“Nëse këtu në Shqipëri do të kishte Prokurori dhe Gjykatë në lartësinë e betejës, nuk do të kishte ardhur dita ta shikonim atë video”, tha kreu i qeverisë, duke përjashtuar veten nga përgjegjësia, si i akuzuari kryesor nga opozita për lidhjet e tij politike me anëtarë të arrestuar dhe në kërkim të asaj bande.
“Një gjë duhet thënë, – tha Rama në takimin me drejtuesit e Policisë së Shtetit, – jo për të justifikuar çfarëdo qoftë po për të vënë gishtin deri në fund në plagë: Për Policinë e Shtetit në këto 4 vitet nuk ekziston një frymë e gjallë që nuk kapet. Nuk ekziston një bos, një kapo apo një tërësi elementësh të rrezikshëm që nuk kapen. Jo, në këtë territor nuk ekziston një drejtësi që i le prapa hekurave.
Po të ishte dëgjesë me publikun, që nuk është dëgjesë, do t’i kërkoj çdo burri apo gruaje këtu të dëshmonte e secili do të mbante një fjalim të gjatë për sa e sa raste kur Policia i ka futur tek dera e Gjykatës dhe Gjykata i ka nxjerrë nga dera tjetër.
Sa herë këta bosë, këta kriminelë kanë hyrë atje me kapuç në kokë dhe u kanë thënë atyre atje se “tani do të flasim bashkë”! Nuk kishte gjë më degraduese, më fyese, për Policinë e Shtetit, se ajo video që doli gjithandej në Elbasan. E papranueshme!
Por, nëse këtu në Shqipëri do të kishte Prokurori dhe Gjykatë në lartësinë e betejës, nuk do të kishte ardhur dita ta shikonim atë video.
Për ta mbyllur, çdo drejtues dhe punonjës Policie, të mbajë kokën lart dhe të jetë i sigurt se do të jetë i mbështetur fuqimisht për të mbajtur lart flamurin e Policisë së Shtetit që ne e kemi ngritur dhe nuk e ul asnjë furtunë balte.”