Presidenti Meta priti sot Shefin e Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Claus Neukirch
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, priti sot në një takim të veçantë Shefin e Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, zotin Claus Neukirch.
Presidenti Meta vlerësoi kontributin e dhënë nga Këshilli i Evropës për promovimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut në Shqipëri, vëmendjen ndaj të drejtës së pronës dhe lirisë së mediave, dhe duke u ndalur në mënyrë të veçantë në reformën në drejtësi, vlerësoi asistencën ligjore e shumë profesionale të ofruar nga Komisioni i Venecias.
Një theks të veçantë Presidenti Meta e vuri gjithashtu, në nevojën e bashkëpunimit mes institucioneve shqiptare dhe Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë për parandalimin dhe dekurajimin e dhunës në familje dhe ndaj grave, si dhe hartimin dhe zbatimin e projekteve të përbashkëta për një trajtim sa më të gjerë të kësaj problematike të rëndë sociale.