Deputetja e PD: Pakti me LSI, jetëgjatë nëse vazhdon betejën opozitare

0
140

Jorida Tabaku është e sinqertë kur thotë për “Gazeta Shqiptare” se përpos manipulimit të votës, sot kemi një mazhorancë me 74 deputetë edhe për faj të PD-së. Deputetja e djathtë, qeverinë e re e quan arnim, me më pak ministri, por me një centralizim më të frikshëm në duart e disa individëve. Por, ajo bën thirrje për bashkim të kapaciteteve të PD-së në përballjen ndaj kësaj qeverisjeje, sipas saj, të lidhur me krimin dhe korrupsionin. Në këtë aspekt, Tabaku e sheh jetëgjatë paktin me LSI, nëse ajo vazhdon betejën opozitare kundër qeverisë “Rama”.  “Bashkëpunimi është në varësi të betejës që LSI ka ndaj qeverisë dhe për një opozitë të fortë. Nëse LSI apo cilido element tjetër politik është i bindur në këtë kauzë, është më se i mirëpritur, por kauzave duhet t’i shkohet deri në fund dhe jo si në rastin e çmimit të ujit në Tiranë, ku “rastësia” apo “padija” luajtën rolin e tyre në teatrin qesharak, që panë qytetarët e Tiranës. Disa parti janë zot në opozitë si rezultat i votës e disa të tjera të detyruara. Opozita reale e vendit nuk ka nevojë as të emërohet, as caktohet; opozita vepron në Kuvend e jashtë saj dhe vepron edhe me vendimmarrje”, tha Tabaku.

Zj.Tabaku, qeveria e re nisi punën për një mandat të ri katërvjeçar. Si i shikoni emrat e ministrave të kabinetit “Rama 2”?
Kabineti është një përpjekje e trishtë për të kontrolluar pa shumë mund të gjithë atë pak autonomi që kemi ndërtuar në këto 2 dekada e gjysmë shtetbërje si dhe një mungesë e qartë vizioni për prioritetet e vendit. Po të shihni emërimet apo riemërimet janë qoka personale të kryeministrit dhe akoma më keq, vazhdimi i politikave të mbrapshta të tij në katër vitet e para. Kemi ministra të koncesioneve, ministra që kanë lëshuar fletën e bardhë tek oligarkët për të ndërtuar ligjet siç i duan ata, ministra që kanë dhënë leje për të ndërtuar në zonat turistike që mund të mbroheshin, ministra që kanë rënduar xhepat e qytetarëve duke e justifikuar rritjen me propagandën e barazisë së taksës. Në pak fjalë, janë thjesht arnime që nuk e ndryshojnë thelbin e asaj që ndodhi në katër vitet e shkuara.

Si e konsideroni strukturën e re të qeverisë dhe për çfarë do u kërkojë llogari PD-ja ministrave në parlament?
Në një këndvështrim të përgjithshëm duket sikur kryeministri ka vepruar si një kryetar qeverie i një force të djathtë. Ulja e numrit të ministrive, rritje efiçence e kështu me radhë. Mirëpo nuk është kjo arsyeja e vërtetë që qëndron pas kësaj lëvizjeje të kryeministrit. Po të vini re, ndryshe nga qasja e djathtë për një qeveri të vogël, sot është propozuar një qeveri me më pak ministri, por me një centralizim më të frikshëm në duart e disa individëve. Janë propozuar krijimi i disa ministrive të parëndësishme dhe të padobishme e nga ana tjetër është propozuar shkrirja e ministrive prioritare për vizionin dhe strategjinë kombëtare. Numri i punonjësve është më i lartë, aq më shumë ku mjaft drejtori centralizohen dhe vendosen më në kontroll të kryeministrit, duke mos pasur si synim një shtet më të vogël dhe më pak kokëçarje burokratike, por në themel të debatit është një shtet më i centralizuar, më shumë pushtet nën burokracinë e kontrolluar

