“Carmen” ndërthur ekselencën shqiptare në botë me emra të mëdhenj të muzikës operistike shqiptare. Kjo opera sjell në skenë aktoren e madhe Tinka Kurti, ndërsa Carmen vjen nën interpretimin e Vikena Kamenica”
Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit do të çelë sezonin e ri artistik për vitin 2018 në datën 30 janar. Do të jetë opera e famshme “Carmen”, projekti gjigand e tejet ambicioz që do të ngrejë siparin e sezonit të ri artistik të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. “Carmen” do vijë në skenën shqiptare pas 10 vitesh me regji të Gezim Myshketës. Kjo vepër do të sjellë në Shqipëri edhe dirigjentin spanjoll Ricardo Casero, i cili tashmë nuk është më i panjohur për publikun shqiptar. Ricardo Casero është drejtor i Orkestrës Mbretëria e Aragonit, Spanjë ku ka punuar me solistë si Maxim Vengerov, Sarah Chang dhe Natalia Gutman, Është dirigjenti kryesor i Master Symphony Orchestra, një pozicion që e mban nga viti 2007. “Carmen” do të vijë për publikun shqiptar në datat 30, 31 janar dhe 1,2,3 shkurt në Pallatin e Kongreseve. Ky projekt gjigant do të ngjitë në skenën e Pallatit të Koncerteve 170 artistë mes tyre këngëtarë lirik, balerinë dhe aktorë të njohur. Kjo shfaqje ndërthur ekselencën shqiptare në botë me emra të mëdhenj të muzikës operistike shqiptare. Kjo opera që vjen premierë më 30 janar, sjell në skenë aktoren e madhe Tinka Kurti, ndërsa Carmen vjen nën interpretimin e Vikena Kamenica. Gjithashtu kjo vepër do të rikthejë balerinën e famshme Ambeta Toromani, ndërkohë mjeshtri Gheorghe Iancu do të jetë koreografi i trupës së baletit të TKOB.
Gjatë konferencës për shtyp ku u prezantua opera që çel sezonin e ri artistik të TKOB-së, drejtoresha e institucionit Zana Çela ndaloi dhe analizoi sukseset e Teatrit të Operës dhe Baletit për vitin që lamë pas. “Viti 2017 është një nga vitet më të rëndësishëm për institucionin tonë pasi për herë të parë gjatë historisë 61-vjeçare te teatrit tonë, godina e TKOB i nënshtrohet rikonstruksionit përmes një projekti te madh. Në Janar -Mars 2017, TKOB iu nënshtrua zhvendosjes dhe përshtatjes në një godinë të re. Kjo u shoqërua me një punë kolosale të transferimit jo vetëm të trupave dhe mjeteve, por dhe arkivave, dekoreve dhe kostumeve. TKOBAP jo vetëm që nuk rrëzoi ritmin e shfaqjeve, por i dha mundësinë publikut shqiptar, si kurrë më parë te ndiqte artin operistik në të katërta anët e Shqipërisë.”, është shprehur Zana Çela. Edhe pse nuk ka pasur një ndërtesë, TKOB nuk ka ndalur premierat dhe shfaqjet për publikun. Të shumta kanë qenë shfaqjet që janë dhënë gjatë vitit 2017 dhe jo vetëm brenda në Tiranë, por edhe jashtë saj duke u shtrirë në të gjithë vendin. Gjatë vitit 2017, TKOB udhëtoi e performoi aty ku publiku ishte, në skena dhe sheshet e vendit, në teatrot e kryeqytetit dhe shume qyteteve të tjera të vendit. Në prezantimin e kalendarit të ri artistik dhe daljen e parë për mediat për këtë vit, drejtuesja e TKOB-së bëri edhe bilancin për vitin që lamë pas. Kanë qenë plot 105 shfaqje të realizuara për periudhën mars-dhjetor 2017. “105 shfaqje, opera, balet, koncerte dhe eventet e kalendarit “Edukimi përmes Artit”, nga të cilat 24 ishin shfaqje premierë. TKOB është falënderues i publikut shqiptar, i cili ka mbushur si asnjëherë tjeter sallat e tij. Gjatë vitit 2017 shfaqjet tona u ndoqën nga 258,055 spektatorë. Gjithashtu gjatë vitit 2017 audienca u rrit shumë me serialin e shfaqjeve OPERA ON TOUR. Për herë të parë pas 35 vjetësh, TKOBAP performoi nëpër qytetet e Shqipërisë me vepra operistike dhe baleti, si: Shkodër, Elbasan, Fier, Vlore, Durres, Prishtinë, Korçë etj. Viti 2017-të ishte viti i premierave të mëdha të suksesshme, të cilat edhe pse u përshtaten me shumë vështirësi në sallën e Pallatit të Kongreseve, u realizuan me një nivel të lartë artistik dhe audiencë maksimale. Nder to më të suksesshme ishin: Baleti “Liqeni i Mjelmave”, Opera “Peshkatarët e Perlave”, Baleti “Exil-Déjà vu”, 60 – Vjet Ansambli Popullor – Koncert Gala, Grand Gala e Vitit të Ri – “Pop Stars to Opera Stars” etj.”, pohoi Zana Çela. standard.al/