Procedura të reja për lejet kur rregullon çatinë, fasadat, ulluqet, dritaret

0
208

Çdo subjekt, i cili kërkon të pajiset me leje apo të paraqesë deklaratë paraprake për kryerje punimesh, është i detyruar të dorëzojë aplikimin për leje dhe dokumentacionin shoqërues nëpërmjet sistemit elektronik të lejeve. Vendimi është marrë në mbledhjen e Këshillit të ministrave ku për kryerjen e punimeve të brendshme, si: përforcimi i strukturave mbajtëse të brendshme, hapja dhe mbyllja e dyerve të brendshme; krijimi, eliminimi ose ndryshimi i mureve ndarës (jombajtës) të brendshëm, i mjediseve për shërbime higjienike dhe realizimi i impianteve të reja higjieno-sanitare dhe të ngrohjes/ftohjes duhet të njoftohet sistemi elektronik i lejeve.

Ndryshimet e fundit ligjore parashikojnë që çdo person që kryen punime për ndërhyrje të jashtme për riparimin dhe zëvendësimin e rifiniturave të jashtme të ndërtesave, me kusht që të ruhen karakteristikat origjinale të tyre, si: rifreskimi i lyerjes, suvatimit dhe veshjes së fasadave me materiale që kanë karakteristika dhe ngjyra të njëjta me ato ekzistuese; pastrimi i fasadave; riparimi dhe zëvendësimi i dritareve dhe dyerve, qepenave dhe vitrinave (duke përfshirë përdorimin e materialeve të ndryshme), pa ndryshuar karakteristikat e tilla si forma, ngjyra nuk duhet të pajiset me leje ndërtimi, por duhet të njoftojë para se të nisë punën.

Dokumentet

Dokumentet që duhet të depozitojë personi i interesuar për njoftimin e deklaratës paraprake për kryerje punimesh, janë: Formulari i deklaratës, sipas kësaj rregulloreje dhe formatit të përcaktuar në sistemin elektronik të lejeve, dhe, sipas rastit: Dokumenti që vërteton pronësinë e tij apo të drejta të ligjshme për pasuri private ose publike, për strukturën që ka në përdorim, në përputhje me legjislacionin në fuqi; Projekti teknik i realizimit të punimeve, i firmosur nga projektues të licencuar. Brenda 5 ditëve nga dorëzimi i deklaratës paraprake për kryerje punimesh, nëpërmjet sistemit elektronik të lejeve, autoriteti vendor përgjegjës kryen verifikimet e nevojshme dhe, në rast se konstaton mosrespektimin e kushteve dhe kërkesave ligjore që rregullojnë deklaratën paraprake të punimeve, e kundërshton atë me vendim të arsyetuar. Në mungesë përgjigjeje nga autoriteti vendor përgjegjës, brenda afatit 5-ditor, konfirmimi konsiderohet i dhënë në heshtje dhe sistemi gjeneron aktin përkatës e njofton deklaruesin për mundësinë e fillimit të punimeve.

Sistemi elektronik i lejeve
Sistemi i lejeve shërben si pika e vetme, ku paraqitet, elektronikisht, kërkesa për leje, sipas legjislacionit të planifikimit dhe zhvillimit të territorit dhe realizohet procesi i bashkërendimit ndërinstitucional, gjatë procedurës së shqyrtimit të kërkesave. Nga ky sistem realizohet monitorimi i lejeve të ndërtimit, të lëshuara nga organet përgjegjëse të qeverisjes vendore dhe nga Këshilli Kombëtar i Territorit;

Shqyrtimi i kërkesave
Autoriteti vendor përgjegjës dhe sekretariati i KKT-së, sipas fushës përkatëse të kompetencës shqyrtojnë kërkesën për leje zhvillimi, duke bashkërenduar punën, nëpërmjet sistemit elektronik të lejeve, me të gjitha autoritetet publike të specializuara, nëse pasuria për të cilën kërkohet leja e zhvillimit ndodhet në zona apo është objekt me kufizime apo kushtëzime të veçanta sektoriale, për shkak të vlerave monumentale, arkeologjike, natyrore apo mjedisore.

