Domart Konjari është shpallur në kërkim nga policia si autor i dyshuar i vrasjes së Devi alias Defrim Kasmi mbrëmjen e kaluar në Tiranë. Shkak për ngjarjen sipas grupit hetimor të policisë, dyshohet të jenë pazaret e drogës në Spanjë.
Por Vladimir Meçi, avokati mbrojtës i Domart Konjarit ka deklaruar se klienti i tij nuk ndodhet në Shqipëri. “Në dijeninë time ai nuk ndodhet në Shqipëri. Po ta dija se ku ndodhet do ua thoja”, ka thënë avokati Meçi, duke iu drejtuar gazetarëve përpara Gjykatës së Krimeve të Rënda.
Ndërkohë, si për rastësi, pikërisht sot, Gjykata e Krimeve të Rënda ka zhvilluar seancën e radhës në mungesë ndaj Domart Konjarit, i dyshuar për trafik droge. Gjyqi ndaj tij vijon prej dy vitesh, pas hetimeve te autoriteteve franceze dhe procedimit penal të transferuar në Shqipëri, pas arrestimit të Konjarit në vitin 2015. Ai u la i lirë në mars të 2016 me pretendimin e gjykatës se ishin shkelur procedurat.
Duke përfituar nga masa e detyrimit të paraqitjes, Konjari arratiset dhe prej atëherë ndodhet në kërkim ndërkombëtar. Ai rezulton i dënuar në Francë me 10 vite burg për trafik kokaine. Domart Konjari, sipas hetimeve paraprake të policisë së Tiranës është i dyshuar si i përfshirë dhe në vrasjen e mbrëmshme të Devi alias Defrim Kasmi, ngjarje kjo e ndodhur në rrugën Petro Cani, pranë QSUT-të në kryeqytet. Krimet e Rënda kanë shtyrë seancën për të thirrur 28 dëshmitarë të cilët sipas prokurorisë janë në Francë.