjë të inkriminuar, i çdo force politike qoftë. Ne
inkurajojmë drejtësinë të jetë e drejtë dhe e barabartë për të gjithë: si për
ata që me para, me pushtet apo me terrorin kriminal e blejnë drejtësinë,
ashtu dhe për ata që ndëshkohen pse nuk kanë mundësi të paguajnë
faturën e ujit dhe të energjisë.
Nëse shteti është i fortë (represiv), ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na
zhduk (Paul Valéry). Por ne na duhet një shtet i drejtë.
Nevoja e Vettingut në polici tregoi se policia që donit nuk ishte policia e
shtetit, por policia e pushtetit. Si asnjëherë në këto 27 vite strukturat u vunë
në shërbim të narkopushtetit. Drejtues komisariatesh me komandë nga lart
u përfshinë në menaxhimin e kanabizimit të vendit, u bënë pjesë e krimit të
organizuar dhe delegjitimuan procesin zgjedhor. Asnjë shef komisariati të
implikuar me drogën nuk po vihet në pranga dhe shumë syresh lëvizin të
lirë, pa u ndëshkuar.
Mjafton të përmendim disa fakte si: BE-ja është shprehur se 20% e votave
u blenë me kanabis; Raporti i Europol-it e etiketon Shqipërinë si furnizuesi
kryesor i BE-së me kanabis; Raporti i CIA-s e cilëson Shqipërinë si vendi
ku është problem korrupsioni dhe një korridor për kalimin e drogave të forta
drejt perëndimit dhe si furnitori kryesor i tij me kanabis. Së fundi,
Organizata Transparency International shpalli raportin e shkallëzimit të
korrupsionit për vitin 2017, në të cilin Shqipëria kishte zbritur plot 8 vende
më poshtë krahasuar me një vit më parë, pra renditet e 91-ta në botë.
Çelja e negociatave të aderimit në BE është sigurisht një lajm i mirë për të
gjithë shqiptarët. Por këto negociata kanë si kusht, ndër të tjera, zbatimin e
reformës në drejtësi, adresimin e problematikës së korrupsionit, të krimit të
organizuar dhe të sigurisë në tërësi, si dhe çështje që lidhen me një
zhvillim të qëndrueshëm të ekonomisë.
Në këtë kuptim, nëse realisht synohet një Vetting për të formatuar si duhet
policinë e shtetit dhe jo atë të përdorurën e pushtetit, ne e mbështesim pa
mëdyshje, sepse policia është fytyra e shtetit në një shoqëri. Ndaj reforma
e Vettingut duhet t’i shërbejë policisë së shtetit të drejtë, për të gjithë pa
dallim pushteti e paraje, që të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar
dhe të vihet në shërbim të komunitetit.
Por, siç po duken shenjat me drejtësinë, nëse Vettingu për policinë do të
përdoret për të bërë brenda policisë gjueti shtrigash për llogari të pushtetit,
për ta përdorur policinë si mjet për të goditur opozitën, e ca më keq për t’u
bërë palë me korrupsionin e krimin e organizuar, kjo do të shënonte heqjen
e gurit të fundit të themelit të demokracisë pluraliste, që do t’i kthente
shqiptarët në pikën fillestare të 27 viteve më parë.
Korrupsioni dhe krimi i organizuar nuk kanë ngjyrë, nuk janë as të majtë e
as të djathtë. Policia që duam është policia e shtetit të drejtë dhe të
barabartë për të gjithë qytetarët, një polici që nuk blihet a intimidohet prej
cilësdo mazhorance, që nuk përdoret për blerje votash apo për pazarin e
drogës, të tregtisë së armëve e të prostitucionit. Ajo duhet të mbështetet
prej gjithë politikës në luftë me krimin e organizuar e korrupsionin, të cilët
kanë krijuar dhe përpiqen të krijojnë shumë fije me pushtetin.
Z. Xhafa, keni një betejë të vështirë përpara dhe vetingu është një mission i
mundur, por me një kusht: të fillojë nga lart-poshtë dhe jo e kundërta, për të
mos përfunduar në një demagogji populiste apo, ca më keq, si mjet
linçimesh politike e banalizimesh mjeruese, si ato burgosjet e qytetarëve të
varfër që nuk kishin me se të paguanin faturat e energjisë elektrike.
Policinë ta drejtojnë profesionistët, jo militantët e pushtetit, ta drejtojnë dhe
të punësohen njerëzit e devotshëm, ata që e kanë pasion detyrën dhe që
nuk përdoren nga politika e nuk vihen në shërbim të saj, por i shërbejnë
zbatimit të ligjit, pra njerëzit që duhet të jenë në policinë e shtetit.