Njoftimi për ndërhyrjet

1. Rifreskimi i lyerjes, suvatimit dhe veshjes së fasadave me materiale që kanë karakteristika dhe ngjyra të njëjta me ato ekzistuese;
2. Pastrimi i fasadave;
3. Riparimi dhe zëvendësimi i dritareve dhe dyerve, qepenave dhe vitrinave (duke përfshirë përdorimin e materialeve të ndryshme), pa ndryshuar karakteristikat e tilla si, forma, ngjyra, dizajni dhe dimensionet e pjesëve të hapura dhe transparente;
4. Zëvendësimi i pjesshëm i mbulesës së çatisë, pa ndonjë ndryshim të formës, pjerrësisë dhe karakteristikave të veshjes;
5. Riparimi dhe zëvendësimi i ulluqeve e oxhakëve, edhe me materiale të ndryshme;
6. Riparimi i ballkoneve, tarracave dhe basamakëve apo barrierave mbrojtëse;
7. Vendosja e hekurave mbrojtës në dritare;
8. Vendosja e tendave të diellit dhe rrjetave kundër mushkonjave;
9. Sistemimi i oborreve;
10. Riparimi i rrethimeve ekzistuese.

Leja e zhvillimit
1. Dokumenti i lejes së zhvillimit i paraprin lëshimit të lejes së ndërtimit për ndërtime të reja, nga autoritetet vendore, dhe përmban, në nivel njësie:
a. përdorimin e tokës dhe strukturat e lejueshme;
b. intensitetin e ndërtimit;
c. koeficientin e shfrytëzimit të tokës për ndërtim;
ç. lartësinë maksimale në metra;
d. distancat;
dh. gjelbërimin publik;
e. parkimin;
ë. fragmentin e hartës në gjendjen ekzistuese, që pasqyron edhe lidhjen me infrastrukturën në zonë;
f. informacion rreth kufizimeve apo kushtëzimeve të veçanta në pronën përkatëse.

Dokumentacioni për pajisjen me leje zhvillimi
1. Dokumentet e vetme që duhet të paraqesë pronari ose zhvilluesi për t’u pajisur me leje zhvillimi, janë, si më poshtë:
a) Kërkesa për leje, sipas formatit të aplikimit, të përcaktuar në këtë Rregullore dhe në sistemin elektronik të lejeve;
b) Dokument që vërteton të drejtat pasurore të pronës/ave që marrin pjesë në zhvillim dhe, nëse ka, kopje të marrëveshjes për pronën;
c) Mandatpagesa e tarifës së aplikimit.

Afatet për ndërhyrjen në banesë, lajmërimi duhet bërë 5 ditë para

11 llojet e ndërhyrjeve nga jashtë e brenda që mund të bëni

Personat që duan kryejnë punime në shtëpi duhet të njoftojnë minimalisht pesë ditë para njësinë e qeverisjes vendore përmes një deklarate. Inxhinieri i njësi paraqitet pranë objektit ku do të kryhen punime për verifikimin e të dhënave të deklaratës me projektin e punimeve në terren. Pas verifikimit kërkuesi mund të nisë punimet në shtëpi në tij. Janë në total 11 lloje punimesh të jashtme dhe 7 lloje punimesh të brendshme që mund të kryhen pa leje ndërtimi, por vetëm me deklarimin paraprak pranë njësisë së qeverisjes vendore. Në një prononcim për konica.la, administratori i Njësisë Administrative Nr. 11, Gentian Arapi bën të ditur të gjithë punimet që mund të kryhen në shtëpi pa leje ndërtimi. “Kryhen pa pajisje me leje ndërtimi: a) Ndërhyrje të mirëmbajtjes së zakonshme, që përfshijnë: i) ndërhyrje të jashtme për riparimin dhe zëvendësimin e rifiniturave të jashtme të ndërtesave, me kusht që të ruhen karakteristikat origjinale të tyre, si vijon:- rifreskimi i lyerjes, suvatimit dhe veshjes së fasadave me materiale që kanë karakteristika dhe ngjyra të njëjta me ato ekzistuese; – pastrimi i fasadave; – riparimi dhe zëvendësimi i dritareve dhe dyerve, qepenave dhe vitrinave (duke përfshirë përdorimin e materialeve të ndryshme), pa ndryshuar karakteristikat e tilla si forma, ngjyra, dizajni dhe dimensionet e pjesëve të hapura dhe transparente;- zëvendësimi i pjesshëm i mbulesës së çatisë, pa ndonjë ndryshim të formës, pjerrësisë dhe karakteristikave të veshjes; – riparimi dhe zëvendësimi i ulluqeve dhe oxhakëve, edhe me materiale të ndryshme; – riparimi i ballkoneve, tarracave dhe basamakëve apo barrierave mbrojtëse;”, – bën të ditur Arapi. Gjithashtu, punime të brendshme që nuk mund të kryhen vetëm pas depozitimit në njësinë administrative përkatëse janë edhe vendosja e hekurave mbrojtës në dritare; vendosja e tendave të diellit dhe rrjetave kundër mushkonjave; lëvizja e shtresave të sipërme të oborreve; riparimi i rrethimeve ekzistuese./GSH

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here