Lali ‘rrjepësi’ po i bën gjëmën Tiranës

0
199

*Kur na rripte Lali Eri, nga Koço Kokëdhima

Në emisionin “Opinion”, kryetari i bashkisë së Tiranës krenohej se ka 10 fishuar taksat dhe po i rrjep bizneset! Mburrej haptazi dhe përsëriste pa pushim se “unë i kam rrjepur ata!”. Ky është një nga përfaqësuesit më tipikë të mendësisë të politikanëve të korruptuar të Shqipërisë që erdhën në pushtet nga hiçi, nga vulgu dhe asgjëja dhe e ngritën begatinë dhe pushtetin e tyre mbi shtypjen dhe rrjepjen e popullit dhe njerëzve të punës.

Sipërmarrësit kontribuojnë me 80% të prodhimit të brendshëm bruto, punësojnë mbi 400 mijë persona dhe e mbajnë këtë paloshtet në këmbë me taksat që paguajnë. Këta sipërmarrës janë përditë nën dhunën e pushtetit, parapaguajnë 20 deri 30 për qind të vlerës për çdo kontratë e leje që marrin dhe përballen çdo ditë me dyzinat dhe hordhitë e inspektorëve dhe gjobaxhinjtë mizorë, të pashpirt dhe të panumërt të Rilindjes: inspektorët kundër rrufeve, të gazit, të duhanit, të ushqimit, të vaksinave, të punës, të higjenenës, të ajrit, të sigurimit teknik, të puseve të ujit etj etj! Kryebashkiaku, përpiqet të na hedhë hi syve përnatë nëpër ekrane duke mbjellë disa pemë, ndërkohë që po betonizon gjithë zonat më të rëndësishme të Tiranës. Vetëm në 9 muajt e fundit, ai ka dhënë leje ndërtimi për një sipërfaqe prej 406 mijë metra katror, dy herë më e lartë sesa gjithë viti 2016. Këto janë të dhëna zyrtare të INSTAT.

Në fakt, ai po rrjep popullin e thjeshtë, të gjithë njerëzit që blejnë apartamente. Sipërmarrësit paguajnë nga xhepi i tyre vetëm tatimin mbi të ardhurat personale dhe mbi fitimin, ndërsa të gjitha taksat e tjera i transferojnë te konsumatori fundor. Çmimet e apartamenteve në Tiranë janë rritur muajt e fundit me 100-200 euro për metër katror, pasi ndërtuesit kanë reflektuar “taksat rrjepëse”. Lali “rrjepsi” po i bën gjëmën Tiranës dhe qytetarëve. Vetëm klientët e Lalëve të pushtetit janë të lumtur sot, të gjithë të tjerët ndihen çdo ditë e më thellë në rrathët e ferrit!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here