Për 61 vite me radhë “Hotel Pokrok” ka qenë pjesë e arkivës në Akademinë e Filmit në Pragë, por tanimë ai u shfaq edhe për spektatorin shqiptar
Hysen Hakani regjisori i filmit të parë shqiptar me metrazh të shkurtër “Fëmijët e saj” përmes një aktiviteti u përkujtua në Muzeun Kombëtar. Aktiviteti në nder të 85-vjetorit të lindjes së regjisorit Hakani riktheu në vëmendje kontributin e tij në fushën e kinematografisë shqiptare. Vlerësimet dhe kujtimet e miqve e koleve nuk munguan. “Një pasdite me regjisorin Hysen Hakani” titullohej ceremonia përkujtimore, e cila u mbajt në sallën UNESCO të Muzeut Historik Kombëtar. Sollën kujtimet e tyre gjatë punës me Hysen Hakanin, regjisorët Kristaq Dhamo e Muharrem Fejzo, si dhe piktorët Ksenofon Dilo, Grigor Ikonomi e Haziz Karalliu. Ndërsa në ekranin e madh u shfaqën dhe një kolazh nga krijimtaria e tij. Ndërkohë e gjithë ceremonia fshihte dhe një surprizë. Pak kush e njeh historinë e filmit “Hotel Pokrok” dhe padyshim shumë më pak e dinë se çfarë trajton ai. “Hotel Pokrok” është një film me metrazh të shkurtër, i cili është realizuar nga regjisori Hysen Hakani në vitin 1956, kohë kur përfundoi studimet në Akademinë e Filmit në Pragë. “Hotel Pokrok” padyshim ishte si një ogur i mirë, guri i parë i themelit jo vetëm të krijimtarisë së tij personale, por dhe për gjithë kinemanë shqiptare, e cila në ato vite sapo kishte filluar të merrte jetë. Për shkak të kontributit të tij të hershëm, Hysen Hakani është cilësuar dhe si Pionier i Kinematografisë Shqiptare, ndërsa “Hotel Pokrok” mbetet të jetë “fëmija e parë” i këtij pionieri. Për 61 vite me radhë “Hotel Pokrok” ka qenë pjesë e arkivës në Akademinë e Filmit në Pragë, por tanimë ai u shfaq edhe për spektatorin shqiptar. Filmi është shfaqur për herë të parë për publikun shqiptar për nder të 85-vjetorit të lindjes së regjisorit Hakani. Regjisori i njohur Pirro Milkani që ka kontribuar së bashku e familjarët për kthimin e filmit në Shqipëri. Hakani e ka prodhuar këtë film për temën e diplomës në Çeki.
Hysen Hakani
Hysen Hakani lindi më 28 korrik të vitit 1932 në Berat. Ai njihet si regjisori i filmit të parë artistik me metrazh të shkurtër. Në Akademinë e filmit në Pragë, ai mbrojti diplomën, bashkë me Kristaq Dhamon, të cilët më pas u kthyen në Shqipëri, për t’iu përkushtuar kinematografisë shqiptare, e cila në atë kohë sapo kishte hedhur hapat e parë. Midis filmave të tij shkëlqen filmi “Debatiku”, (1961), të cilin e realizoi si bashkëregjisor me Gëzim Erebarën dhe ku pasqyrohet kontributi i fëmijëve të varfër në luftën Nacional-Çlirimtare, për të vazhduar më pas tek filmi “Toka jonë”, (1963), “Oshtimë në bregdet”, (1966), “Njësiti gueril, (1969), “Ndërgjegjja”(1972), “Cirku në fshat”,(1977), “Mysafiri”, (1979, “Plaku dhe hasmi” (1981), dhe “Lundrimi i parë” (1984), filma që janë ngulitur për të mos u harruar më kurrë në memorien dhe celuloidin e kinematografisë sonë. Filmi i tij i parë është filmi “Fëmijët e saj”, që u realizua në vitin 1957. U nda nga jeta më 7 shkurt 2011.