Parlamenti i turpit dhe shëmtisë politike përballë qytetarëve!

0
207

Fjala në Kuvend e Zëvendëskryetarit të LSI-së Luan Rama

Në fakt diskutimi për Aktin Normativ “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin numër 130, 2016 të buxhetit të vitit 2017” do të duhej të ishte një seancë ku të demonstrohej përgjegjshmëria maksimale nga të gjithë deputetët pa asnjë dallim përkatësie partiake apo politike, sepse jemi në një situatë kur qytetarët presin që angazhimi dhe serioziteti ynë të materializohet apo të konkretizohet në produkt për ta.

Diçka në më pak se tre javë, gjysma e Shqipërisë u përmbyt. Jetë njerëzish u vunë në rrezik, u shkatërrua prona, u dëmtua në mënyrë të pakthyeshme dhe të pariparueshme pasuria e qytetarëve shqiptarë, dhe sot do të duhej që nga kjo foltore të demostronim, më së paku, qoftë edhe formalisht ndjenjë përgjegjësie përballë tyre, duke rialokuar fonde me prioritet në investime në atë infrastrukturë që bën të mundur që të mos përsëriten më fenomene të tilla.

Mirëpo çfarë ndodhi? Pamë sot këtu pamjen më të shëmtuar të sjelljes politike përballë qytetarëve; fyerje, zhargon, banalitet, kanosje, kapërdisje, dhe mbi të gjitha turp politik përballë qytetarëve, të cilët nuk kanë nevojë që të shohin ministrat të shkojnë me çizme mbi gjunjë në momentet kur bie shi dhe përmbyten, por duan të shohin sot, nesër dhe çdo ditë që punohet që përmbytje të mos ketë më. Mirëpo edhe sot nuk bëmë përjashtim nga steriotipi i sjelljes sonë politike të papërgjegjshme, dhr ç’është më e rëndësishmja, jashtë etikës dhe edukatës më minimale, me të cilën duhet të shfaqet një qytetar i zakonshëm, e jo më një njeri që ka mbi vete atributet e përfaqësimit politik dhe qeverisës.

Meqenëse këtu para të gjithëve sot foli “nxënësi i Konicës”, më lejoni që për të, të lexoj se çfarë ka thënë Konica për nxënës të kësaj kategorie.  -“Ata që do të donin t’i ngopnin shqiptarët me retorikë, në vend që të urojnë zhvillimin intelektual të tyre, japin provën më të qartë të armiqësisë së tyre ndaj shqiptarëve”. -“Shqiptarët honxhobonxho të lidhur pas karriges së pushtetit, janë të tmerrshëm për mizori dhe kapadaillëk”. Shqiptari duket si i bërë për të qenë lodër e një mashtrimi të përjetshëm; një fatalitet i dhimbshëm që rri pezull mbi kokën e këtij populli të mjerë”. Ndaj në shenjë refuzimi dhe distancimi nga gjithë ajo shfaqje e shëmtuar politike që u demonstrua sot një këtë foltore dhe në këtë sallë përballë qytetarëve, shenjë e papërgjegjshmërisë së politikës përballë shqetësimit dhe interesit të tyre, unë e ndërpres këtu diskutimin dhe refuzoj të vazhdoj të flas më tej në këtë vend, ku është shfaqur në dimensionin më alarmant shëmtia e politikës.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here