Dedektivët privatë në Shqipëri: Nga tradhtitë deri te spiunazhi industrial

0
180

Detektivi privat shqiptar, tashmë është profesion i licencuar, i mbështetur në një vendim gjykate dhe i paguar mirë. Por, për çfarë i punësojnë shqiptarët detektivët privatë?

Gjëja e parë që bie në sy në takimin me Shkënda Lilin janë sytë vëzhgues dhe hetues. Këto aftësi, tregon ajo, të lindura dhe të ushqyera nga pasioni për këtë profesion, e kanë bërë që të shndërrohet në detektiven e parë femër në Shqipëri. E konsideron profesion me kohë të plotë, si dhe ka themeluar një agjenci të mirëfilltë investigimi. Detektivi për Shkëndën do të jetë profesioni i së ardhmes dhe i kërkuar po aq sa avokati. Shqipëria, një vend i vogël, por njëkohësisht edhe i madh sa u përket problemeve, sipas saj, do të mësohet më shumë me konceptin e detektivit privat.

Kërkesat, të nisura edhe tani, në fusha të ndryshme, parashikohen të shtohen. Tradhtitë bashkëshortore, divorcet “pa fajtor”, vjedhjet e pazbuluara, mashtrimet në fushën e biznesit dhe spiunazhet, zbulim gjurmuesi dhe përgjuesi, e deri te vrasjet e pazgjidhura dhe njerëz të humbur ndër vite: të gjitha këto janë çështje që detektivët e parë në Shqipëri kanë nisur të marrin. Por, jo të gjithë dalin zbuluar dhe pjesa më e madhe e tyre punojnë në kushtet e anonimatit dhe si punë sekondare. Detektivët shkelin shpesh në “zona të minuara”, investojnë kohë dhe kanë kosto të larta, megjithatë, sipas burimeve të kontaktuara, paguhen shumë mirë. Të zbulosh në rast se partneri apo partnerja ju tradhton, çështje e cila po kërkohet më tepër këto kohë, kushton “veçse” 1500 euro.

Investiguesi privat si profesion ka lindur para 150 vjetësh, agjencia e parë është hapur në Francë në vitin 1833. Ndërsa në Shqipëri, në vitin 2015, Qendra Kombëtare e Licencimit e ka pranuar ngritjen e një Instituti të Detektivit Privat, i cili formon dhe licencon detektivë. Ndonëse ende nuk është miratuar një ligj që rregullon këtë profesion, aktualisht ai konsiderohet si profesion i lirë dhe mbështetet në ligjin që përfshin këto profesione. Në Shqipëri, periudha e gjatë e tranzicionit ka sjellë probleme të mëdha, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit. Ndryshe nga detektivët e policisë ose hetuesve të skenave të krimit, detektivët privatë në Shqipëri zakonisht punojnë për qytetarët apo bizneset, e jo për qeverinë.

Investiguesit dërgojnë në destinacionin e duhur dokumente të ndryshme ligjore, duke i njoftuar njerëzit të ndjekin në kohë procedurat ligjore, me qëllim shmangien e penalizimeve. Investiguesit profesionistë punojnë me dhe për avokatët, bankat tregtare, agjencitë përmbarimore, fondacionet, bizneset etj. Në botë, pothuajse gjysma e numrit të detektivëve punojnë në agjenci ose më vete, si të vetëpunësuar, ndërsa pjesa tjetër është e punësuar në kompani private. Ata janë të specializuar në hetime bashkëshortore, në gjurmim statik dhe në lëvizje, hetime financiare, mungesën ose zhdukjen e personave, hetime ligjore dhe penale, hetime të aksidenteve rrugore, të zjarrvënieve me dashje, të vrasjeve të pazbuluara etj.

