“Krimi po i kërkon haraçin Ramës për pushtetin që i dha”

0
174

Ish-ministri i Brendshëm, Flamur Noka deklaron se ngjarja në Elbasan është një shenjë e dukshme se krimi po i kërkon kryeministrit Rama haraçin për votat dhe pushtetin. Në një intervistë për gazetën “Shekulli” Noka komenton përplasjen e bandave në Elbasan, ndërsa thotë se e njëjta situatë është në të gjitha qytetet e vendit. Sa i përket kriminalizimit të policisë deputeti demokrat thotë se kjo ka nisur që në 2013-ën kur Rama vendosi të rikthej në polici ish-drejtues për të cilët ambasada e SHBA-ve kishte sugjeruar të largohen.

Noka thotë se Shqipëria nën qeverisjen e Edi Ramës njihet si prodhuese dhe eksportuese masive të hashashit në Europë. Çka është më e rëndë akoma, shprehet ish-deputeti, në këto katër vite ka nisur edhe eksportimi i krimit nga Shqipëria në Europë. Për këtë Noka thotë ka ngritur alarmin Britania dhe ka raporte të institucioneve të huaja hetimore. Sa i përket përgjimeve të opozitës dhe diplomatëve që ka përmendur kryetari Basha në parlament, ish-ministri thotë se është gati e faktuar se policia ka bërë përgjime të paligjshme.

Janë disa ngjarje kriminale të njëpasnjëshme që tronditin opinionin dhe po ashtu hedhin hije dyshimi rreth policisë. Në Parlament të enjten u fol gjatë dhe pati shumë akuza për lidhje të krimit me politikën. Ju si ish-ministër i Brendshëm si e shihni situatën?

Nuk ka qenë vetëm seanca e kësaj të enjteje që u fol gjatë për krimin në Parlament. Fatkeqësisht për situatën kriminale opozita ka folur prej më shumë se tre vitesh. Ne, opozita kemi katër vjet që kemi ngritur alarmin që në Shqipëri po kriminalizohet shteti, në Shqipëri politika po kriminalizohet nga Edi Rama dhe Edi Rama, së bashku me Sajë Qorrin kriminalizuan policinë. Kriminalizimi i policisë është i frikshëm.

Kriminalizimi ka nisur që në vitin 2013 kur në polici u kthyen të gjithë ata ish-drejtues policie të larguar me sugjerimin e Ambasadës Amerikane. Me miratim dhe urdhër politik u shndërrua Shqipëria në Kolumbinë e Europës. Shqipëria nën qeverisjen e Edi Ramës për fat të keq njihet si prodhuese dhe eksportuese masive të hashashit në Europë. Gjithashtu në këto katër vite ka filluar në mënyrë po kaq të frikshme edhe eksportimi i krimit në Europë.

Krimi ka pushtuar të gjitha segmentet e shtetit, krimi ka mbërthyer policinë dhe ka filluar të eksportohet krimi edhe në Europë. Britania ka dhënë alarmin, Holanda gjithashtu, shumë shtetet të tjetra dhe institucionet hetimore, Interpol dhe Europol po ashtu. Droga dhe krimi janë dy elementë me të cilët Shqipëria sot prezantohet në Europë dhe kjo është meritë, është një dhuratë që i bëhet shqiptarëve nga Edi Rama. Ajo që ndodhi në Elbasan është vetëm maja e Ajsbergut por ajo ngjarje tregoi se ky shtet është nën thundrën e krimit. Në një demokraci e përgjithësisht në çdo shtet shteti gjithmonë është ballë për ballë me krimin dhe shteti lufton krimin dhe fiton. Në Shqipëri si pasojë e investimit politik dhe e përdorimit të krimit për të blerë e shantazhuar votues ka ardhur momenti që krimi t’i kërkojë haraç Edi Ramës dhe dukshëm Elbasani është shenjë se i kanë kërkuar haraç. Elbasani është vetëm fillimi.

Vota dhe pushtet i dha krimi Edi Ramës, pushtet dhe para është haraçi që po i kërkon tani krimi Edi Ramës. Duart e lidhura të policëve tregojnë se janë të pafuqishëm të ndërhyjnë sepse pas krimit qëndron Edi Rama. Shqipëria për fatin e keq është në një fazë që krimi nuk është po ai i fortë sa shteti por krimi është shumë më i fortë se shteti dhe e ka vënë përfund shtetin. Elbasani është një rast që e tregon këtë. Fenomene të tilla janë të pranishme në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Elbasani shpërtheu por situatë po aq shpërthyese është gjithandej. Shqiptarët sot janë më të pasigurt së kurrë, shteti nuk kontrollon krimin e jo më ta shtyp e ta sundojë, nuk mundet as ta menaxhojë e kontrollojë. Ka një kthim të situatës; krimi kontrollon shtetin, politikën deri tek kryeministri dhe është ai që sundon.

