Duke vlerësuar se fenomeni i azilkërkimit të shtetasve shqiptare, në vende të Bashkimit Europian është bërë një shqetësim i madh që mund të rrezikojë lëvizjen e lirë të tyre, me qëllim forcimin e kontrollit në dalje nga kufiri shtetëror, prej datës 1 gusht qarkullon një urdhër i firmosur nga kreu i policisë së Shtetit, Haki Çako.
Gazeta ekspres ka mundur të sigurojë një kopje të këtij urdhri, i cili përmban 14 rekomandime, qe duhet të zbatohen nga të gjthë punonjësit e drejtorisë së kufirit që kanë në kompetencë për të kontrolluar daljet e shtetasve shqiptarë jashte territorit tonë.
“Në dalje të kufirit shtetëror të forcohet kontrolli i shtetasve që nuk plotësojnë kushtet e udhëtimit për hyrjen dhe qëndrimin në vendet Shengen/ BE-se duke kryer verifikime dhe intervistime të detajuara si: adresën e saktë të akomodimit në vendin e destinacionit ku do shkojë; ftesa e pritësit në vendin e destinacionit (të përmbajë kontaktet e pritësit); biletë rezervimi për kthimin si dhe mjetet financiare për mbulimin e shpenzimeve për kohën e qëndrimit”, thuhet në urdhër.