Ish-truproja e Sali Berishës rrëfen orët në komisariat/ I përgjigjet edhe Taulant Ballës

0
338

Ish-truproja i Sali Berishës, Sali Lushaj, një nga pjesëmarrësit në vijën e parë të protestës së të hënës para Parlamentit, u mbajt për disa orë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, duke u liruar dje në orët e para të mëngjesit.

Ai tregoi dje se është mbajtur në Polici pa ndonjë arsye konkrete, por vetëm për faktin se ishte në protestë. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Sali Lushaj tregon se do të shkojë në çdo protestë të Partisë Demokratike dhe të njëjtën gjë u ka thënë edhe policëve mbrëmjen e së hënës. Ndërsa tregon se ka shkuar vetë në Polici, menjëherë sapo e ka lajmëruar i biri, këngëtari Arkimend Lushaj, i njohur si Stresi, pasi efektivët i kishin shkuar në shtëpi. Po ashtu, ka dhe një përgjigje për deputetin socialist Taulant Balla, i cili e quajti “ushtar” të Sali Berishës. “Unë jam e do mbeten ushtar i Partisë Demokratike”, shprehet Lushaj.

Keni qenë pjesëmarrës në protestën e së hënës?

Po, po, kam qenë. Në radhë të parë. Aty afër policëve.

Ishit kundër zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm?

Unë personalisht do kisha lobuar që Prokuror i Përgjithshëm të zgjidhej Aranit Çela, se kështu e duan.

Kishte konfrontime apo konstatuat ju ndonjë person pjesëmarrës në protestë, që përdori sende të forta?

Absolutisht jo. Ne çfarë kemi qenë në radhë të parë, nuk kemi parë asnjë veprim të tillë, dhune apo goditje me sende të forta. Po të ishte për goditje, mund ta bënim ne që ishim në radhë të parë. Por, absolutisht që nuk ndodhi asgjë e tillë, madje ne kemi pasur marrëdhënie shumë të mira me Policinë. Madje u bënim thirrje edhe të tjerëve që të ruanin qetësinë.

Ju ishit aty që në nisje të protestës?

Po, po, që në fillim. Kur filloi të tensionohej situata? Nga ora 10:00 a diçka më shumë se kaq.

Pse ndodhi? Kishte ndonjë provokim, ndonjë nxitje apo çfarë?

Nisi nga zhvillimet që ndiqeshin nëpërmjet televizionit. Në varësi të zhvillimeve brenda në Parlament, ndodhi që u tensionua situata.

Ju vetë patë ndonjë person që u lëndua apo u plagos, ose ndonjë punonjës Policie të plagosur?

Kam parë një grua që ishte plagosur. Por punonjës Policie nuk kam parë asnjë të jetë lënduar. Ata që ishin aty, të radhës së parë, asnjë nuk është lënduar. Madje, ne që ishim aty. kemi bërë muhabet gjatë gjithë kohës me policët që kishim para nesh. Muhabet shumë vëllazëror. Madje, u kemi thënë që të mos bëhen merak pasi askush nuk do gjuante apo kryente veprime të dhunshme ndaj tyre. Se nga kanë ardhur ata që nisën dhunën, kjo është e habitshme. Kjo është një situatë e krijuar. Nga një shkop plastik nuk dëmtohet polici. Aty ka gjuajtje nga njerëz provokatorë. Nuk ka asnjë mundësi tjetër.

Kur ju shoqëruan në Polici?

Jemi shpërndarë normalisht dhe qetësisht. I kam hipur makinës, kam ardhur në shtëpi, kam ngrenë drekë. Pastaj kam dalë me një mikun tim për të pirë një kafe. Gjatë kësaj kohe më ka marrë në telefon djali, Stresi. Më thotë që ka ardhur Policia te shtëpia. Unë gjithnjë se mos kishin ardhur për atë dhe e pyeta: Pse çfarë ke bërë? “Jo, kanë ardhur për ty, nuk kanë ardhur për mua”, më tha.

Stresi vetë nuk ishte në protestë?

Jo, nuk ishte. Ka qenë në gjumë sepse ishte gjithë natën në koncert. As unë nuk i thashë asgjë.

Pra, Policia erdhi t’ju merrte në shtëpi?

Po, aty. Djali u ka thënë që nuk jam aty dhe më ka marrë mua në telefon. Thuaju që për 5 minuta do paraqitem vetë në Komisariat, i thashë djalit.

Shkuat vetë në Komisariat?

Po, kam shkuar vetë. Te Komisariati nr.4. Pastaj nga aty më çuan në Drejtorinë e Policisë. Aty dhashë edhe deklarimet.

Çfarë ju thanë, cili ishte motivacioni?

Më pyetën nëse kisha qenë në protestë. U thashë që kam qenë. Shini kamerat, shihni çdo lloj lëvizje që kam bërë u thashë. Ju thashë që as një polic nuk mund të thotë për mua që kam gjuajtur apo që kam sharë. Ju thashë që kam marrë pjesë në protestë dhe do marr prapë. Madje, ju thashë që e kanë lënë shumë vonë protestën e radhës në janar. Duhej ta kishin bërë më shpejt. Kështu e kam dhënë deklaratën.

Kishte shumë persona të shoqëruar në Polici në kohën që shkuat ju?

Kishte shumë. Nuk e di me saktësi se sa mund të kenë qenë të shoqëruar, por pashë që ishin të gjitha dhomat plot me persona që kanë qenë pjesëmarrës në protestë. Kur ju lanë të lirë? Sot (të martën), në orën 03:00.

Po me çfarë motivi ju mbajtën kaq gjatë?

Absolutisht pa asnjë motiv. Vetëm kur më thanë në 3 të mëngjesit që të dal. Thjesht pse mora pjesë në protestë. Ose për të më frikësuar që të mos marrë pjesë herë tjetër. Po kjo nuk ndodh dhe s’ka për të ndodhur, sepse e kam thënë gjithmonë dhe e thashë edhe aty, që unë do jem pjesë- marrës në çdo protestë. Prapë me ata policë do jem. Unë nuk jam as për dhunë, as për asgjë të kësaj natyre. Unë jam për protesta paqësore.

Pasi dolët, u njohët me deklaratat politike ku ishte përmendur edhe emri juaj?

Po, jam njohur. Ka folur Taulant Balla. Më vjen keq që ka përmendur emrin tim. Unë s’kam pasur asnjë synim politik. Nuk kam bërë debat me asnjë përfaqësues politik, as të PS-së dhe as të ndonjë krahu tjetër. Çfarë ka me Berishën apo persona të tjerë përfaqësues të politikës, le të merret me ata, jo me mua. Unë thjesht i them që, nuk është mirë të përmendet emri im. “I vetmi ushtar”, ishte shprehur Balla. Unë do të them vetëm kaq. Unë jam e do të mbetem ushtar i Partisë Demokratike. Sepse një vëlla më është vrarë në protestë. Jo se ai e ka lënë amanet, por derisa ai është vrarë në protestë, unë, deri në frymën e fundit të jetës, unë dhe gjithë familja ime do të marrim pjesë në protesta. Në çdo lloj protestë që organizon Partia Demokratike. Por, kurrë, kurrë për të lënduar, plagosur ose ofenduar një njeri, që është me uniformë të Policisë së Shtetit. Në jetën time nuk kam ofenduar një polic. Po të ishte ashtu, ata do ta kishin deklaruar vetë. U munduan edhe dje të merrnin deklarime policësh kundër meje, por asnjëri nuk tha gjysmë fjale karshi meje. Pasi nuk kishte ndodhur asnjë veprim i tillë./Panorama

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here