Alarmi i ish-drejtorit të Policisë: Familjet kriminale kanë lidhje me pushtetin, të ndërhyjë SHBA

0
174

Për ish-drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Ahmet Prençi, deklaratat e ambasadorit amerikan, Donald Lu, janë një dëshmi e qartë se në Shqipëri pushtetin e ka krimi. Kjo, sipas tij, është gjëja më e rëndë në këto 27 vjet. Sipas Ahmet Prençit, krimi i organizuar mund të fuqizohet në momente dobësie të shtetit dhe kjo nuk është se nuk ka ndodhur. Por kur krimi merr mbështetje, mbrojtje e shkëmbim favoresh, atëherë quhet “Mafia”.

Në një intervistë për Panorama, Prençi shprehet se emrat konkretë që përmendi ambasadori Lu nuk përbëjnë më lajm, pasi ka edhe të tjerë, që nuk i përmendi e që dihen nga të gjithë. Por sipas tij, baronët që drejtojnë qytetet, nuk preken nga Policia, madje edhe përkrahen. Sipas Prençit, Policia ashtu siç di çdo elementë kriminalë, i di edhe lidhjet e tyre me pushtetin, e për këtë arsye ndihet e demotivuar.

Ambasadori amerikan foli dje për ekzistencën e 4 grupeve kriminale dhe 20 familjeve në Shqipëri. A ka dijeni Policia e Shtetit për ekzistencën e tyre?

Për këto detaje konkrete nga fjala e ambasadorit, mendoj që duhet të pyesni vetë zotin Lu. Gjithsesi, me sa jam informuar edhe nga media, kontaktet e partnerëve amerikanë me strukturat ligjzbatuese në Shqipëri vazhdojnë të mbeten intensive, çka më krijon bindjen se Policia Shqiptare e di se për çfarë bëhet fjalë konkretisht. Deklaratat e ambasadorit bazohen në Raportin e Departamentit të Shtetit, që ishte shumë alarmant, si asnjëherë, të shteteve të BE-së, pa harruar dhe mediat prestigjioze ndërkombëtare, që jo rrallë kanë shkruar për kriminalitetin shqiptar këtë periudhë aktuale.

Çështja është se çfarë ka bërë policia jonë gjatë kësaj periudhe për goditjen e tyre? Policia e Shtetit ka burimet e veta të informacionit për aktivitetin e gjithsecilit element kriminal, lidhjet mes tyre, ashtu sikurse dinë dhe nuhasin më së miri lidhjet që ata kanë me pushtetin. Kjo e fundit, sigurisht që e demotivon çdo pjesëtar të organizatës së Policisë së Shtetit. Nga kjo pikëpamje, Policia jo e jo, por asnjë qytetar nuk ka nevojë që t’ia tregojë informacionet një ambasadë, ambasador a shërbim partner. Ne këtu jetojmë dhe në këtë vend të vogël, gjithçka merret vesh, por e thënë nga ambasadori i SHBA-së, është shumë alarmante.

Si funksionojnë këto grupe e familje? A ka të dhëna Policia për zonat ku veprojnë apo fushën ku shtrihet aktiviteti i tyre i jashtëligjshëm?

Të jeni të bindur që i ka të gjitha të dhënat dhe informacionet e nevojshme! Çështja shtrohet, “përse nuk vepron”? Çfarë e ka demotivuar, demobilizuar, denatyruar trupën policore të vendit, e cila përveç kupolës drejtuese, është po ajo e sukseseve që bënë të mundur liberalizimin e vizave, anëtarësimin në NATO, vizitat falënderuese të sa e sa drejtuesve të organizatave policore të vendeve më të zhvilluara partnere?!

Përse sot, të njëjtat vende kërkojnë deri rikthimin e regjimit të vizave për shqiptarët, për shkak të kriminalitetit që policia jonë nuk po e dominon më? Çfarë ka ndryshuar nga 5, 7 apo 9 vite më parë? Është shtuar territori? Jo! Është përkeqësuar teknologjia, mjetet e punës apo trajtimi e trajnimi i trupës? Jo! E vetmja gjë që ka ndryshuar, për fat të keq, rezulton të jetë vullneti politik! Përballë tij, trupa policore, edhe ajo më e afta në botë, është e pafuqishme.

Ambasadori Lu foli me emra konkretë. Përmendi Emiljano Shullazin, Lulzim Berishën e Klement Balilin. Janë vërtet këta personat me lidhjet më të forta në botën e krimit apo këta kanë mbështetjen më të fortë politike?

Emrat e përmendur nga zoti Lu, nuk janë “lajm”! Në fakt, as çështja që ngre zoti Lu, nuk është “lajm”! Këta dhe të tjerë që nuk i ka përmendur, por që gjithkush i di, e tregojnë me lirimet nga burgu edhe pse kanë marrë dënime të rënda, me sabotimet e qëllimshme të seancave të hetimit gjyqësor, apo me “fshehjen” e suksesshme (aq sa të krijon përshtypjen se në fakt askush nuk po i kërkon), se sot në Shqipëri krimi ka efektivisht pushtetin.

Për mendimin tim, këtë na tha zoti Lu me atë fjalim, dhe kjo është gjëja më e rëndë në këto 27 vjet. Krimi i organizuar mund edhe të fuqizohet në momente dobësie të shtetit, dhe kjo nuk është se nuk ka ndodhur te ne por, krimi me mbështetje, mbrojtje e shkëmbim favoresh me pushtetin, ka vetëm një emër: MAFIA. Kjo po që është hera e parë ndodh në 27 vjet. Për mendimin tim, ngritja e një task-force, e drejtuar dhe menaxhuar nga SHBA në Shqipëri e rajon, do ishte një goditje shumë efektive e kartelit të drogës, që është fuqizuar së tepërmi në këtë moment e që përbën rrezik për sigurinë kombëtare.