Pjesa më e madhe e detektivëve marrin formim profesional dhe kanë pasur përvojë pune si punonjës policie. Por, nga ana tjetër, edhe njohuritë juridike rreth ligjit e procedurave ligjore, sistemeve kompjuterike dhe atyre të përgjimit janë elemente të rëndësishme të njohurive, që duhet të ketë një detektiv. Shoqata e Detektivëve Shqiptarë tregon se një pjesë e madhe e “studentëve” që marrin këtë profesion janë punonjës të policisë ose juristë, që u duhen si specializim më vete, por janë të shumtë që e kryejnë edhe si “arsimim profesional” që ta ushtrojnë si profesion primar.

Pagesat

Detektivët shqiptarë nuk e kanë të lehtë të tregojnë çmimet që kanë në funksion të shërbimeve të tyre hetuese, por një burim i Revistës Monitor tregon se për një zbulim tradhtie bashkëshortore që mund të zgjasë dy javë, pagesa është 1500 euro. Rastet e hetimeve në fushën e biznesit janë më të “kripura”.

Detektivët si profesion i lirë

Instituti i Detektivit Privat është i miratuar me vendim nr. 3635/2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Tiranës dhe gjithashtu është licencuar nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë (në vitin 2015). Ky profesion mbështetet në ligjin e profesioneve të lira, të miratuar me VKM nr.538/2009 me kodin e profesionit 3411.02; 3411.04; 3411.05; regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Licencimit. Burime nga Shoqata e Detektivëve tregojnë se vitin e parë të hapjes, janë diplomuar 7 studentë, ndërsa në vitet pasuese nuk regjistrohen më shumë se 12 të tillë.

“Biznesi privat i hetimit jo vetëm që ofron mundësi interesante dhe emocionuese të punës, por edhe mundësi vetëpunësimi për ata që progresivisht duan të jenë vetë drejtues. Për sa kohë që të rinjtë kanë mbushur 18 vjeç e lart dhe kanë dosje penale të pastër, atëherë ata kualifikohen për të hyrë në karrierën e hetimit privat. Në praktikën perëndimore, ashtu edhe në Shqipëri, nuk ka kërkesa formale për arsim për të hyrë në biznesin e hetimit privat. Çdokujt që i mungon kualifikimi në fusha të tjera, mund të ndjekë arsimin profesional në këtë fushë”. – tregon av. Ndue Pjetra, kreu i SHDSH.

Për çfarë i punësojnë shqiptarët detektivët privatë?

Sipas Shoqatës së Detektivëve, një ndër çështjet kryesore për të cilat shqiptarët punësojnë detektivët, janë rastet e divorcit. “Statistikat e marra në Gjykatën e Tiranës tregojnë se dy ndër katër nëna të divorcuara nuk marrin pagesën e plotë të mbështetjes së fëmijës. Në kushte të tilla, ato i drejtohen detektivit privat, për gjetjen e pasurisë së fshehur dhe hetimit të të ardhurave të babait të fëmijës, n.q.s. ai jeton me të ardhura mbi atë që ka deklaruar në gjykatë. Shumë baballarë për shmangien e tarifave të larta të pensionit ushqimor ndaj fëmijëve, fshehin ose manipulojnë të ardhurat reale. Gjithashtu, në punën tonë hasim në raste të keqtrajtimit të fëmijëve nga ana e prindërve, veçanërisht gjatë fazës para divorcit. Shpesh, një nga partnerët na drejtohet për të mbledhur prova, që do t’i japin atij mundësinë të fitojë kujdestarinë e fëmijëve.

Jo çdokush që i drejtohet detektivit privat domosdoshmërisht kërkon të hetojë mbi tradhtinë. “Në çështjet e brendshme familjare ka mbi 100 arsye pse dikush thërret shërbimin e detektivit privat”, – tregon kreu i Shoqatës, z. Pjetra. Ndërsa detektivja private znj. Lili tregon se tradhtitë bashkëshortore janë ndër çështjet kryesore, por pa lënë pas edhe zbulimin e tradhtive në biznes, verifikimi i përgjuesve apo gjurmuesve, vjedhjet, gjetja e personave të humbur etj. Një tjetër çështje në rritje për nga kërkesa, është edhe ajo nga prindërit për të verifikuar fëmijën, kryesisht adoleshentë, në rast se është implikuar në përdorime droge, mosfrekuentim shkolle etj.

