Një studim i ri danez ka zbuluar se Facebook i bën njerëzit të palumtur, ndërsa veçanërisht ata që janë xhelozë i mërzit dhe u shton depresionin.
Studimi i publikuar nga “The Independent” u rekomandon personave që vuajnë nga lakmia të largohen nga media sociale, menjëherë.
Në studimin e tij, Universiteti i Kopenhagen përfshiu në eksperiment 1 095 persona, gjysmës së të cilëve u kërkoi të vazhdonin me përdorimin e Facebook, ndërsa gjysmës tjetër iu kërkua të mos hynte në rrjetin social më të përdorur në botë.
Përdoruesit që nuk e përdorën Facebook për një javë rezultuan të ishin më të kënaqur nga jeta dhe e vlerësonin më lart mirëqenien e tyre.
Ata që pranuan se ishin pre e lakmisë në Facebook, tendencë për të xhelozuar aktivitetet e miqve të shpërndara online, përfituan më shumë nga mospërdorimi.
“Miliona orë të shpenzuara në Facebook çdo ditë,” tha autori i studimit Morten Tromholt. “Pa dyshim që jemi më të lidhur tani se kurdo më parë, por a sjell ndonjë dobi tek mirëqenia jonë kjo lidhshmëri?” pyet studiuesi, duke u përgjigjur shkurt: “Jo!”
Ai thotë se në fakt, zakoni i përditshëm i përdorimit të Facebook për të komunikuar dhe për të marrë informacion po ndikon negativisht në mirëqenien tonë. Objekt i studimit ishin 1 095 persona anekënd Danimarkës, me moshë mesatare 34 – vjeç, si dhe me numër mesatar miqsh në Facebook prej 350 vetash.