Dilema e PD: “Kështu është kur i beson votën Ramës” apo “Rama bleu zgjedhjet”

0
265

Nga: Gezim Saliu 

“ Këtu sikur jemi në një vend në mes të luftës. Lufta është mes kësaj qeverie dhe banorëve, jo vetëm të Shkozës, por të gjithë atyre që i besuan votës Edi Ramës. Kështu është kur i beson Edi Ramës”. Kjo ishte deklarata që dha sot paradite deputeti demokrat Edi Paloka pasi vizitoi zonën e Shkozës, ku janë hasur një sërë problematikash dhe raste dhune në kuadër të aksionit të inspektoratit që po prish banesat me arsyetimin e zgjerimit të rrugës. Por përtej kësaj problematike  (që padyshim meriton vëmendje nga të gjithë) thelbi i këtij shkrimi prek deklaratën e deputetit Paloka, kur flet për votën e shqiptarëve. Sipas Palokës, qeveria po i shpall luftë të gjithë qytetarëve që i besuan votën dhe që më tepër sipas tij, i dhanë pushtetin. Ky qëndrim i përfaqësuesit të lartë demokrat, që mban edhe postin e nënkryetarit të Kuvendit, bie tërësisht në kundërshtim me qëndrimet e mbajtura nga PD që pas zgjedhjeve të 25 qershorit.

 

PD përmes kreut të partisë dhe përfaqësuesve të tjerë i cilësoi zgjedhjet e 25 qershorit si të blera nga paratë e drogës dhe të ndikuara fuqimisht nga elementët kriminalë. Në këto kushte, PD ka pretenduar gjithë këto kohë se vota reale e shqiptarëve nuk është ajo e 25 qershorit, duke nënkuptuar se qeveria “Rama” nuk ka ardhur në pushtet në saj të votës së lirë të shqiptarëve. Mjafton këtu të kujtojmë akuzat për mbajtjen e kartave të identitetit të qytetarëve në favor të pagesës, përfshirjen e kriminelëve në qendrat e votimit apo uraganin e eurove në datat 23-25 qershor, gjë e cila realisht çoi në nivele rekord të ulëta të monedhës evropiane në Shqipëri. Ndërkohë qëndrimi i djeshëm i Palokës bie jo pak në kundërshtim me argumentet e demokratëve për zgjedhjet. Në një farë mënyrë, gati indirekte, Paloka “fajëson” votuesit që i besuan Ramës votën, akt i cili sipas tij po favorizon keqqevrisjen. Kjo deklaratë thuajse amniston vjedhjen dhe blerjen e votës, duke i dhënë Ramës legjitimitet në marrjen e mandatit të dytë.

 

Demokratët duhet ta qartësojnë këtë kontradiktë apo dilemë në vazhdim: Ose Rama i ka blerë zgjedhjet ose është votuar nga shqiptarët. Edhe blerës i votave dhe i votuar nuk mund të qëndrojnë bashkë.

 

 

STANDARD.AL

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here