Ju thatë që qeveria po rikthen në pushtet policë që ambasada ka sugjeruar të hiqen. A janë këto ajo lista e të inkriminuarve që përmendi kryetari i opozitës?

Situata është e qartë, shqiptarët në çdo qytet e dinë se kush oficerë policie, kush drejtues policie ka marrë përqindje, përqindje që ka shkuar deri tek Rama e Sajë Qorri për hashashin. Pra, ka një zinxhirë strukturash policore që menaxhojnë hashashin. Edi Rama i pari, Sajë Qorri i dyti, Haki Çako, drejtorët e gjithë zinxhiri komandues dhe deri tek inspektorët e zonave ku mbillej hashashi kanë qenë të implikuar. Ne e pamë në Elbasan. Policia ishte e pa zonja për të ndërhyrë sepse drejtohet nga struktura të inkriminuara, sepse politika qeveritare është bërë njësh me krimin dhe krimi është më i fortë se ajo, krimi e kontrollon ekzekutivin. Unë ndjej dhimbje për situatën ku u gjendën policët në ngjarjen e Elbasanit sepse ata janë duarlidhur, ata largohen nga puna, madje edhe i kërcënohet jeta nëse do të ndërhynin. Policia e shtetit është aq shumë e kriminalizuar sa do të duhen disa vjet për tu pastruar.

Qeveria është shprehur se do të luftojë drogën. Sa mund ti besohet këtij vullneti pozitiv të shprehur në deklarata?

Të besosh që kjo qeveri që e kriminalizoi shtetin, kjo qeveri që e bëri drogën fenomen jo vetëm kombëtar por edhe ndërkombëtarë, kjo qeveri që sponsorizoi dhe mbështeti kultivimin dhe trafikun e drogës, kjo qeveri që hapi korridore për tranzitin e drogave të forta, njëkohësisht do të luftojë këto fenomene, është diçka që nuk pranon mendja. Nuk mund të besosh të pabesueshmen. Nuk mundet që ai që e përhapi këtë kolerë në Shqipëri të thotë unë do e mjekoj tani. Duhet një vullnet tjetër qeveritar për ta luftuar këtë fenomen. Kjo qeveri nuk mund ta bëj.

Si ish-ministër i Brendshëm si mendoni sa vite mund të marrë gjithë procesi i pastrimit të policisë nga gjithë këto akuza për lidhje me krimin?

Në rast se do të kishte vullnet politikë ajo do të ishte diçka shumë e thjeshtë por inkriminimi i policisë është bërë me vullnet politikë dhe po këta që inkriminuan policinë është e pamundur të besosh se e kanë vullnetin për ta pastruar. Ai që e bën nuk mund ta zhbëjë, duhet të vijë dikush tjetër ta zhbëj dhe këtë do e bëjë PD-ja.

Ka një strategji opozita për ta bërë këtë?

Ne e kemi faktuar dhe kemi demonstruar qartësisht para shqiptarëve se do e bëjmë një gjë të tillë. Shqiptarët e mbajnë mend që 2005-2006 kanë qenë dy vite kur bandat dominonin pothuajse si sot Shqipërinë, ata u vunë para drejtësisë, policia u pastrua nga elementët të inkriminuar dhe shteti e policia mori fytyrë dhe pamje qytetare dhe evropiane. Sot shikohet se policia nuk e ka betejën me bandat por me qytetarët. Është qeveria e Edi Ramës dhe Tahirit që pamundëson luftën kundër krimit.

Kryetari i PD-së të enjten foli për dyshime përgjimi. Çfarë dyshimesh ka opozita për përgjimet?

Ne i kemi bërë të ditura prej kohësh faktet. Kemi vërtetuar që ka një skandal të bërë publik prej kohësh, skandali i IMCY Catsher që demonstron se policia është keqpërdorur për të përgjuar opozitën, gazetarë, diplomatë e jo për të përgjuar krimin. Ajo është rasti tipik që tregon se Rama dhe Tahiri nuk e kanë pasur si pikësynim për ta përdorur policinë për ta luftuar krimin por e kanë përdorur policinë për të luftuar e survejuar opozitën, kundërshtarët dhe për ta mbushur Shqipërinë me drogë. Edi Rama është një njeri që jeton me paranojën e tij. Kërkon të kontrollojë dhe të di gjithçka. Nuk i mjafton ekzekutivi, kërkon që edhe legjislativi edhe drejtësinë ta marrë ai nën kontroll. E ka paranojën e tij dhe për pasoj ai po përdorë të gjithë instrumentet e shtetit dhe më e keqpërdorur politikisht është policia në shërbim të interesave personale të tij./Shekulli/

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here