“Ndihem një show-girl”/Xhensila Pere: Nuk kam vend në sirtar për të lënë ëndrrat e mia

0
250

Intervistoi: Irini Meçe

Lajmi më i çuditshëm që kam dëgjuar për veten ka qenë kur “i dashuri” i radhës ishte bërë vëllai im

Ambicioze, tërheqëse, pakomplekse dhe një vajzë me këmbë në tokë do të ishin pikërisht këto fjalë që do ta përshkruanin më së miri Xhensila Pere. Në çdo dalje televizive ajo arrin të rrëmbejë vëmendjen dhe ta prezantojë më së miri veten e saj. Dhe pyetja në këtë rast do ishte: A ka ndonjë gjë që Xhensila nuk di ta bëjë mirë? Së fundmi po e shohim në spektaklin e kërcimit ‘Dance With Me’, e cila është një nga konkurrentët e këtij edicioni në çift me Trim Jetullahu. Ajo po na tregon që di të kërcejë mjaft mirë, saqë deri në këtë periudhë e ka ‘rrëmbyer’ me meritë një kupë. Xhensila Pere vjen në këtë intervistë për gazetën ‘Standard’ për të na folur më shumë rreth pjesëmarrjes së saj në këtë show, por gjithashtu jemi ndalur për të folur rreth modelingut apo dhe planet e saj.

 

  Prej disa javësh je një nga konkurrentet në spektaklin e kërcimit “Dance With Me”  në çift me reperin nga Kosova Trim Jetullahu. Deri më tani si e përshkruani këtë eksperiencë dhe si po e përjeton?

E kam thënë , e them dhe do vazhdoj ta theksoj që është një nga eksperiencat më të bukura të miat dhe një spektakël që gjithmonë e kam pëlqyer dhe kam dashur që të jem pjesë e tij.

 Si është raporti i Xhensilës me kërcimin?

Mesa duket qenka një raport shumë i mirë , e “duam” njëri-tjetrin. Si çdo vajzë e vogël edhe unë kam ëndërruar të jem balerinë dhe duke parë ecurinë time, duhet ta kisha vazhduar këtë ëndërr.

Cila ka qenë një nga shfaqjet apo koreografitë e realizuara nga ju që e keni shijuar më shumë apo dhe që ka qenë i vështirë?

Nuk ka mundësi të dytë për të lënë një përshtypje të parë dhe padyshim kërcimi i natës së parë do ngelet gjatë në memorien time, por pa lënë mbrapa të gjitha koreografitë ,sidomos tangon e kësaj të hënë, e cila ishte një nga numrat më të shpejtë dhe me një teknikë të vështirë.

Si janë marrëdhëniet e tua me antarët e jurisë apo dhe me konkurrentët e tjerë ?

Kam një marrëdhënie shumë të bukur me të gjithë. Përsa kohë nuk ka eleminime , normalisht do këtë pozitivitet mes nesh.

Ndërkohë përveç pjesëmarrjes në këtë show, ju po merreni edhe me pjesën e marketingut të revistës ‘Vip Albania’ duke mos lënë pas edhe punët me modën apo modelingun. Sa e rëndësishme është moda dhe modeling tashmë për ju?

Ajo është bërë tashmë pjesë e imja, sapo thua Xhensila në mendje të vjen moda dhe modelingu. Pavarësisht eksperiencave të ndryshme që unë kaloj, ajo është primare për mua.

Sipas gjykimit tuaj si e shihni industrine e modës dhe modelingun në Shqipëri?

Më duhet ta pranoj që kemi avancuar së tepërmi. Interneti ka bërë rolin e vet duke bërë që të jemi më kreativë dhe në standarde të larta përsa i përket videove dhe fotove. Por janë shtuar shumë edhe të “vete-quajturat” modele gjë që ka krijuar një konfuzion mes profesionisteve dhe vajzave të instagramit.

Cila është këshilla që ju jepni vajzave të reja që duan të merren me modeling?

Është një botë shumë komplekse, ku mbi të gjitha për të qenë një modele e vërtetë duhet të kesh fizikun e duhur. Modele nuk është Kim Kardashian (sëmundja aktuale për të gjitha vajzat),  por Adriana Lima apo Irina Shayk. Primare për një modele është sjellja me aparatin fotografik pasi kufiri mes elegancës dhe vullgaritetit është shumë e vogël, por fondamental për një modele të vërtetë.

Kemi parë një Xhensila shumë ambicioze, e cila kudo që shkel shkëlqen. Pra nuk ka gjë për ju që nuk e bëni mirë. Pas pjesëmarrjes suaj në ‘Dance with me’ si do të vazhdojë karriera për ju tashmë, ku do të angazhoheni më vonë?

Një ndër arsyet që vendosa për t’u bërë personazh publik ka qenë kjo, ta njohin Xhensilën në 360 gradë , në të gjitha dimensionet. Ndjehem një “Showgirl” që di të bëj gjithçka përpara ekranit. Kam akoma disa fusha në të cilat nuk kam eksperimentuar ende. Jam e hapur kundrejt çdo ftese ndaj jam në pritje të ftesës së radhës. Se ku, ende nuk i dihet.

Ndonjë ëndërr e juaja që qëndron ende në sirtar?

Jam një vajzë e rrëmujshme dhe nuk kam vend ne sirtar për të lënë ëndrrat e mia. Përpiqem t’i realizoj të gjitha.

Këshilla që e mban vathë në vesh apo që e keni patur gjithmonë parasysh për të arritur sukses?

Qëndroj me këmbë në tokë dhe jam gjithmonë vetvetja. Në momentin që shtiresh apo kërkon të shesësh veten për atë që nuk je, herët a vonë do dështosh.

Cili ka qenë thashethemi më i çuditshëm për ju që keni dëgjuar për veten?

Përveç lajmeve që më lidhin dhe zgjidhin me çdo mashkull të mundshëm, lajmi më i çuditshëm ka qenë kur “i dashuri” i radhës ishte bërë vëllai im (shkak u bë një foto që po përqafoheshim) dhe lajmi që isha shtatzanë.

Njiheni si një nga vajzat pa komplekse të showbiz-it në Shqipëri. Ju si do e përshkruani veten?

Xhensila dhe kaq. Ajo që shihni në ekran është edhe në përditshmërinë e saj. E sinqertë dhe pozitive.

Duke qenë një personazh tashmë publik ju duhet të qëndroni gjithmonë në formë, përpos faktit që e bukura është pasioni juaj. Ju sa kujdeseni ju për veten?

Përsa i përket fizikut falenderoj Zotin dhe mamin që nuk kufizohem në të ngrënë , nuk kam hequr akoma dorë nga pizzat dhe ëmbëlsirat ,pasi e kam gjenetike ndërsa për pjesën tjetër kujdesem mjaftueshëm sepse mbi të gjitha e dua dhe e respektoj veten.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here