Përfundon rrugëtimi i “Dama me kamelie”, regjisorja dhe aktorja Luli Hoxha: Më mungon Margarita…

0
325

 

Për 8 netë më radhë u vu në skenën e Teatrit Kombëtar për herë të parë, një nga kryeveprat botërore të Aleksandër Dyma-s (I riu), “Dama me Kamelie”. Një histori dashurie e jashtëzakonshme u shfaq për publikun shqiptar,i cili e përqafoi dhe e priti mjaft mirë. Vepra e Alexandre Dumas u ngjit në në skenë me regji nga Luli Hoxha, e cila njëkohësisht i dha jetë edhe rolit të Marguerite Gutier në kryeveprën “Dama me Kamelie”. Një kurtizane e bukur dhe një ndër më të paguarat në Paris arrin të dashurohet me Armand Duval dhe dashuria aq e madhe për të, bën që ajo të braktisë jetën e saj si kurtizane dhe të shkoj në fshat me të. Marrëdhënia e tyre ndërpritet nga i babai i Armand Duval (që u interpretua nga aktori Viktor Zhusti), për shkak se ishte në kundërshtim me vlerat morale të shoqërisë. Fati i saj është tragjik, e bukura Marguerite Gutier përfundon e vetme dhe e braktisur nga të gjithë. Dashuria e saj e frenuar, lodhja nga mentalieti dhe ikja e saj është një liri që shpalos dhe zhvillon ngjarjet në retrospektivë për të vërtetuar edhe njëherë se asgjë nuk ka ndryshuar. Në një kohë që duket sikur dashuria është e dalë nga moda, regjisorja Luli Hoxha e ngjiti pikërisht në këtë periudhë në skenë për të bërë thirrje që të zgjojmë ndjenjën e dashurisë dhe të thyhen pikërisht këto muret e mentalitetit dhë moralit që ka vendosur vetë shoqëria. Kjo vepër erdhi me dramatizimin brilant të Laert Vasilit, i cili luajti të dashurin e Margaritës, Armand Duval dhe nën interpretimin e Luli Hoxha, Viktor Zhusti, Raimonda Bulku, Gjergj Mena, Xhino Musollari, Josif Sina dhe Karafil Shena. Në këtë intervistë për gazetën “Standard”, aktorja dhe regjisorja Luli Hoxha vjen për të folur për këtë shfaqje, për ndjesinë që i dha Margarita dhe botëkuptimit të saj për dashurinë.

Intervistoi: Irini Meçe

 

Ka përfunduar rrugëtimin me sukses shfaqja “Dama me kamelie” ne Teatrin Kombëtar. Ju më herët për këtë shfaqje jeni shprehur se e keni parë si një sfidë me veten se deri ku ju do të arrinit. Tani që shfaqja u dha për pubikun, sa e kënaqur jeni ju dhe çfarë feedback keni marr?

Nuk dua që të mbaroj ky rrugëtim dhe dua që ta shëtis nëpër vendet e tjera, pse jo edhe në Tiranë nëse më jepet mundësia prap. Publiku e ka dashur, e ka pritur. Në lidhje me feedback-un që kam marr nuk di të them, pasi jam akoma në ato ujra dhe kur bën një punë dhe që pritet mirë, je e kënaqur. Jam e lumtur që unë arrita të vendos në skënën teatore një pjesë që unë e kisha ëndërr.

Çfarë ju ka bërë që ta dashuronit kaq shumë këtë vepër saqë vendosët që ta vinit edhe në skënën e teatrit kombëtar?

Kjo është merita e Alexandre Dumas. (buzëqesh)

Një kurtizane shumë e famshme në Paris dhe një ndër më të paguarat, por e cila ka një fat tragjik. Çfarë ndjesie të dha ty Margarita?

