Vetëvendosje me LDK-në, AKR-në dhe Alternativën: I kemi numrat për Qeverinë

0
155

Krijimi i shumicës parlamentare mbetet synim jo vetëm i koalicionit fitues të zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit në Kosovë, por edhe i dy subjekteve që u renditën në vendin e dytë dhe të tretë në këto zgjedhje.

 

 

Duke besuar se koalicioni PAN, ku bëjnë pjesë Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, do të dështojë të krijojë shumicën parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës me partitë partnere, Aleancën Kosova e Re dhe Alternativën, thonë se janë duke vazhduar takimet për mundësin e arritjes së një koalicioni paszgjedhor.

Lëvizja Vetëvendosje, si subjekt që ka dalë i dyti për kah numri i ulëseve të fituara në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit, thotë se tashmë ekziston një shumicë parlamentar pa koalicionin fitues.

Dardan Sejdiu, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, tha për Radion Evropa e Lirë se me LDK-në dhe partneret e saj, janë duke diskutuar rreth programit qeverisës dhe koalicioni të ri, për një qeverisje ndryshe.

Të gjitha këto takime, thekson Sejdiu, janë në kuadër të diskutimeve, pasi që siç thotë ai, Presidenti nuk po e thërret seancën konstituive, ku do të bëhej zgjedhja e kryetarit të ri të Kuvendit, për të vazhduar me procedurat e tjera.

Pas konstituimit të përbërjes së re të Kuvendit, koalicioni PAN, si fitues i zgjedhjeve, i ka 15 ditë afat për formimin e Qeverisë së re.

Por, Vetëvendosje është e bindur se PAN nuk do të arrijë t’i sigurojë minimumin prej 61 votave për formimin e Qeverisë dhe pret që shansin e dytë ta ketë ky subjekt politik me LDK-në dhe partitë partnere.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nuk ka caktuar ende datën e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, por ai pritet që të zhvillojë një takim me partitë parlamentare më 24 korrik, pikërisht për datën e konstituimit të këtij institucioni.

Më herët, Lëvizja Vetëvendosje dhe koalicioni i subjekteve politike, të cilave u prin Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk i janë përgjigjur pozitivisht një ftese për të diskutuar për formimin e Qeverisë së re, nga kandidati për kryeministër të Kosovës, Ramush Haradinaj, i nominuar nga koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën./rel/

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here