Divorcet “pa fajtor” nxisin punësimin e detektivëve

Përpara vendosjes së të ashtuquajturës “divorc pa fajtor”, detektivët privatë punësohen për të kërkuar prova për tradhti bashkëshortore, apo sjellje të tjera në kundërshtim me statusin martesor, të cilat konsideroheshin arsye për zgjidhjen e martesës.

Këto prova ishin gjithashtu një arsye për njërin prej bashkëshortëve, i cili kërkonte që pas zgjidhjes së martesës të merrte kujdestarinë prindërore apo për arsye pasurore.
Detektivja Lili tregon për “Monitor” se në këto raste, partnerët që kërkojnë hetimin, janë të sigurt për tradhtinë, por kanë nevojë për prova në Gjykatë, në momentin që do të kërkojnë divorcin. Duke pasur prova, kanë mundësi që të përfitojnë prona nga ndarja e pasurisë.

Në botë

Shifrat e industrisë e vendosin biznesin e hetimit privat në krye të pemës së rritjes së industrive. Është krijuar një portal të ri për Investigatorët Privatë që kryesisht veprojnë mbi çështjet e vjedhjes së identitetit dhe shkeljes së të drejtës së autorit. Bota gjithashtu është bërë një vend më i vogël me biznesin e hetimit privat dhe kërkesa për detektivë privatë sa vjen dhe rritet

Detektivi në fushën e biznesit

Përveç rasteve të zbulimit të tradhtive bashkëshortore, prania e një detektivi po shndërrohet në domosdoshmëri edhe në rastet e investimeve në biznes. Detektivët tregojnë se, duke marrë shkas nga përvoja perëndimore, një investitor që synon të investojë para në një biznes, fond menaxhues ose nëpërmjet risqeve të tjera të biznesit, do t’i konsideronte të rëndësishme hetimet paraprake në fushën e biznesit.

Në këtë mënyrë, ai do të shmangte mundësinë për të qenë një viktimë e mundshme e grabitjeve apo e skemave false. Nëpërmjet punësimit të një detektivi privat, investitori mund të informohet për të gjitha detajet dhe risqet, duke parandaluar në këtë mënyrë humbjet financiare. Ky lloj hetimi është quajtur “hetim nëpërmjet kujdesit” dhe ka pasur një zhvillim të konsiderueshëm, veçanërisht pas shekullit XXI, citojnë detektivët.

Ndër çështjet e trajtuara në fushën e biznesit, detektivja Shkënda na tregon se për të verifikuar tradhtinë në biznes apo mashtrimin, rruga e ndjekur i ngjan një filmi thriller. “Klienti është pronar i një biznesi të madh të rëndësishëm, i cili dyshon që bashkëpronari, ortaku apo aksioneri e tradhton apo mashtron. Këto çështje marrin kohë më të gjatë, duke qenë se shpeshherë, na duhet të shndërrohemi në të infiltruar të mirëfilltë në kompanitë në fjalë. Aplikojmë për punë pranë kompanisë, pasi pranohemi, socializohemi dhe ndjekim me radhë të gjithë hapat e nevojshëm për të zbuluar çështjen e kërkuar”, – tregon ajo.

Z.Pjetra tregon një rast ku një menaxher firme vuri në dispozicion të firmës konkurrente listën e plotë të klientëve me të cilën punonte firma në fjalë, duke i shkaktuar biznesit humbje klientele dhe tkurrje në të ardhura. Kur “fajtori” u pyet se cili ishte qëllimi i këtij veprimi, ai u përgjigj se e nxori informacionin për shkak të nervozizmit ndaj punëdhënësit të tij.

