Reforma ne drejtësi rrezikon degradimin

0
134

Nga Bujar Nishani

Opozita ka kundërshtuar ashpër ndërhyrjet më të fundit të qeverisë dhe maxhorancës parlamentare në proçesin e reformës në drejtësi. Përmes një letre të saj drejtuar autoriteteve ndërkombëtare që janë përfshirë në këtë proçes është denoncuar mosmiratimi i strukturave të nevojshme për proçesin si dhe përzierjen e strukturave të supozuara të pavarura me strukturat e qeverisë (Ministria e Jashtme dhe e Drejtësisë). Ky akt i fundit i maxhorancës socialiste dhe qeverisë së saj vjen fill pas asaj ku Shkolla e Magjistraturës dhe drejtuesit e institucioneve te tjera arsimore të parashikuara nga ligji kanë zgjedhur si kandidatë të tyre për në institucionet e reformës së drejtësisë Ilir Pandën dhe Genti Ibrahimin. I pari, ish Ministër i Drejtësisë në qeverisjen socialiste dhe më pas N/kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë (2003-2007) një nga periudhat e politizimit ekstrem të gjyqësorit shqiptar. I dyti, kryeautori i hartimit dhe mbrojtjes publike të projektit skandaloz të ndërtimit të institucioneve të vetingut dhe emërimeve në sistemin e drejtësisë që u denoncua si politik dhe u hodh poshtë në 70% të tij nga Komisioni i Venecias. Kjo sjellje militanteske e Shkollës së Magjistraturës dhe atyre drejtuesve të institucioneve që mazhoranca parlamentare caktoj si vendimarrës për këtë proçes delikat ishte në rrjedhën e logjikës që ndoqi vetë tentativa për kapjen politike të sistemit. Maxhoranca e majtë ndryshoj në mënyrë të njëanëshme, pa konsultë dhe model ndërkombëtar ligjin për Shkollën e Magjistraturës duke e vënë praktikisht Këshillin e saj Drejtues nën varësinë “de facto” të qeverisë.

Fakti i të qënit ministër socialist i të parit apo hartues i një projekti të mbrapshtë për ti shërbyer partisë nga i dyti nuk i bën ata njerëz të këqinj. Aspak. Por krejtësisht të pabesueshëm për të menaxhuar një proçes të pandikuar nga politika. Fakti që prej kohësh nga opozita ishte paralajmëruar emërimi i tyre në këto institucione nuk do ti privonte ata nga karriera politike por institucionet që duhet të funksionojnë jashtë frymës partiake do ti kthente në fushbeteja partizane. Fakti që ata kanë qenë bashkëpuntor të vjetër të kryetarit të hartimit të ligjeve të reformës dje dhe ministër i policisë sot, nuk mund të gjykohet. Ajo do të ishte një paragjykim i një kohe të kaluar. Por konvergimi i vullneteve politike individuale në trekëndëshin polici-prokurori-gjykatë do të ishte një minim i sistemit të së drejtës. Fakti që disponimi i tyre politik ka qenë evident në krah të Partisë Socialiste nuk do të thotë që si kompesim të lëshohet që 20% e institucioneve të zihen nga evident politik të Partisë Demokratike.

Shqiptarët kanë kërkuar dhe ju është premtuar një reformë e thellë, e vërtetë dhe e pakapur nga politika për sistemin e drejtësisë. Taksapaguesit evropian dhe amerikan kanë dhënë shumë para për të ndihmuar këtë reformim. Nëse me forcēn e faktit të kryer të gurit dhe arrës në të njëjtën dorë do lejohet finalizimi i këtij synimi të kahershëm politik, do thyhej për të mos u ngjitur dot më fija e kristaltë e shpresës së mbetur tek shqiptarët. Taksapaguesit miq e bujar evropian e amerikan do duhej të jepnin përsëri e përsëri para pasi proçeset e vetingut dhe rivlerësimit do përsëriteshin çdo pesë vjet në vijimësi. Ata politikanë që mendojnë se proçesin e reformës do ta përdorin si vathë për të mbledhur prokuror e gjyqtarë të korruptuar e të kapur për ti përdorur në interesin politik në dhunim të së drejtës dhe ligjishmërisë, kanë bërë një kalkulim fatal.

Në komunitetin e gjerë të juristëve ka me dhjetra djem e vajza të aftë, profesionistë dhe krejt të ftohtë ndaj shantazhit politik. Midis tyre do ishte zgjedhja e duhur, të paktën për ti dhënë legjitimitetin e moral këtij proçesit. Kalkulimet dhe ndërhyrja kokëfortë e pushtetit për të kapur mekanizmin e reformës nuk është gjë tjetër veçse garanci për të korruptuarit dhe të pa aftët se shërbimi i tyre ndaj të pushtetëshmëve është kriteti i vetëm për të vijuar karrierën abuzive. Ata prokuror dhe gjyqtar të paaftë që mendojnë se do shkelin mbi të drejtën e gjithkujt që nuk është në oborrin e pushtetit për ti shpëtuar gjykimit të vërtetë gënjejnë vehten përkohësisht. Beteja për të hedhur një shtrat të vërtetë dhe të sigurt për një reformim të plotë, të shëndetshëm dhe afatgjatë të sistemit të drejtësisë ështe ende e mundëshme për tu fituar. Aula e Parlamenti ku do të merren dhe vendimet përfundimtare ofron plot mundësi. Për fat numrat e forcave opozitare në Kuvend janë më të mëdha se në legjislaturën e kaluar ku shumë ligje kaluan në injorim total të opozitës. Bashkërendimi opozitar dhe komunikimi praktik me opinionin publik do të ishte mekanizmi më efikas i garantimit të drejtësisë në reformën e drejtësisë

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here