Investitorët amerikanë: Qeveria duhet të ulët taksat, jo të mburret se nuk i ngre!

0
204

Ervin Kaduku

Kryeministri Rama deklaroi se nuk pritet që të rriten taksat. Por, në një kohë kur pritet të nisë nga puna qeveria e re, komuniteti i biznesit të huaj, që zhvillon aktivitetin ekonomik në vendin tonë, kërkon që të mbahen premtimet e bëra në fushatën elektorale për lehtësimin e barrës fiskale. Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Crawford, u shpreh në një intervistë televizive dje se qeveria e re duhet të ulë taksat që Shqipëria të jetë konkurruese në Rajon. “Anëtarët tonë presin që qeveria do të plotësojë premtimet që ka bërë gjatë fushatës. Ne e dimë që opozita donte të zbriste taksën shumë, por edhe kjo qeveri që fitoi tha se do të ulë zbresin taksat. Kështu që të jemi konkurrent në rajon, një çështje që ne kemi folur për shumë vite”.

 

Ngritja e një dikasteri të ri për mbrojtjen e sipërmarrjes vlerësohet nga Crawford, edhe pse sipas tij, nuk është e qartë si do funksionojë. “Nuk jam i sigurt si do funksionojë kjo ministri praktikisht. Besoj se kryeministri ka parë situatën, ankesat nga sektori i biznesit që nuk ishin plotësuar apo dëgjuar nga ministritë përkatëse, dhe kishën nevojë për këto iniciativa të reja. Kështu që ne si Dhomë Amerikane do të kemi bashkëpunim me këtë ministri, dhe do shohim si do shkojnë rezultatet”.

 

Dhoma Amerikane e Tregtisë është një ndër organizatat e biznesit më aktive në vend, dhe jo rrallë herë ka patur dhe “përplasje” me qeverinë për nisma të ndryshme ligjore, të cila kanë të bëjnë me zhvillimet ekonomike në vend.

 

Nuk është hera e parë që Dhoma Amerikane shpreh një qendrim tejet kritik për klimën e përgjithshme që mbizotëron ndaj biznesit në Shëipëri. Kështu, indeksi i biznesit të Dhomës Amerikane e Tregtisë 2015-2016 ka rezultuar me një përkeqësim të ndjeshëm te të gjithë indikatorëve që masin klimën e biznesit në vend. Indeksi tregon kthim mbrapa në klimën e biznesit pas një përmirësimi për periudhën 2014-2015. Sipas raporteve të mëparshme, indeksi mat elementët e rëndësishëm të tilla si politikat e qeverisë, nivelin e taksave, korrupsionin, informalitetin, zbatimin e ligjit dhe gjithashtu elementë lidhur me performancën e bizneseve dhe ekonomisë shqiptare, të cilat kanë rezultuar më rënie së fundmi. Ky indeks është i rëndësishëm pasi hartohet me pyetësorët që u drejtohen mbi 100 bizneseve anëtare të Dhomës, ndër më të mëdhatë në vend.

 

Ky indeks lejon AmCham-in të identifikojë dhe të masë problemet që has komuniteti i biznesit dhe i jep mundësinë Dhomës të punojë me qeverinë dhe aktorë të tjerë, për të përmirësuar klimën e biznesit në Shqipëri.

 

Mësohet se në përkeqësim janë tregues të rëndësishëm si ai i taksave, korrupsionit, monopoleve dhe konkurrencës së pandershme etj.

 

Indeksi dhe raporti i tij publikohen çdo vit dhe gjetjet e tij janë ndarë me anëtarët e AmCham-it, qeverinë dhe institucione të tjera. Indeksi i parë i Biznesit të AmCham-it u publikua në maj të vitit 2013 në bashkëpunim me Konsort.

 

Edhe zëvendësambasadori amerikan, David Muniz, në një takim të organizuar nga FIAA tha se “investitorët që kanë dashur të investojnë në Shqipëri janë frikësuar dhe kanë ikur”. “Procedurat gjyqësore janë të thjeshta, detyrimet e borxheve janë një problem. Kompanitë amerikane kanë bllokuar planet për investime për shkak të zvarritjeve gjyqësore. Drejtësia nuk po bëhet. S’bëjnë investime, sepse nuk kanë siguri, ka edhe investitorë me përvoja të këqija. Edhe pronat janë probleme, me mbivendosjen e titujve të pronësisë”- ka deklaruar Muniz.

 

Presidenti i Dhomës Amerikane, Mark Crawford, ishte i pari që doli hapur dhe tha se klima për investitorët e huaj nuk është pozitive dhe shumë prej tyre janë gati të ikin e disa madje kanë dalë nga tregu shqiptar, nuk kanë të pushuar ankesat.

 

Një indeks i Dhomës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë këtë pranverë tregoi se, Shqipëria renditet e fundit si destinacion ku gjermanët do të investonin sërish, si dhe e parafundit në rajon për atraktivitetin si destinacion investimesh.

 

Indeksi i Klimës së Biznesit, një publikim i Shoqatës së Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA) ka shënuar rënie radhazi për 4 tremujorët e vitit të shkuar.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here