Nainggolan nuk do të luajë kundër Atalantas, vendimi i klubit mbetet në fuqi.
Roma do të përballet nesër me Atalantën, në ndeshjen e vlefshme për javën e 20 të Serisë A, ndërsa trajneri Di Francesco ka njoftuar se ka lënë jashtë mesfushorin belg, Radja Nainggolan.
Ky vendim vjen në mbështetje të qëndrimit të klubit, që më herët dënoi sjelljen e belgut, që u filmua i dehur dhe duke pirë duhan.
“Nuk ka futbollistë të paprekshëm në ekip. Skuadra ka disa rregulla, që duhen respektuar nga të gjithë. Nainggolan i theu ato dhe po paguan, pavarësisht se e vlerësojmë për sjelljen dhe kontributin e tij në fushë”, tha Di Francesco në konferencën e sotme për shtyp.
Ky është një lajm mjaft i mirë edhe për portierin e Atalantës, Etrit Berishën, pasi belgu njihet si një futbollist me goditje mjaft të hidhura nga distanca.