Në ç’kuptim?
Kryeministri pretendon ta ndajë vendin në katër zona zhvillimi, mirëpo nuk ka asnjë studim se çfarë përfiton vendi nga kjo ndarje. Ka vetëm një peng të kryeministrit lidhur me reformën territoriale, por asnjë studim që të reflektojë efiçencën e kësaj ndarjeje. Ndërkohë që nga ana politike ka më së shumti një përqendrim të pushtetit në një dorë të vetme, e cila vetëkuptohet, do të ndë- rhyjë vend e pa vend për të ndërtuar politikat rajonale, duke na kthyer edhe një herë në një betejë të kaluar me centralizimin. Së dyti, propozimi për shkrirjen e drejtorive na është ofruar me argumente jo vetëm naive, por mbi të gjitha të paqëndrueshme. Le të marr shembullin e bashkimit të ATP, ZRPP dhe ALUIZNI-t, që zoti Peleshi na fton t’i shohim nën një ombrellë me argumentin e shmangies së burokracisë. Nëse shqetësimi i qeverisë është burokracia, atëherë mundet fare kollaj që qeveria e re të shpenzojë një shumë të buxhetit për të dixhitalizuar proceset burokratike dhe për të përmirësuar komunikimin ndërmjet drejtorive.

Por duke qenë se Ministria e Inovacionit nuk qe vetëm se një qokë familjare për katër vjet, nuk ka përse të prodhojmë një nonsens logjik, duke futur në një drejtori disa entitete që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. ATP duhet të merret me kthimin dhe trajtimin e pronës tek pronarët, ZRPP me regjistrimin e kësaj prone, ndërkohë që ALUIZNI me legalizimin e një prone të marrë në mënyrë të kundërligjshme dikur dhe sot duhet ligjëruar. A ka ndonjë pikë lidhëse në këtë mes? Asnjë! I njëjti problem qëndron edhe për ministritë, të cilat bashkohen apo zhduken nga qarkullimi për t’u lënë vendin disa ministrive të padobishme dhe tërë- sisht jofunksionale. Bashkimi i Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave është një zgjidhje e mirë, në këndvështrimin tim, sikundër është edhe dorëzimi i kryeministrit Rama para propozimit tonë për bashkimin e Doganave dhe Tatimeve në një drejtori të madhe. Mirëpo, përfshirja e Ministrisë së Punës me atë të Ekonomisë dhe Financave është një tentativë për të akumuluar pushtet tek ministri i riemëruar dhe jo një përpjekje për të zgjidhur problemin e punësimit. Në shumicën e vendeve të BE, Ministria e Punës qëndron e veçantë për të ndjekur politika të veçanta, por edhe sepse ka nën kontroll disa institucione varësie të një rëndësie të veçantë.

Aktualisht përfshirja e këtyre institucioneve bashkë në një godinë me ekonominë dhe financat do të prodhojë gjithnjë e më shumë konfuzion në politikat qeveritare. Sikundër bashkimi i Ministrisë së Transporteve me atë të Energjetikës prodhon konfuzionin e prioriteteve, duke qenë se siç thotë një fjalë e urtë popullore, “Dy kunguj nën sqetull nuk mbahen”. Por këto janë një anë e medaljes, shkrirja e Ministrisë së Integrimit për ta kthyer në një drejtori në Ministrinë e Jashtme dhe mungesa e politikave kombëtare për integrimin e vendit është sinjali më i keq që kjo qeveri mund të japë. Kjo, lidhur jo vetëm me problemet aktuale që po dalin në pah, si rikthimi I vizave apo mungesa e projekteve serioze për t’u financuar, por mbi të gjitha, me të ardhmen e sektorëve jetikë në bujqësi, blegtori, turizëm dhe prodhim manifakture. Bashkimi Europian sot e kësaj dite ofron fonde për bujqësinë dhe blegtorinë, mirëpo një mungesë politikash dhe mbi të gjitha vizioni për integrimin e vendit e ka shndërruar Ministrinë e Bujqësisë në një shtojcë, e cila katër vitet e radhës do të merret me projektet e fasadës së rilindjes rurale. Ministrat e rinj do të pyeten për funksionet e reja që janë bashkuar në mënyrë artificiale, që kanë bërë në disa raste edhe të humbë thelbi dhe funksioni i këtyre ministrive.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here