A ekzistojnë vërtet grupe kriminale që drejtohen nga burgu, që drejtojnë trafikun e drogës, vënë gjoba apo urdhërojnë vrasje? A ka dijeni Policia?

Sigurisht që po, dhe kanë ekzistuar edhe më parë aktivitete kriminale, që rezultonin se sistemin cerebral e kishin në burgje. Janë fituar beteja shumë të rëndësishme në vite nga Policia dhe Prokuroria me këtë dinamikë në vite. Në vend që informacioni i përfituar nga burgu të shërbejë si indicje për dëmtimin e goditjen e trafikut, kjo gjë lejohet me përkujdesje shtetërore kriminale.

Por, është absolutisht hera e parë që ndodh që të mbillet hashash në çdo cep të vendit, pavarësisht se është në fushë, kodër apo mal; që të punojnë mijëra e mijëra njerëz të transportuar 2 herë në ditë me furgona nga organizatat kriminale; që “investimi” në apo pranë plantacioneve të hashashit të jetë i denjë në volum e cilësi me “punët e investimet publike”; që krimi të arrijë të ndërtoje rezervuare e madje deri pista avionësh në majë të malit dhe në fund të ditës, policia të mos ketë as edhe 1 organizator, financues e trafikant të vetëm, kjo është absurde! Ky është qartësisht BASHKËPUNIM! Dhe për asnjë sekondë nuk mund të realizohet “pa lejen”, “urdhrin” dhe përfitimin e pushtetit politik që drejton policinë! Kjo, mbase është edhe arsyeja që asnjë drejtues policie nuk është ndëshkuar.

Tirana, Durrësi, Elbasani, Vlora e Shkodra janë konsideruar si qytetet me kriminalitetin më të lartë. Çfarë i bën këto qytete që të jenë kaq pak të kontrolluara nga Policia dhe herë pas here edhe ta sfidojnë?

Policia e Shtetit duhet të kontrollojë situatën e rendit në gjithë territorin, në çdo cep të vendit, këtë ka detyrë dhe mision, që i ngarkon ligji. Në qendrat e mëdha urbane, siç janë qytetet që më pyesni, nuk e vështirëson as e justifikon moskontrollin, mosrezultatin e punës së Policisë. Analiza e përpunimi i fluksit të madh të informacionit kriminal që merr policia, nxjerr në pah pikërisht mënyrën e funksionimit të këtyre organizatave kriminale.

Për sa i përket baronëve që drejtojnë në të gjithë qytetet kryesore të vendit, Policia është inaktive për arsyet që ju shpjegova më lart, madje në shumë raste, qartësisht bashkëpunuese me ta. Në këto vite nuk kemi parë asnjë aksion të Policisë për të dokumentuar dhe goditur qoftë dhe një të vetëm nga emrat “vip” të krimit. Rasti i Elbasanit është një majë ajsbergu, por situata është më e rëndë në Durrës, në Shkodër, në Vlorë etj., në Tiranë, sigurisht.

Në operacionin e fundit “Vjeshtë 2017”, a po u bllokon vërtet Policia të ardhurat krimit, apo ata “peshqit” e mëdhenj nuk janë prekur ende?

Ky aksion i fundit i Policisë, të them të drejtën, më duket si një fushatë më shumë mediatike, se sa efektive në goditjen e parandalimin e krimit. Dikush, për të cilin policia disponon të dhëna që ka krijuar pasuri me para kriminale, goditet në çdo kohë dhe s’ka pse të përfshihet në aksionin e vjeshtës apo të pranverës. Një person me precedent të theksuar penal, që disponon makina të markave të fundit, ndërkohë që nuk merret me asnjë aktivitet të ligjshëm, në çdo kohë hetohet dhe goditet e jo vetëm në fushatat paralajmëruese si kjo që lexojmë në media. Ligji presupozohet se vepron në kohë dhe në hapësirë njëlloj dhe për të gjithë. Nuk kam mësuar nga sa informohemi se një njeri i njohur i botës së krimit të jetë përballur me sekuestrim të pronave të vëna nga aktiviteti kriminal.

A i ka kapacitetet Policia e shtetit që t’i luftojë këto grupe kriminale siç bëri me bandat e ’97-ës, po me grupet kriminale në 2005-n?

Më së miri, përgjigjen e gjen në thelbin e pyetjes suaj. Për mendimin tim, çelësi i suksesit në luftën kundër krimit është vetëm vullneti politik i hekurt. Unë jam dëshmitar i kësaj pasi, në vitet 2005 deri në 2009 kur isha në strukturat drejtuese të Policisë, Policia i dha provat se çfarë di dhe mundet të bëjë nëse vullneti politik i vendos vetes tolerancë 0 ndaj krimit!

Kur pushteti flirton e ca më keq akoma bashkëpunon dhe përfiton nga krimi, Policia sigurisht kthehet në inekzistente. Gjithçka fillon dhe mbaron te vullneti politik i pushtetit dhe përgjegjshmëri në zbatimin e ligjit nga strukturat e Policisë. Ai ka në dorë të lirojë, ndëshkojë e përbuzë policët e ndershëm! Ai ka në dorë t’i zëvendësojë me militantë partiakë, të cilët e dinë që nuk përparojnë në karrierë për shkak të rezultateve të mira në luftën kundër krimit, por për shkak të besnikërisë ndaj partisë. Kjo mbrapshti vret profesionistin dhe i jep jetë krimit, e merr prej tij vota, domethënë pushtet.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here