Unë e kam ndjerë shumë këtë vepër dhe jam futur brenda personazhit që kur e kam lexuar. Atë lloj ndjesie që kam patur vetëm duke e lexuar, doja që t’ia falja vetëm vetes në skenën teatrore. Më duket sikur e kisha kuptuar si qenie Margaritën. Sa herë që mbaronte shfaqja më vinin njerëzit që më takonin, më përshëndesin, ishin njerëz të emocionuar që përloteshin dhe unë nuk arrija të deportoja dot në komunikim me ta sepse isha akoma brenda rolit dhe në fakt jam ende aty, tek shfaqja. Dhe tani që kanë mbaruar 8 netët në Teatrin Kombëtar ndihem bosh, më mungon Margarita dhe dua që ta luaj prap.

Margarita është edhe viktimë e mentalitet dhe moralit të shoqërisë, e cila është pikërisht kjo gjë që dashurinë mes Margaritës edhe Armand e kthen në të pamundur.  A mundet që dashuria të thyejë pikërisht këto muret e mentalitetit?

Ne që jemi në skenën e teatrit na kërkohet që ta themi, sesa arrihet ajo pastaj nuk di të them.

Ku ndahet dhe ku bashkohet Luli nga personazhi Margarit, sa i takon botëkuptimit për dashurinë?

Është një gjë që unë e mbart në vetvete dhe më pëlqen të dashuroj. Jam e hapur ndaj kësaj ndjesie. Shoh që realiteti këtu, jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë është bërë pak i egër. Është një ndjesi që ne e kemi, por e kemi të fshehur dhe e shmangim. Prandaj doja ta sillja sot, pikërisht në ditët e sotme, për të thënë që duhet ta shfaqim dashurinë.

Sillet pikërisht në këtë moment për të rizgjuar ndjenjën e dashurisë, e cila kohët e fundit ka dal jashtë mode. Kush e ka zbehur dashurinë sot?

Pragmatizmi, oportunizmi dhe shumë gjëra të tjera…

Çfarë vendi do të zërë roli i Margaritës në repertorin tuaj artistik?

Tani për tani është më i rëndësishmi.

Çfarë të përbashkëtash, por edhe të veçantash keni ju me Margaritën?

E përbashkëta midis meje dhe Margaritës është ndjeshmëria. Por përsa i përket autobiografisë së Margaritës nuk ka ndonjë lidhje me jetën time, por forca e brendshme që ajo ka për të thyer këtë rebelizëm të mentalitetit është edhe tek unë.

Sa kohë ju është dashur që të përgatiteshit për të ngjitur këtë vepër në skenën e teatrit?

Puna ka filluar që kur kam marr aprovimin nga Teatri Kombëtar dhe që më dha mundësinë që ta ngjisja në skenë. Duhet të ket diku tek 7-8 muaj. Kam një falenderim shumë të madh për Laert Vasilin i cili më ka ndihmuar shumë. Ky nuk ka qenë bashkëpunimi i parë më Laertin. Kemi qënë bashkë tek shfaqja “Kush e solli Doruntinën” me regji nga Laerti, ku unë interpretoja rolin e Doruntinës. Një bashkëpunim tjetër ka qenë tek shfaqja  “Shembja e shtëpisë Asher”. Bashkëpunime që kanë pasur fryte. Me Viktor Zhustin është hera e dytë që bashkëpunoj dhe dua ta falenderoj. Rajmonda Bulku, ishte hera e parë që punoja me të dhe dua ta falenderoj me gjithë zemër për gjithë përkrahjen dhe mbështetjen që më ka dhënë në rol. Një pjesë e meritave të rolit i takon edhe Rajmondës sepse herëpashere qëndronte jashtë dhe më jepte detaje. Xhino Musollarin e kam dashuruar tek shfaqja “Lukrecia Borxhia” edhe e doja atë aktor patjetër. Josif Sina një student që ishte një surprizë për mua. U mundova që të shfrytëzoja elementët e plastikës dhe të interpretimit të tij. Kështu që unë krijova një personazh që Dumai nuk e ka, por është një personazh i imi falë Josifit.  Duke përmendur edhe Karafil Shenën dhe Gjergj Menën që iu jam shumë mirënjohës. Me këtë kast aktorësh , ky ka qenë një ndër bashkëpunimet më të mira që kam patur ndonjëherë dhe një punë shumë e frytshme.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here