Policia e Shtetit duket se po ndjek një strategji aspak ligjore duke ndaluar shtetas shqiptarë në pikat kufitare me pretekstin se janë persona të shpallur në kërkim.
Bëhet fjalë për qytetarë që morën pjesë në protestën e thirrur nga opozita përpara parlamentit, ditën që mazhoranca socialiste kishte vendosur zgjedhjen e Prokurores së përkohshme të Përgjithshme.
Burime policore bëjnë të ditur se janë të paktën 8 persona që janë ndaluar në pikat e kalimit kufitar, pas protestës deri në mbnrëmjen e djeshme, pasi emrat e tyre rezultojnë në listën e kërkimit policor.
Së fundmi policia ka ndaluar në Pikën e Kalimit Kufitar të Morinësshtetasen Fiqirije Nezaj, 50 vjeç.
Fiqirije Nezaj, u ndalua në Morinë me akuzën e kundërshtimit të policisë gjatë protestës së 18 dhjetorit.
Ky është rasti i dytë në 48 orët e fundit, pasi më 31 dhjetor u ndalua edhe ish-sheshi i FNSH, Osman Levanaku, në pikën e kalimit kufitar të Qafë-Thanës, pasi rezultonte person në kërkim, edhe ai për shkak të protestës. Ai po udhëtonte drejt Strugës me familjen e tij, ku kishte prenotuar për të festuar natën e ndërrimit të viteve.
Pothuajse të gjithë personat nuk kanë qenë në dijeni se janë shpallur në kërkim nga policia, e cila duket se ka zgjedhur një strategji aspak normale dhe ligjore, përsa kohë ajo ka arritur të identifikojë personat dhe nuk ka ndërmarrë asnjë proccedurë njoftimi për to.