Vështirësitë në tregun shqiptar

Puna e detektivit është shumë e lodhshme, ka shumë vështirësi dhe ka kosto. Kështu tregon detektivja Shkënda Lili, e cila këtë profesion e ka shndërruar në biznes. “Në rastet e investigimit për çështje të mëdha si në bizneset e mëdha apo edhe çështje delikate si njerëz të humbur, zbulim i vrasjeje etj., vështirësitë dhe sfidat janë të panumërta. Koha që do të duhet të investosh është ndër vështirësitë kryesore, si dhe kujdesi që të mos zbulohesh, që të jesh brenda ligjit, si dhe që të kesh rezultate në investigim. Edhe të funksionuarit si biznes, me krijimin e agjencisë, kostot e punonjësve, taksat etj. janë pjesa tjetër e medaljes që na ndikon edhe në çmimet që kemi. Pastaj, çështje si tradhtia, verifikime informacionesh etj., mund të konsiderohen edhe si “shërbim luksi” jo të gjithë mund t’i kërkojnë”, – tregoi znj. Lili

Detektivët “zbulojnë”

-Tradhti bashkëshortore
-Montim GPS
-Zbulim Identiteti
-Persona të humbur
-Kontroll për përgjues
-Parandalim i humbjeve
-Zbulim i falsifikimit (të markave & patentave mbi produktet industriale)
-Vëzhgim / kundërvëzhgim
-Hetim mbi personalitetin apo të shkuarën e personave
-Mashtrime mbi pronat / të ndryshme
-Hetim mbi aksidentet automobilistike
-Zbulim i pabesueshmërisë së ortakut
-Mashtrimin me siguracionin e makinave
-Vjedhje në ambientet e biznesit & magazinave

Ligji për “detektivin privat”, domosdoshmëri

Shoqata e Avokatëve antikorrupsion ndër vite ka lobuar për krijimin e një ligji. Kryetari i saj, z. Ndue Pjetra, tregon se aktualisht detektivi privat është një profesion i rëndësishëm, që ka gjetur zbatim të hershëm në vende të ndryshme të botës.

Procesi i hetimit është një zinxhir i tërë, që ndihmon në ecurinë e hetimit dhe në zbardhjen e një ngjarjeje, ku ka dyshime për shkelje ligjore apo edhe për vepra të rënda penale. Struktura e Policisë së Shtetit është baza e këtij hetimi dhe e ndihmesës, në zbatim të ligjit nga ana e qytetarëve. Punonjësit e policisë, agjentët sekretë, oficerët e policisë gjyqësore, Prokuroritë e Gjykatat kryejnë një veprimtari me rëndësi në këtë proces, sipas tij.

“Megjithatë ndihet një vakum, lidhur me shumë raste të pazbardhura apo pushime të njëpasnjëshme të çështjeve, për mungesë provash. Me gjithë respektin për punën e tyre, hetimet lënë vend për dyshime e hipoteza të ndryshme. Kjo mungesë apo kjo dobësi në hetim, në mbledhjen e provave dhe fakteve, çon gradualisht në hapësirën e shumëpërmendur të korrupsionit. Për këtë arsye është domosdoshmëri vendosja e një ligji për profesionin e detektivit privat”, – tregon z. Pjetra.
Ka ardhur koha, thekson avokati, që ky zinxhir hetimor të plotësohet me të gjitha hallkat e tij ligjore, në mënyrë, që avancimi i sundimit të ligjit, eliminimi i korrupsionit dhe ndërgjegjësimi i qytetarëve për të zbatuar ligjin, si dhe për të pasur besim të plotë te ky i fundit, të kthehet në një realitet të prekshëm.

“Ka ardhur koha, që shumë dosje, të cilat ‘flenë’ në arkiva, të rihapen dhe të hetohen me profesionalizëm dhe në përputhje me ligjin, në mënyrë, që dyert e institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale, të hapen për dënimin e fajtorëve të vërtetë dhe për lirimin e kaq shumë të pafajshmëve, që humbin vitet e jetës së tyre aty, padrejtësisht. Është e kuptueshme, që s’do të jetë e lehtë vënia në zbatim e një ligji të tillë, por do të sjellë efekte pozitive dhe mbi të gjitha, do t’i afrojë qytetarët më afër ligjit dhe zbatimit të tij, duke pasur më në fund besim tek drejtësia dhe institucionet e saj”, – përfundon zv. Pjetra./Monitor

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here