Bashkia e Korçës shtrenjton më tej tarifat e ujit për qytetarët dhe bizneset

0
136

Enti Rregullator i Ujit ka vendosur rritjen e tarifave të ujit për qytetin e Korçës, që deri më tani aplikonte tarifat më të larta në të gjithë vendin. Vendimi mban datën 29 dhjetor 2017, ndërkohë që do t’i shtrijë efektet prej muajit janar. Referuar dokumentit, rritja do të aplikohet si për ujin e pijshëm, ashtu dhe për ujërat e ndotura. Ndërkohë që rritje ka pësuar edhe tarifa fikse që paguajnë abonentët, duke shkuar në 140 lekë nga 120 lekë që ishte deri më tani.

Më konkretisht, abonentët familjarë do të tarifohen 7 lekë/m3 më shtrenjtë për furnizimin me ujë dhe 8 lekë më shumë për ujërat e ndotura, çka do të thotë se këto dy tarifa shkojnë respektivisht në 72 lekë/m3 dhe 42 lekë/m3. Të njëjtën rritje e kanë pësuar edhe institucionet buxhetore, të cilët nga muaji janar do të paguajnë 117 lekë/m3 për ujin e pijshëm dhe 64 lekë/m3 për ujërat e ndotura.

Të vetmit që nuk preken nga ndryshimi janë entet private, të cilët do të vijojnë të paguajnë 140 lekë/ m3 për ujin e pijshëm, ndonëse atyre u reflektohet një rritje me 8 lekë/m3 për ujërat e ndotura. Në prag në nisjes së reformës në sektorin e ujit, janë një sërë kompanish që kanë aplikuar për rritje çmimi, duke bazuar kërkesën në nevojën për investime dhe rritjen e kohës së furnizimit me ujë. Ndërkohë që, në rastin e Ujësjellës-Kanalizime Korçë, që furnizon abonentët 24 orë me ujë të pijshëm, rritja e çmimit u kërkua për shkak se në vitin 2019 Shoqëria e Ujësjellës-Kanalizimeve ka detyrimin për të shlyer apo për të filluar kthimin e të gjitha kredive që ka marrë nga donatorët. Gjatë kohës së miratimit në Këshillin Bashkiak të qytetit juglindor, rritja u kundërshtua nga këshilltarët e djathtë, duke argumentuar se kjo do të rëndojë xhepat e qytetarëve.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here